“Strehëza e LGBT” gati për komunitetin

16 Janar 2012 – E pagëzuar me emrin “Strehëza e Ylberit”, është tashmë gati Qendra e Parë e Emergjencës vënë në dispozicion të komunitetit LGBT në Shqipëri. Ky projekt, i mundësuar nga bashkëpunimi i Ambasadës PINK me Fondacionin Planet Romeo Hollandë, i mundëson komunitetit LGBT strehim dhe mbrojtje në momentet më të vështira apo ekstreme të jetës, sidomos për ato vajza dhe djem të cilët janë në proçesin “coming out”, (të pranimit të identitetit të seksual tek miqtë, familjarët ose kolegët).

Pamjet fotografike të Qendrës, vendndodhja e të cilës nuk do të bëhet publike për arësye sigurie, na paraqesin një mjedis të ngrohtë dhe familjar. Puna disa javore për kërkimin e vendit më të përshtatshëm nga ana e stafit të PINK ka dhënë tashmë frutet e veta.

“Strehëza e LGBT” do të jetë e hapur vetëm për personat që kanë mbushur moshën 18 vjeç, ndërsa për të gjithë personat nën këtë moshë, strehimi i tyre do të bëhet në strehëzat për mbrojtjen e fëmijëve dhe adoleshentëve.

Prej kohësh Ambasada PINK ka shprehur shqetësimin për rastet kur prindërit apo të afërmit e komunitetit LGBT kanë reaguar ashpër pasi kanë mësuar orientimin seksual të fëmijëve të tyre, duke arritur deri në rrahjen apo dëbimin e tyre. Në mjaft raste, pas një periudhe reflektimi dhe komunikimi, prindërit janë ri-bashkuar me fëmijët e tyre, duke nisur kështu fazën e njohjes dhe pranimit të identitetit të tyre seksual. Duke patur parasysh këtë moment të rëndësishëm dhe delikat në jetën e vajzave dhe djemve të komunitetit, vullneti i Ambasadës PINK është që në këtë periudhe tranzitore, t’i asistojë anëtarët e komunitetit të vendosur në strehëz, duke i ndihmuar ata në komunikimin me të afërmit e të dashurit e tyre, si dhe për një pjesë të tyre ndihmën në drejtim të mësimit të një profesioni.

“Strehëza e LGBT” do të funksionojë, duke u mbështetur në rregulla dhe parime etike, në mënyrë që bashkëjetesa, sado e shkurtër e anëtarëve të ndryshëm të komunitetit, të jetë e qetë dhe në ndihmë të kauzës sonë të përbashkët.

Për Ambasadën PINK, ky është një moment i rëndësishëm në drejtim të avancimit dhe mbrojtjes të të drejtave të komunitetit LGBT, duke u siguruar që pavarësisht rrethanave të jetës, asnjë anëtar i saj të mos vuajë, dhunohet apo dëmtohet nga largimi prej gjirit të familjes.

Si përfundim, gjatë këtyre ditëve Ambasada PINK është në proçes rekrutimi të një personi i cili do të jetë përgjegjës për menaxhimin e qendrës. Personat e interesuar mund të na shkruajnë në adresën:communitypink@gmail.com ose info@pinkembassy.al

 

Mbështetësit Dhe Partnerët