20 Nëntor Dita e Kujtesës së personave Trangjinorë

Sot, ashtu si për vite e vite me rradhë, njerëzit paguajnë një çmim shumë të lartë kur “shkelin” tabunë e fortë që shoqëria imponon mbi gjininë biologjike të njerëzve. Nëse ke lindur mashkull do vdesësh i tillë dhe anasjelltas.

Prej disa vitesh rrjesht, Dita e Kujtesës së personave Transgjinorë është data 20 Nëntor. Në këtë ditë, pra sot, kujtohen ata qindra njerëz të cilët kanë humbur jetën brutalisht në duart e urrejtjes irracionale të cilët besojnë se thyerja e kufijve gjinorë duhet të ndëshkohet me vdekje.

Kjo ditë ndërkombëtare është e rëndësishme për ti dhënë vizibilitet pasojave që sjellin përjashtimi dhe diskriminimi i imponuar nga pjesa më e madhe e shoqërisë ndaj personave transgjinorë (travestit, transeksual etj) dhe stigmatizimi i tyre.

Ambasada PINK/LGBT Pro Shqipëri i bashkohet të gjithë organizatave LGBT dhe atyre të të drejtave të njeriut në botë të cilat sot, përfitojnë nga kjo datë për të denoncuar këtë situatë dhe për ti kërkuar institucioneve dhe opinionit publik shqiptar të ndryshojnë sjelljen dhe mendimin e tyre ndaj këtij grupi social.

Ashtu si në shumë vende të botës, edhe në Shqipëri, diskriminimi, stigmatizimi dhe përjashtimi kategorik nga çdo formë organizimi social, i detyron personat transgjinorë të bëhen punonjëse seksi për të fituar pak të holla, të rrezikohen nga infektimi me SST apo HIV/AIDS dhe të jenë të ekspozuar, çdo ditë ndaj dhunës dhe keqtrajtimeve, duke rezultuar në humbjen e jetës.

Këto krime urrejtje, të bazuara në identitetin gjinor, kundër personave transeksualë, travestite dhe transgjinorë janë duke ndodhur çdo ditë në të gjithë botën.

Disa organizata rajonale dhe ndërkombëtare janë duke punuar çdo ditë e më shumë për mbledhjen e informacioneve për dhunën dhe diskriminimin e pësuar nga qytetarët dhe institucionet. Edhe në Shqipëri, Ambasada PINK/LGBT Pro Shqipëri, ka mbledhur dhe raportuar me dhjetra denoncime të personave transgjinorë, për raste dhune, diskriminimi, keqtrajtimi, kërcenimesh etj. Kjo ka bërë që me kalimin e viteve, në vendin tonë, si në shumë vende të tjera, problemet e personave transgjinorë të jenë shumëfishuar. Ata janë totalisht të përjashtuar nga edukimi, punësimi, drejtësia dhe shërbimet mjekësore. Këto shërbime, të cilat ata duhet ti gëzojnë si të dreja, ashtu si çdo qytetar tjetër, u mohoen vetëm për shkak të transfobisë. Edhe kur ata kanë marrë shërbime të ndryshme, kanë qenë shpesh të diskriminuar dhe janë perceptuar si shkelës të normave shoqërore.

Sot, shumë grupe ndërkombëtare dhe organizata janë duke advokuar për heqjen e termit “transeksual” nga katalogu i sëmundjeve mendore të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Ata kërkojnë që kjo gjendje të njihet si pjesë e identitetit kompleks seksual të qenieve njerëzore. Çdo person transgjinor – ashtu si edhe persona jo-transgjinorë – mund të dëshmojnë se të jesh transgjinor nuk është diçka që kërkon trajtim psikiatrik: ai është një proçes gjatë të cilit personi përkufizon identitetin e tij/saj gjinor.

Sipas aktivistes feministe Silvia Buendia “Homoseksualiteti është orientim seksual, kur një person është i tërhequr seksualisht nga një person i të njëjtit seks. Transeksualiteti është diçka krejt tjetër dhe ka të bëjë me seksin biologjik të një personi, i cili mund të ndodhë që vet-identifikohet me gjininë tjetër teksa rritet.

Çmimi që shumë njerëz po paguajnë për këto barriera të seksit dhe gjinisë është shumë i lartë. Të gjithë ne duhet të bëjmë diçka për ti dhënë fund.

Mbështetësit Dhe Partnerët