66% e mësuesve shqiptarë heshtin përballë bulizmit në shkolla me bazë homofobinë dhe transfobinë

Ambasada PINK prezanton studimin mbi “Perceptimet dhe qëndrimet e mësuesve ndaj adoleshentëve LGBTI në shkollat e mesme publike në Shqipëri”

Tiranë, 31 Maj 2018 – Ambasada PINK prezantoi sot studimin “Perceptimet dhe qëndrimet e mësuesve ndaj adoleshentëve LGBTI në shkollat e mesme publike në Shqipëri” të kryer në 6 qytete të vendit. Raporti, i vlerësuar përmes një pyetësori të gjerë me mësuesit në shkollat e mesme, në qytetet Tiranë, Durrës, Shkodër, Elbasan, Vlorë dhe Korçë, tregon të dhëna shqetësuese përsa i përket informimit të mësuesve ndaj adoleshentëve LGBTI si dhe qëndrimeve që ata përcjellin në mjediset shkollore.

Në pyetësor rreth 47 % e mësuesve deklaruan se ishin mjaftueshëm të informuar në lidhje me të drejtat LGBTI, por ndërsa të njëjtët mësues të pyetur mbi bulizmin ndaj adoleshentëve LGBTI, deklarojnë se rreth 66 % e tyre heshtin kur ata përballen me këtë fenomen.  Të pyetur nëse do ta përkrahin fëmijën e tyre po të ishte person LGBTI, rreth 70 % e mësuesve shqiptarë deklarojnë se nuk do ta pranonin, ndërsa 9.3% e tyre shprehen se nuk i pranojnë dot adoleshentët LGBTI në klasë apo shkollë.

Disa të dhëna të tjera të studimti tregojnë se:

  • 12% e mësuesve mendojnë se adoleshentët LGBTI janë të sëmurë.
  • 4% e tyre shprehen se orientimi seksual dhe identiteti gjinor i adoleshentëve duhet të ndalohen me ligj.
  • Rreth 11.3% e mësuesve thonë se adoleshentët LGBTI janë të ndikuar nga internet.

Studimi sjell disa gjetje shqetësuese mbi ngjarjet diskriminuese në mjediset shkollore. Rreth 34% përqind e mësuesve të intervistuar thonë se kanë qenë dëshmitar të diskriminimit në shkollën e tyre.

Në prezantimin e studimit, Ambasada PINK, i rekomandoi Ministrisë së Arsimit dhe IZHA përgatitjen e një kurikule të posaçme për informimin dhe trajnimin e mësuesve në të gjithë Shqipërinë. Gjithashtu një rëndësi të veçantë duhet t’i kushtohet përgatitjes së një Kodi Sjellje për të gjithë mësuesit për mbrojtjen e fëmijëve dhe adoleshentëve nga dhuna, abuzimi, ngacmimet, bulizmi dhe diskriminimi, sipas modelit të “SAFE SCHOOLS” (Shkolla të Sigurta).

Ky studim është përgatitur nga ekspertë të fushës nga Ambasada PINK, me mbështetjen e Ambasadës Amerikanë në Tiranë.

Mbështetësit Dhe Partnerët