Aktivistë të shoqërisë civile trajnohen mbi tematikën LGBTI

29 Prill 2015 – Aktivistë të rinj të shoqërisë civile shqiptare ndoqën sot trajnimin një-ditor pranë mjediseve të Ambasadës PINK / LGBT Pro Shqipëri me temë “Të drejtat LGBTI dhe ofrimi i shërbimeve miqësore”. Ai zhvillohet në kuadër të iniciativave “Përmirësimi i jetës së personave LGBTI ne nivel lokal” dhe “Përmirësimi i performancës së institucioneve publike ndaj komunitetit LGBTI”.

Aktivistët vinin nga organizata dhe grupe të tilla si Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, Open Mind Spectrum Albania (OMSA), Partnerët për Fëmijë, Tirana Legal Aid Service (TLAS), Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Instituti i Kulturës Rome (IRCA), La casa nel quore, Shoqata Kombëtare e Punonjësve Socialë (SHKPS), Qendra për Popullsi dhe Zhvillim (ACPD), Rrjeti i Vullnetarëve Shqiptarë (RVSH), Vota Vlen, Komiteti Rinor dhe Observatori i Tiranës.

Trajnimi synoi të prezantonte konceptet e vjetra dhe ato më të reja në lidhje me tematikën LGBTI dhe të diskutonte me aktivistët e rinj mënyrat se si mund të ndryshohet mentaliteti shoqëror dhe sjellja e institucioneve. Pjesa e dytë e trajnimit shërbeu për tu thelluar në koncepte dhe për të dhënë sugjerime dhe rekomandime për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe rritjes së ndërgjegjësimit për komunitetin LGBTI.

Rekomandimet do të mblidhen në një dokument të posaçëm së bashku me ato të institucioneve të ndryshme publike të dhëna pak ditë më parë dhe do ti dorëzohen Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë në kuadër të përgatitjeve të kësaj të fundit për Planin e Masave kundër diskriminimit për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor (2015-2020).

Në rekomandimet e tyre aktivistët e rinj vunë theksin tek ndërgjegjësimi i institucioneve dhe shoqërisë, në zhvillimin e trajnimeve dhe orëve e leksioneve të hapura me mjekët, mësuesit, punonjësit e policisë, ofruesit e shërbimeve. Ata sugjeruan gjithshtu përfshirjen e tematikës LGBT në kurrikulat e shkollës, në mbrojtjen e personave LGBT në sistemin penitenciar, veçanërisht personat trans, në përfshirjen e komunitetit LGBT në studime që lidhen me punësimin, shëndetin, abuzimin me alkoolin apo drogën. Të gjitha grupet e punës sugjeruan sa më shumë vizibilitet në media me video dhe fushata ndërgjegjësuese, debate dhe prezantim sa më të gjerë të temës jo vetëm në qytetet e mëdha por edhe në komuna më të vogla dhe zonat e thella të vendit.

Në gjykimin e tyre për trajnimin pjesëmarrësit vlerësuan se tani do te kenë argumentim më të mirë, do kenë mundësi të shprehen më lirshëm, ti kuptojnë më mirë personat LGBT dhe sugjeruan zhvillimin e sa më shumë aktiviteteve ndërgjegjësuese. 

Mbështetësit Dhe Partnerët