Aktivisti italian viziton Shqipërinë

Në datat 15 deri 21 Mars 2013 Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri mirëpriti në Tiranë aktivistin italian Yuri Guaiana në një udhëtim studimor në vendin tonë për të ndarë eksperiencën italiane dhe për tu njohur nga afër me realitetin LGBT shqiptar.

Axhenda e përgatitur nga PINK kishte për qëllim ti ofronte Z. Guaiana mundësinë të njihej sa më afër me të gjitha aspektet e lëzivjes LGBT dhe punën që bëhet në vendin tonë për përmirësimin e gjëndjes së këtij komuniteti. Ndërkohë në anën tjetër synohej që sa më shumë grupe të mësonin për realitetin LGBT italian dhe për të ndërtuar një panoramë sa më të qartë ngjashmërish dhe ndryshimesh midis dy konteksteve.

Jeta përtej detit Adriatik perceptohet nga shumë të rinjë shqiptarë si një parajsë ku është shumë më e lehtë të jesh LGBT dhe ku nuk ka probleme. Z. Guaiana ndërkohë u tregua më shumë se një herë i kujdesshëm për të treguar disa nga avantazhet dhe dizavantazhet e të qenurit LGBT në vendin fqinj duke bërë të qartë se minoritetet seksuale kudo ku ato jetojnë përballen me sfida të gjithëfarëllojshme. Më konkretisht gjatë qëndrimit të tij disa ditor në Shqipëri Z. Guaiana mundi të marrë pjesë në disa leksione të hapura pranë Fakultetit të Shkencave Sociale në Tiranë dhe Univeristy of New York / Tirana ku ai prezantoi studimin më të fundit italian mbi perceptimet e publikut të vendit fqinj mbi çështjet LGBT. Kjo ishte hera e parë që në vendin fqinj zhvillohet një studim kombëtar mbi çështjet LGBT i cili jep edhe rekomandime të posaçme për punën që duhet të bëjnë institucionet. Kjo ishte edhe një mënyrë e mirë që Z. Guaiana të njihej me opinionet dhe perceptimet e të rinjve shqiptarë mbi këtë temë.

Një nga aktivitetet më të rëndësishme të vizitës së tij ishte takimi i punës mes Ambasadës PINK dhe Ambasadorit të Republikës së Italisë në Shqipëri Z. Massimo Giani. Gjatë këtij takimi Ambasadori italian bëri të qartë se zyra e tij e ndjek me vëmendje situatën e të drejtave të njeriut në Shqipëri dhe janë mjaft të informuar dhe të ndërgjegjësuar mbi punën e lëvizjes LGBT këtu. Ndër të tjera u morrën në konsideratë edhe mundësitë e bashkëpunimit në aktivitete të ndryshme me karakter social dhe kulturor në vend për ndërgjegjësimin mbi këtë subjekt.

Takime pune u zhvilluan edhe me Z. Artur Nura, korrespondent i Radio Radicale në Shqipëri si dhe Znj. Vasilika Hysi, Deputete e Parlamentit të Shqipërisë. Në takimin me Znj. Hysi u diskutuan disa nga aspektet më të rëndësishme në lidhje me angazhimin e politikës në fushën e të drejtave të njeriut në përgjithësi dhe ato të komunitetit LGBT në veçanti. Znj. Hysi njihet si një nga politikanet më të përkushtuara për integrimin e çështjeve të të drejtave të njeriut në programin elektoral të Partisë Socialiste dhe për punën e vështirë që ajo së bashku me deputetë të tjerë po zhvillojnë për të thyer tabutë e politikëbërjes për grupe të diskriminuara dhe të margjinalizuara ashtu siç është edhe komuniteti LGBT. Një ndër aspektet më të veçanta në këtë kuadër lidhet me mungesën e perceptimeve të qarta të publikut mbi çështjen LGBT çka i bën pjesën më të madhe të forcave politike hezituese të mbështesin hapur këtë çështje. Ky realitet gjithsesi po ndryshon falë lobimit të organizatave LGBT, presionit ndërkombëtar dhe punës mediatike.

Më tej, Z. Guaiana pati mundësinë të ndjekë nga afër Konferencën Rajonale “Të drejtat LGBT në Ballkanin Perëndimor; Arritje dhe Sfida” të realizuar nga Ambasada PINK me pjesëmarrjen e aktivistëve LGBT nga Maqedonia, Kosova, Mali i Zi, Bonje & Herzegovina dhe Serbia. Në këtë konferencë ai mundi të njihet më nga afër edhe me punën lobuese dhe advokuese që bëhet në vendin tonë dhe për disa nga sfidat kryesore me të cilat përbllet komuniteti LGBT në Shqipëri dhe rajon në lidhje me sigurinë dhe punën e institucioneve publike.

Një nga aktivitetet më interesante ishte takimi me vullnetarët dhe të rinjtë e PINK Youth Group, aktivistë të rinj LGBT dhe jo-LGBT të cilët patën mundësi të pyesin Z. Guaiana për gjendjen LGBT në vendin fqinj dhe të japin dëshmi për jetën e tyre këtu.

Ndarja e eksperiencave dhe dëshmitë reale janë një nga metodat më efektive të advokimit për një çështje sociale sepse ato arrijnë të përcjellin në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe pa keqkuptime mesazhin dhe problemet reale që has komuniteti LGTB në Shqipëri por edhe në vende të tjera. Falë Z. Guaiana në takimet e ndryshme të punës, Ambasada PINK mundi të paraqesë një fytyrë europiane dhe ndërkombëtare të realitetit LGBT jo thjesht përmes dëshmive personale por edhe duke përdorur një analizë krahasimore dhe cilësore.

Kontaktet e rinisë shqiptare por edhe të grupeve të tjera ashtu si politikanë, intelektualë dhe media, me aktivistë LGBT nga vendet e tjera ndihmon për të kuptuar se sa diapazon të gjerë ka kjo lëvizje në varësi të karakteristikave lokale dhe se sa e rëndësishme është çdo arritje në fushën e të drejtave LGBT sado të vogla që të jenë ato.

Një nga dallimet kryesore midis Shqipërisë dhe Italisë është se ndërkohë që vendi ynë ka një legjislacion relativisht të avancuar të të drejtave LGBT Italia nuk ka ende një ligj për mbrojtjen kundër diskriminimit të personave LGBT aq më pak ligje më specifike. Nga ana tjetër realiteti kulturor, social dhe ekonomik i personave LGBT në Itali është shumë herë më i avancuar se sa në Shqipëri. Por e vërteta e hidhur është se asnjëra nuk mund të bëjë pa tjetrën dhe se të dyja vendet kanë mangësi të mëdha në raport me avancimin e të drejtave të komunitetit LGBT.

Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri dëshiron të falenderojë Certi Diritti dhe përfaqësuesin e saj Z. Yuri Guaiana për vizitiën e tij në Shqipëri dhe për ndarjen e një eksperience të vyer me ne dhe shpreson se në një udhëtim tjetër realiteti LGBT në të dyja vendet të ketë ndryshuar sa më pozitivisht.

Mbështetësit Dhe Partnerët