Ambasada PINK dorëzon në Kuvendin e Shqipërisë projektligjin “Për Njohjen e Identitetit Gjinor në Shqipëri”

Për herë të parë ligji kërkon të përafrojë legjislacionin shqiptar me modelet më të mira në nivel botëror për njohjen e identitetit gjinor dhe shprehjes së tij

Tiranë, 16 Maj 2018 - Ambasada PINK i kërkoi sot Kuvendit të Shqipërisë të miratojë projekt-ligjin për “ Njohjen e Identitetit Gjinor në Shqipëri”, në kuadër të Festivalit të Diversitetit, event ky që zhvillohet për të Drejtat LGBTI në Shqipëri. Ky projekt-ligj është ndërtuar në vetvete që të sigurojë mbrojtjen efikase dhe trajtim pa diskriminim të çdo personi që ndryshon gjininë në Shqipëri, duke parashikuar pasqyrimin e identitetit gjinor të ri në çdo dokument zyrtar.

Projekt-ligji përcakton rregullat bazë për njohjen e identitetit gjinor dhe ndryshimin e të dhënës që pasqyrohet në çertifikatën e lindjes dhe në dokumentet e tjerë zyrtarë lidhur me seksin dhe gjininë si përbërës i gjendjes civile, në rastet kur ky identitet nuk përputhet me atë të regjistruar në to.

Parimi themelor i këtij ligji bazohet në barazinë dhe mosdiskriminimin si edhe në parimet e tjera të sanksionuara nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe nga të gjitha aktet e tjera ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë. Në projekt-ligj shtrohen edhe proçedurat e njohjes së identitetit gjinor. Kjo proçedurë si një nga përbërësit e gjëndjes civile, me përjashtim të të miturve, bëhet vetëm me kërkesë të personit i cili paraqitet personalisht përpara nënpunësit të gjendjes civile të vendbanimit dhe deklaron pëlqimin e lirë të tij.

Çdo person në Shqipëri regjistrohet që në lindje me të dhënat e tij bazë në të cilat përfshihet edhe gjinia. Legjislacioni ynë njeh vetëm dy gjini: mashkull dhe femër, por nuk ka parashikuar asnjë mundësi për ta ndryshuar gjininë, sipas zgjedhjes personale të individitit. Ky projekt- ligj i jep mundësinë të gjithë personave jo vetëm të identifikojnë gjininë e tyre por edhe ta shprehin atë. 

Projekt-ligji u propozua për herë të parë për tu miratuar rreth 5 vite më parë, por asnjë nga qeveritë përgjatë kësaj periudhe  nuk mori përsipër që ta propozonte në Kuvendin e Shqipërisë miratimin e tij. Në vitin 2018 Ambasada PINK e rishikoi ligjin duke i bërë edhe  ndryshimet e nevojshme dhe përshtatjet që ky projekt-ligj të përfshinte edhe shprehjen e identitetit gjinor.   Projekt-ligji për ” Njohjen e Identitetit Gjinor në Shqipëri”, është përgatitur nga ekspertët më të mirë të fushës në vendin tonë.

Mbështetësit Dhe Partnerët