Ambasada PINK hap fushatën kombëtare “Barazi në martesë” për çdo qytetar shqiptar

Ambasada PINK dhe Rrjeti Kombëtar për të Drejtat LGBTI, së shpejti do të paraqesin propozimet ligjore për ndryshimin e Kodit të Familjes

Tiranë, 18 Maj 2018 - Ambasada PINK, i drejtoi një thirrje të hapur Kuvendit të Shqipërisë dhe të gjithë deputetëve të saj, për të ndryshuar Kodin e Familjes, për të eliminuar çdo barrierë ekszistuese në ligj, të cilat mbajnë në këmbë diskriminimin ndaj komunitetit LGBTI në martëse. Kërkesa publike mbështetet nga 10 organizata dhe rrjete kombëtare që operojnë në vend në mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Shqipëria vazhdon ende të shkelë të drejtat e njeriut të personave LGBTI, pasi nuk lejon dhe nuk garanton barazinë në martesë për çdo qytetar të saj. Sot asnjë person LGBTI në Shqipëri nuk gëzon të drejtën ligjore që të bashkëjetojë apo të martohet dhe të krijojë familje të të njëjtit seks. Në shkelje të hapur të Nenit 53 të Kushtetutës së Shqipërisë, Kodi i Familjes e përkufizon martesën si lidhjen ndërmjet një burri dhe një gruaje, duke diskriminuar haptazi personat lezbike, gay, biseksualë dhe transgjinorë.

Ambasada PINK, 8 vjet më parë kërkoi për herë të parë publikisht barazinë në martesë, një kërkesë kjo e drejtuar Kuvendit të Shqipërisë. Megjithatë, paragjykimet, diskriminimi, padituria dhe presioni fetar në Shqipëri, duket se janë faktorët që për një kohë kaq të gjatë kanë ndikuar në konstituimin e diskriminimit në martesë dhe bashkëjetesë!

Ambasada PINK me mbështetjen e organizatave të shoqërisë civile nga e gjithë Shqipëria, pas konsultimeve me ekspertë të të drejtës, do të paraqesë pranë Komisionit të Ligjeve kërkesat dhe rekomandimet ligjore, për ndryshimin e Kodit të Familjes në Shqipëri dhe eliminimin e çdo barriere në ligj që mban gjallë diskriminimin, përjashtimin dhe dhunën shtetërore ndaj individëve LGBTI.

Sot në Europë 26 Shtete njohin barazinë në martesë dhe bashkëjetesë: 14 shtete zyrtarisht njohin barazinë në martesën civile në seks të njëjtë dhe 12 të tjera njohin bashkëjetesën civile. Eksperienca në këto shtete ka treguar se martesa dhe krijimi i familjeve LGBT, përkundër paragjykimeve, i ka forcuar shoqëritë duke i bërë ato më tolerante dhe më demokratike.

Mbështetësit Dhe Partnerët