Ambasada Pink i kërkon Parlamentit miratimin e ndryshimeve në kodin e familjes

Tiranë, 2 Dhjetor 2014 - Ambasada PINK/LGBT Pro Shqipëri mori pjesë dhe prezantoi një sërë rekomandimesh, në seancën dëgjimore të organizuar nga Nënkomisioni parlamentar për të Drejtat e Njeriut, mbi raportin e veçantë të Avokatit të Popullit “Për të drejtat e personave LGBT”. Të pranishëm në këtë diskutim, i pari i këtij lloji në Parlamentin Shqiptar, ishin përfaqësues të shoqërisë civile, Avokati i Popullit, Zv.ministrja e Arsimit dhe Sporteve, përfaqësues të MMSR si edhe deputetë të Kuvendit.

Në këtë seancë, z. Artan Karoli, Drejtor i Ambasadës PINK, propozoi një sërë rekomandimesh bazuar tek eksperienca 5-vjeçare e punës së Ambasadës PINK në drejtim të mbrojtjes së të drejtave të personave LGBT si edhe tek raporti i Avokatit të Popullit.

Rekomandimet kryesore kanë të bëjnë me ndryshimin e neneve 163 dhe 164 të Kodit të Familjes për ti dhënë mundësi çifteve të gjinisë së njëjtë të hyjnë në bashkësi civile; përmirësimi i legjislacionit në fushat e punësimit, arsimit, shërbimeve dhe të mirave në përputhje me ligjin për mbrojtjen nga diskriminimi; njohja e identitetit gjinor dhe e ndryshimit të gjinisë në mënyrë jo diskriminuese; vlerësimi i situatës së diskriminimit në shoqëri përmes evidencave dhe studimeve sidomos në fushën e krimeve të urrejtjes, diskriminimit në shkolla, shërbimet shëndetësore, diskriminimi në punesim, etj.; ndryshime ligjore në lidhje me krimet e urrejtjes; mbështetje për institucionet e Avokatit të Popullit dhe Komisionerit për mbrojtjen nga Diskriminimi, si institucione të të drejtave të njeriut që kanë trajtuar dhe mbështetur komunitetin LGBT në vend.

Zëvendësministrja e Arsimit dhe Sporteve, znj. Nora Malaj tha se parlamenti shqiptar po jep një model shumë të mirë në hartimin e ligjeve duke bashkëpunuar me shoqërinë civile duke shtuar tri momentet që po ndërmerr sistemi i arsimit në parandalimin e diskriminimit, që kanë të bëjnë me parandalimin, edukimin  dhe ri-integrimin apo integrimin.

Avokati i Popullit, z. Igli Totozani kërkoi nga Kuvendi që të miratohet një rezolutë për mbrojtjen nga diskriminimi të komunitetit LGBT.

Kryetarja e Nënkomisionit për të Drejtat e Njeriut, znj.Vasilika Hysi tha se Kuvendi do të mbështes edhe me rezolutë parandalimin nga diskriminimi, ku në të përfshihet edhe komuniteti LGBT, pasi kjo çështje të diskutohet në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, duke u ndalur në tri shtylla kryesore, roli që ka Kuvendi për të miratuar ligje, kontrolli parlamentar i Kuvendit pra të monitorojë institucionet, qeverinë dhe institucionet kushtetuese në zbatimin dhe respektimin e lirive dhe të drejtave të personave LGBT por edhe në detyrimin e marrjes së masave pozitive për të krijuar lehtësia për këtë komunitetit.

Ambasada PINK përgëzon parlamentin dhe Nënkomisionin për të Drejtat e Njeriut, për serinë e konsultimeve me organizatat e shoqërisë civile në kuadër të përmirësimeve ligjore në këtë drejtim.

Për më shumë info kontaktoni:
Z. Artan Karoli
E-mail: pinkembassy@crca.al

Mbështetësit Dhe Partnerët