Ambasada PINK: Kuvendi i Shqipërisë të kërkojë ndjesë publike ndaj të gjithë të dënuarve LGBTI përgjatë regjimit komunist!

DEKLARATË PËR SHTYP - Presidenti i Shqipërisë të ushtrojë Faljen e Dënimit për të gjithë personat LGBTI të dënuar gjatë kohës së komunizmit!

Tiranë, 17 Maj 2019 - 17 Maji shënon çdo vit Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë dhe Transfobisë, duke ngritur zërin për të gjithë shkeljet e të drejtave të personave LGBTI kudo në botë.

Ambasada PINK dhe Shtëpia e të Drejtave të Njeriut –HRH, në kuadër të kësaj dite, i drejtohen publikisht institucioneve shqiptare për të kthyer vëmendjen e tyre te këta persona dhe të sigurojë jo vetëm mbrojtjen e tyre por edhe mosdiskriminimin dhe barazinë.

Përgjatë 50 viteve të regjimit komunist në Shqipëri, të shumtë në numër kanë qënë ata që për shkak të orientimit të tyre seksual janë dënuar, internuar, dëbuar, madje edhe konsideruar si kriminelë ordinerë. Të gjithë këta persona, numri i të cilëve ende nuk dihet, kanë vuajtur vite të tëra në burgjet e diktaturës.

Ambasada PINK dhe Shtëpia e të Drejtave të Njeriut – HRH, i kërkon në këtë ditë Kuvendit të Shqipërisë, të kërkojë ndjesë të hapur publike ndaj të gjithë personave që u dergjën burgjeve të vendit, vetëm si shkak i orientimit të tyre seksual apo identitetit të tyre gjinor.

Ne i kërkojmë Presidentit të Republikës, të ushtrojë Faljen e Dënimit, për të gjithë personat LGBTI, që ende sot e kësaj dite, mbajnë vulën e një personi të dënuar padrejtësisht.

Ambasada PINK dhe HRH, i kërkojmë Qeverisë Shqiptare dhe Ministrisë së Financave që në Ligjin Nr, 9831 “Për Dëmshpërblimin e ish të Dënuarve politikë të Regjimit Komunist”, të përfshijë të gjithë të dënuarit e atëhershëm LGBTI, të cilët kanë vuajtur burgun, internimin apo edhe dëbimin si shkak i orientimit të tyre seksual, që në atë periudhë konsiderohej si shkelje e ligjit dhe herezi. Të gjithë këta persona dhe familjarët e tyre kanë të drejtë të fitojnë dëmshpërblimin ekonomik dhe rehabilitimin e tyre për një dënim penal të padrejtë.

Mbështetësit Dhe Partnerët