Ambasada PINK mbështët PRIDE 2012 në Beograd

10 Tetor 2012- Në datat 30 Shtator - 7 Tetor u zhvillua në Beograd Pride, me një seri aktivitetesh, të cilat do të finalizoheshin me Marshimin e Krenarisë në datën 6 Tetor. Ky event i shumë përfolur nga të gjitha mediat kombëtare dhe ndërkombëtare u ndoq edhe nga anëtarë të Ambasadës PINK dhe përfaqësues të organizatave të tjera LGBT në vend me mbështetjen e Civil Rights Defenders. Në aktivitet kishte të pranishëm delegacione nga Kosova, Bosnja & Hercegovina, Greqia, Rusia dhe vende të tjera.

Aktivitetet ishin organizuar në mënyrë të tillë që në pjesën e parë të ditës të zhvilloheshin konferenca dhe debate, ndërsa pasdite të mbaheshin evente me karakter artistik, si ekspozita dhe filma. Vlen për tu përmendur ekspozita e titulluar Ecce Homo e suedezes Elisabeth Ohlson Wallin. Ekspozita me fotografi paraqet skena biblike të vendosura në botën kontemporane, ku shpesh herë janë paraqitur dhe persona transgjinorë, apo gay. Parada dhe aktivitetet rreth saj ishin organizuar nën parrullën “Ljuba, Vera, Nada”- Dashuri, Shpresë, Besim” duke apeluar në mirëkuptimin e bashkështetasve për një shoqëri diverse dhe gjithpërfshirëse.

Marshimi i Krenarisë për 2012 u anullua nga Qeveria e Sërbisë me argumentimin se kjo është mënyra më e mirë për të parandaluar dhunën. Ky bëhet viti i dytë rradhaz që Marshimi nuk mbështetet nga qeveria dhe anullohet disa ditë përpara zhvillimit të tij. Argumenti, vazhdon të jetë i njëjti: qeveria dhe policia serbe nuk mund të garantojnë sigurinë e pjesëmarrësve në pride.

Reagimi i organizuesve të Pride, aktivistëve LGBT rajonalë dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë ndaj shtetit serb ishte shumë i ashpër. Në konferencën e fundit për shtyp, të mbajtur përpara marshimit të planifikuar, morrën pjesë Birgitta Ohlsson, Ministre e Jashtme e Suedisë, Jelko Kacin, Raportuesi për Serbine në Parlamentin Europian, Vincert Degart, Ambasador i Delegacionit Europian në Serbi dhe Marije Cornelissen, anëtare e Parlamentit Europian. Në debat dhe në ditën e planifikuar të Pride me delegacionin e PINK u bashkua dhe Z. Altin Hazizaj, Ambasador i Parë i Ambasadës PINK. Ky debat u moderua nga Robert Hårdh, Drejtor Ekzekutiv i Civil Rights Defenders. Mesazhi që u dha në këtë konferencë ishte se mungesa e qeverisë serbe dhe pa-aftësia e saj për të mbrojtur dhe garantuar të drejtat themelore të shtetasve të vet për tu shprehur, mbledhur dhe mos-diskriminuar ishte një shkelje e rëndë. Kjo u mbështet me argumentimin se parada është persofinikim i këtyre të drejtave për komunitetin LGBT. Ndërkombëtarët u shprehën se në Nëntor, kur Serbia do të ketë raportin e rradhës për anëtarësim në BE, anullimi i paradës nuk do të anashkalohet.

Më 6 Tetor, ditën e anullimit të Paradës aktivistët serbë deklaruan se nuk do të dorëzohen dhe u mblodhën në hyrje të godinës ku u mbajt konferënca të ulur sipër bukëpeshkut rozë që simbolizonte shtypjen nga shteti, duke deklaruar datën e Pride-it të ardhshëm, 28 Shtator 2013.

Ambasada PINK/LGBT Pro Shqipëri dëshiron të përshëndesë të gjithë grupet organizatore të Belgrade Pride, me premtimin se do të jemi pranë tyre Shtatorin e ardhshëm dhe me ftesën për tu bashkuar me ne, në Tirana Pride 2013. 

 

Mbështetësit Dhe Partnerët