AMBASADA PINK MERR PJESË NË PANAIRIN E 2-TË TË ORGANIZATAVE RINORE

7 Dhjetor 2016 – Ambasada Pink ditën e sotme morri pjesë në Panairin e dytë organizuar nga Rrjeti Kombëtar i të Rinjve në Shqipëri, Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Shërbimi Kombëtar i Rinisë, Lidershipi i të Rinjve të Tiranës dhe Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile, me mbështetjen e Olof Palme International Centre, CRCA Shqipëri dhe Muzeut Historik Kombëtar, në kuadër të fuqizimit dhe mbështetjes që japin për organizatat rinore të shoqërisë civile në Shqipëri.

Ky panair, në të cilin morën pjesë mbi 55 organizata, grupime, rrjete forume politike rinore nga e gjithë Shqipëria dhe Kosova, kishte për qëllim të krijonte një hapësirë të hapur ndaj organizatave rinore të shoqërisë civile, forumeve politike rinore, të rinjve, rrjeteve rinore dhe komunitetit të gjerë në të gjithë Shqipërinë për të informuar, ngritur ura bashkëpunimi ndërmjet tyre, si dhe për të nxitur marrëveshje bashkëpunimi mes aktorëve lokalë, qëndrorë dhe donatorëve të ndryshëm.

Ambasada Pink pati mundësinë gjatë panairit të ndante me pjesëmarrësit informacione dhe materiale mbi situatën e komunitetit LGBTI në Shqipëri. Ne këtë event përfaqësues të Ambasadës Pink ndanë me të pranishmit, donatorët dhe të rinjtë informacion të gjërë mbi inisiativën e Ambasadës Pink dhe luftës ndaj bulizmit dhe ngacmimeve homofobike dhe transfobike, zbatuar këtë vit me mbështetjen e Programit të Granteve të Vogla të Ambasadës Amerikane.

Pavarësisht se vitet e fundit ka një rritje të aktivizmit rinor në vend, përmes krijimit të organizatave të ndryshme rinore, përsëri qëndrueshmëria e tyre mbetet e brishtë për shkak të mungesës së informacionit dhe aksesit që këto organizata rinore kanë në fondet e donatorëve të ndryshëm.

Panairi i Organizatave Rinore u organizuar në dy sesione: Në sesionin e mëngjesit, i cili filloi në orën 11:00, OSHC-të rinore dhe forumet politike rinore u takuan me donatorë, institucione publike dhe të rinj nga e gjithë Shqipëria, për të informuar dhe ndarë arritjet e tyre, programet si dhe çështjet më shqetësuese rinore. Përgjatë sesionit të 1-rë, Ambasada PINK realizoi prezantime dhe takime speed-date me përfaqësues të institucioneve dhe të rinj, të cilët shprehen interes rreth punës dhe programit që Ambasada ka.

Në sesionin e pasdites, cili filloi në orën 19:00, OSHC-të rinore u takuan me Ministrat e Rinisë së Ballkanit dhe zyrtarë, të cilët u mblodhën në Shqipëri për të formalizuar hapjen në Tiranë të RYCO (Zyrës Rajonale të Bashkëpunim Rinor për Ballkanin Perëndimor). Qëllimi i këtij sesioni ishte të informonte politikanët e Ballkanit Perëndimor mbi punën e madhe që organizatat rinore të shoqërisë civile bëjnë në Shqipëri në mbështetje të të rinjve, si dhe nevojën e mbështetjes dhe fuqizimit të një pune të tillë.

Në këtë Panair morën pjesë donatorë, ambasada, biznese të ndryshme, institucione të pushtetit lokal dhe qëndror ku u takuan me organizatat, grupimet rinore, forumet politike rinore për të bashkëbiseduar mbi misionin, aktivitetet, punën dhe iniciativat e këtyre të fundit, të cilat në shumicën e rasteve janë të organizuara në mënyrë vullnetare.

Për më shumë informacion ju lutem kontaktoni: [email protected]; 00355 4 2265741


Fotot e plota nga eventi: https://www.facebook.com/media/set/?set=oa.1161038947278289&type=3

Mbështetësit Dhe Partnerët