Ambasada PINK mirëpret konferencën rajonale “Të drejtat LGBT në Ballkanin Perëndimor – Arritje dhe Sfida”

20 Mars 2013 - Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri në bashkëpunim me COC Hollandë dhe me mbështetjen financiare të programit MATRA të Mbretërisë së Vendeve të Uleta mirëpritën në Tiranë, në datat 18 dhe 19 Mars, Konferencën Rajonale me tematikën “Të drejtat LGBT në Ballkanin Perëndimor – Arritje dhe Sfida”.

Konferenca mirëpriti organizata LGBT nga i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor. Konkretisht organizatat Libertas nga Kosova, LGBT United nga Maqedonia, LGBT Forum Progres nga Mali i Zi, Labris nga Serbia dhe Sarajevo Open Centre nga Bosnja dhe Herzegovina ndanë dy ditë intensive pune ku u diskutuan çështje të tilla si aktivizmi, bashkëpunimi rajonal, puna me institucionet, siguria etj. Përfaqësues nga COC Hollandë, ILGA-Europe, Komitetit Hollandez i Helsinkit dhe Certti Diritti ishin gjithashtu të pranishëm në konferencë.

Në ceremoninë hapëse të konferencës, morrën pjesë përfaqësuesit e të gjitha institucioneve kryesore në vend të impenjuara për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të njeriut. Të pranishëm ishin Znj. Klajda Gjosha, Zv. Ministre e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Z. Martin de la Beij, Ambasador i Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në Shqipëri, Znj, Irma Baraku, Komisionere për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Znj. Anila Nepravishta, Komisionere pranë Zyrës së Avokatit të Popullit, Znj. Christine Moro, Ambasadore e Francës në Shqipëri, Z. Marko Leiddeker, Përfaqësues i Këshillit të Europës në Shqipëri, Z. Habit Hajredini, Drejtor i Drejtorisë së të Drejtave të Njeriut dhe Qeverisjes së Mirë në Qeverinë e Republikës së Kosovës, si dhe shumë përfaqësues të tjerë nga trupat diplomatike, institucionet publike, organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, aktivistë, media etj.

Në fjalimin e saj Znj. Gjosha, evidentoi rolin e Qeverisë së Shqipërisë dhe punën e Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe luftën kundër diskriminimit, duke veçuar këtu Planin e Masave për mos-diskriminimin të kësaj ministrie. Ndër të tjera ajo theksoi se pavarësisht se kushtetuta jonë garanton të drejtat e qytetarëve LGBT ashtu si çdo qytetar tjerët, shpesh ata ndeshen me intolerancë në familjen e tyre dhe në shoqëri. Prandaj edhe ndërgjegjësimi qytetar për çështje të tilla është shumë i nevojshëm. Ajo evidentoi gjithashtu edhe ndryshimet e rëndësishme që janë propozuar së fundmi në Kodin Penal dhe atë të Punës në mbrojtje të komunitetit LGBT.

Në fjalimin e tij, Z. Martin de la Beij, Ambasador i Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, përmendi sfidat e shumta me të cilat përballet shoqëria jo vetëm në Shqipëri por edhe në Hollandë ku sfidat mbi çështje të tilla si adoptimi ekzistojnë mes komuniteve të huaja që jetojnë në këtë vend.

Në fjalimet e tyre Zyrat e Komisioneres për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Avokatit të Popullit ndanë punën e këtyre institucioneve në luftën kundër diskriminimit dhe në mbrojtjen e të drejtave të komunitetit LGBT.

Z. Hajredini nga Qeveria e Kosovës, u shpreh gjithashtu se në projektet e saj të ardhshme kjo e fundit do të përfshijë edhe mbrojtjen e komunitetit LGBT.

Ndërkohë, Z. Altin Hazizaj, Ambasador i Parë pranë PINK, theksoi se shumë shpesh debati mbi të drejtat LGBT diskutohet si i ndarë nga të drejtat e njeriut, dhe të drejtat e personave LGBT shpesh trajtohen si “privilegje”, çka është një koncept i gabuar dhe që duhet të ndryshohet.

Konferenca ishte një mundësi shumë e mirë për rritjen e ndërgjegjësimit të institucioneve publike, ndarjen e praktikave të mira dhe evidentimin e disa prej sfidave kryesore me të cilat kjo lëvizje përballet në Shqipëri por edhe në vendet e tjera të rajonit.

Organizatat LGBT, vijuan punën me prezantime individuale duke dhënë kështu një panoramë shumë më të qartë mbi natyrën e problematikave që lëvizja LGBT dhe aktivistët e saj hasin në vende të ndryshme. Nga prezantimet dhe diskutimet e njëpasnjëshme u kuptua se në fakt, lëvizja LGBT në rajon ka më shumë ngjashmëri se sa ndryshime. Problemet me homofobinë dhe transfobinë duken të lidhura ngushtë me mungesën e informacionit dhe dijeve mbi çështjet e seksualitetit dhe homofobisë. Shpesh institucionet edhe pse kanë kompetencat dhe burimet e duhura për të luftuar diskriminimin apo krimet e urrejtjes nuk kanë motivimin apo dijet e duhura për të kuptuar çështjet që shqetësojnë këtë komunitet. Dhuna ndaj personave LGBT mbetet shpesh e pa raportuar nga këta të fundit, e ndërkaq hetimet policore shumë shpesh ose nuk nisin ose nuk marrin parasysh komponentin LGBT. Prezantimet, idetë dhe eksperiencat e ndara treguan se lëvizja LGBT, në të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, mund të bëjë më shumë në rritjen e përgjegjshmërisë institucionale në mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave, lirive dhe sigurisë së personave LGBT.

Kjo konferencë gjithashtu do të hapë rrugën për më shumë koordinim dhe bashkëpunim mes organizatave të rajonit për të identifikuar problemet e përbashkëta dhe për të gjetur zgjidhje sa më efektive falë edhe mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë dhe lokalë, mbështetja dhe ndihma e të cilëve kanë qenë shumë të rëndësishme për komunitetin LGBT.

Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri falenderon të gjithë organizatat rajonale, institucionet publike dhe parnterët e saj për punën e palodhshme dhe mbështetjen e tyre në realizimin e një konference kaq të rëndësishme për komunitetin LGBT në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. 

Mbështetësit Dhe Partnerët