Ambasada PINK prezanton çështjen LGBTI në shkollat e mesme të Tiranës

7 Tetor 2015 - Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri zhvilloi në datat 1, 5 dhe 6 Tetor leksionet e para për tematikën LGBTI me mësuesit e Shkollave të Mesme të Përgjithshme “Abdulla Keta”, “Besnik Sykja” dhe “Aleks Buda” në qytetin e Tiranës. Trainimet u zhvilluan me mësues të shkencave shoqërore e të natyrës dhe u ndoqën nga rreth 50 mësues të këtyre shkollave.

Të mbajtura në kuadër të iniciativës “Përmirësimi i jetës së personave LGBTI në nivel lokal” dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe Drejtorinë Arsimore Rajonale të Tiranës, trainimet synonin të informonin dhe mbi të gjitha diskutonin me mësuesit konceptet, problematikat dhe sfidat që personat LGBTI hasin në shoqëri. Siç kuptohet vëmendje e veçantë iu kushtua të rinjve LGBTI dhe problemeve me bulizmin dhe diskriminimin në mjediset shkollore.

Trainimet nxorrën në pah një sërë çështjesh dhe sfidash që lidhen me pozicionimin dhe qëndrimin zyrtar të shkollave, perceptimet dhe opinionet personale të mësuesve dhe sfidat e karakterit institucional dhe të politikave arsimore mbi këtë çështje në veçanti dhe ato të diskriminimit në përgjithësi.

Në aspektin e qëndrimit profesional u vërejt se mësuesit e kanë praktikë pune, detyrim ligjor dhe profesional që të shmangin diskriminimin, ta luftojnë atë dhe të adresojnë me drejtuesit e tyre çdo çështje dhe problem, përfshi edhe ato që mund të lidhen më këtë komunitet.

Në aspektin e qëndrimeve dhe mendimeve personale u vërejt se vetëm 2 nga 50 mësuesit e pranishëm kishin marë pjesë më herët trainime mbi te drejtat LGBTI, edhe këto të zhvilluara në kontekstin e barazisë gjinore dhe të drejtave të njeriut. Shumë mësues ishin kundër promovimit të të drejtave LGBT, dhe kishin paragjykime dhe mendime negative për personat me orientim jo-heteroseksual dhe personat transgjinorë. Për mjaft prej tyre këto trainime ishin të panevojshme ndërkohë që terminologjia e shumicës prej tyre ishte e gabuar dhe jo e përshtatshme në adresimin e këtij komuniteti. Disa mësues argumentonin se orientimi jo-heteroseksual është devijim dhe e cilësonin të qenurit gej apo lesbike si anomali.

Duke qenë të parat trainime me mësues të shkollave të mesme që mbulojnë tematikën LGBTI ato evidentuan disa çështje të rëndësishme të tilla si:

  • Krijimi nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit e një moduli trainimesh për tematikën LGTBI, çertifikimi i trainuesve LGBT dhe kreditimi i mësuesve që marrin pjesë në këto trainime. Në këtë mënyrë koha e shpenzuar nga mësuesit dhe dija e fituar në këto trainime njihet edhe nga institucionet e arsimit;
  • Përfshirja e tematikës LGBTI dhe çështjeve të orientimit seksual e identitetit gjinor në kurrikulën universitare të studentëve të ciklit të ulët  dhe kriteret e kualifikimit të mësuesve të ardhshëm;
  • Trajtimi dhe përfshirja e tematikës LGBTI si çështje e të drejtave të njeriut në kurrikulat mësimore në Shqipëri;
  • Plan komunikimi dhe ndërgjegjësimin mbi diskriminimin, bulizmin dhe trajtimin e diferencuar për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor.  

Nga prezantimet dhe shkëmbimet me mësuesit u kuptua se të qenurit LGBTI nuk perceptohet si pjesë e sistemit të vlerave që mësuesit mund të mbrojnë apo mbështesin në mjedisin shkollor çka tregon se reforma arsimore duhet ta adresojë me prioritet të lartë çështjen e mbrojtjes nga diskriminimi dhe bulizmi si dhe rritjen e ndërgjegjësimit dhe informimit profesional dhe të përshtatshëm mbi tematikën LGBTI.

Iniciativa “Përmirësimi i jetës së personave LGBTI në nivel lokal” po zbatohet në qytetet e Tiranës, Elbasanit, Durrësit, Korçës, Vlorës dhe Shkodrës. Në ditët dhe javët në vazhdim Ambasada PINK do të zhvilloje trainime dhe prezantime të tematikës LGBTI me mësues dhe punonjës psiko-socialë të shkollave të mesme të qyteteve të mësipërme.

Pjesë e kësaj iniciative do të jetë edhe një studim mbi perceptimet e mësuesve dhe nxënësve mbi diskriminimin dhe bulizmin si dhe një fushatë ndërgjegjësimi anti-bulizëm me shkollat e mesme.

Ambasada PINK / LGBT Pro falenderon përzemërsisht Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe Drejtoritë Arsimore Rajonale të qyteteve të mësipërme dhe konkretisht drejtuesit e shkollave të mesme të Tiranës për mbështetjen në zhvillimin e këtyre aktiviteteve ndërgjegjësuese. Këto  iniciativa janë historike dhe të një vlere të veçantë për vendin tonë dhe PINK vlerëson vullnetin e Qeverisë së Shqipërisë për të nisur punën në luftimin e diskriminimit dhe bulizmit në shkollat shqiptare.

Gjithashtu më herët në datën 7 Maj të këtij viti Parlamenti i Republikës së Shqipërisë miratoi Rezolutën “Për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të personave që i përkasin komunitetit LGBT”. Ndër të tjera Kuvendi “nxit Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve që të trajnojnë stafin mësimor për mbrojtjen më të mirë  të të drejtave të personave LGBTI, me qëllim moslejimin e çdo forme diskriminimi të tyre për shkak të orientimit seksual ose identitetit gjinor, zhvillimin e veprimtarive kulturore kundër homofobisë në institucionet arsimore, me pjesëmarrjen edhe të përfaqësuesve të komunitetit LGBTI”.

Gjithashtu Ministria e Arsimit dhe Sportit ka marrë pjesë aktive në draftimin e Planit të ri të Masave për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të personave LGBTI nga diskriminimi (2016-2020) i cili po përgatitet aktualisht nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe që pritet të kthehet brenda këtij viti në Plan Kombëtar veprimi me Vendim të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë.  

Mbështetësit Dhe Partnerët