Ambasada PINK prezanton çështjen LGBTI në shkollat e mesme të Shkodrës

Shkodër, 17 Shkurt 2016 - Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri me mbështetjen e Bashkimit Europian zhvilloi ditën e sotme leksionin për tematikën LGBTI me mësuesit dhe psikologët e Shkollave të Mesme të Përgjithshme të qytetit të Shkodrës. Trainimi u zhvillua me mësues të shkencave shoqërore, të natyrës dhe psikologë të këtyre shkollave.

Ky trainim u mbajt në kuadër të iniciativës “Përmirësimi i jetës së personave LGBTI në nivel lokal” dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe Drejtorinë Arsimore Rajonale të Shkodrës dhe synoi të informoi dhe mbi të gjitha të diskutojë me mësuesit dhe psikologët konceptet, problematikat dhe sfidat që personat LGBTI hasin në shoqëri. Siç kuptohet vëmendje e veçantë iu kushtua të rinjve LGBTI dhe problemeve me bulizmin dhe diskriminimin në mjediset shkollore.

Trainimi nxorri në pah një sërë çështjesh dhe sfidash që lidhen me pozicionimin dhe qëndrimin zyrtar të shkollave, perceptimet dhe opinionet personale të mësuesve e psikologëve dhe sfidat e karakterit institucional dhe të politikave arsimore mbi këtë çështje në veçanti dhe ato të diskriminimit në përgjithësi.

Në aspektin e qëndrimit profesional u vërejt se mësuesit e kanë praktikë pune, detyrim ligjor dhe profesional që të shmangin diskriminimin, ta luftojnë atë dhe të adresojnë me drejtuesit e tyre çdo çështje dhe problem, përfshi edhe ato që mund të lidhen më këtë komunitet.

Nga prezantimet dhe shkëmbimet me mësuesit dhe psikologët u kuptua se të qenurit LGBTI nuk perceptohet si pjesë e sistemit të vlerave që mësuesit mund të mbrojnë apo mbështesin në mjedisin shkollor çka tregon se reforma arsimore duhet ta adresojë me prioritet të lartë çështjen e mbrojtjes nga diskriminimi dhe bulizmi si dhe rritjen e ndërgjegjësimit dhe informimit profesional dhe të përshtatshëm mbi tematikën LGBTI.

Iniciativa “Përmirësimi i jetës së personave LGBTI në nivel lokal” po zbatohet në qytetet e Tiranës, Elbasanit, Durrësit, Korçës, Vlorës dhe Shkodrës. Pjesë e kësaj iniciative do të jetë edhe një studim mbi perceptimet e mësuesve dhe nxënësve mbi diskriminimin dhe bulizmin si dhe një fushatë ndërgjegjësimi anti-bulizëm me shkollat e mesme.

Ambasada PINK / LGBT Pro falenderon përzemërsisht Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe Drejtorinë Arsimore Rajonale të Shkodrës konkretisht drejtuesit e shkollave të mesme të qytetit të Shkodrës për mbështetjen në zhvillimin e këtyre aktiviteteve ndërgjegjësuese.

Për më shume informacion kontaktoni në: [email protected]; Tel: 04 2265741 

Mbështetësit Dhe Partnerët