Ambasada Pink prezanton tematikën LGBT për shkollat e mesme të Vlorës

29 Janar 2016, Vlorë - Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri me mbështetjen e Instrumentit Evropian për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut zhvilloi sot në sallën e shkollës së mesme “Ali Demi’ trainimin “Të drejtat LGBTI dhe mbrojtja nga bulizmi”. Trainimi u zhvillua me mësues të shkencave shoqërore e të natyrës dhe psikologë të shkollave të mesme të qytetit të Vlorës “Ataturk”, “Halim Xhelo’, “Ali Demi”.

Ky trainim u mbajt në kuadër të iniciativës “Përmirësimi i jetës së personave LGBTI në nivel lokal” dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe Drejtorinë Arsimore Rajonale të Vlorës, dhe synoi të informojë dhe mbi të gjitha të diskutojë me mësuesit dhe psikologët konceptet, problematikat dhe sfidat që personat LGBTI hasin në shoqëri. Siç kuptohet vëmendje e veçantë iu kushtua të rinjve LGBTI dhe problemeve me bulizmin dhe diskriminimin në mjediset shkollore.

Trainimet nxorrën në pah një sërë çështjesh dhe sfidash që lidhen me pozicionimin dhe qëndrimin zyrtar të shkollave. Ata pranuan se nuk kishin marrë pjesë më parë në trainime për tema të tilla, madje disa prej tyre mbajtën qëndrime jo pozitive duke u larguar nga salla. Shumë mësues shprehën dyshimet e tyre në lidhje nevojën për ndërgjegjësimin e stafeve arsimore për të drejtat LGBT, duke shprehur paragjykime dhe mendime negative për personat me orientim jo-heteroseksual dhe personat transgjinorë.

Në aspektin e qëndrimeve dhe mendimeve personale u vërejt se pjesa tjetër e tyre shfaqen interes të qëndronin e të merrnin informacion por duke mohuar që në shkollën e tyre të ketë patur raste diskrimini. Vetëm një nga 30 të pranishmit në trainim pranuan që kishin marrë pjesë më herët trainime mbi te drejtat LGBTI, edhe këto të zhvilluara në kontekstin e barazisë gjinore dhe të drejtave të njeriut.

Në fund të trainimit një pjesëmarrëse ndau me të pranishmit eksperiencën e saj me dy raste bulizmi në shkollë, në një hark kohor dhjetë vjeçar. Ajo shprehu se mungesa e informacionit dhe ndërgjegjësimit në lidhje me ngacmimin dhe bulizmin me bazë homofobinë, kishte bërë të vështirë mbështetjen e të rinjve si përpara 10 vjetësh, po edhe sot.

Ambasada PINK / LGBT Pro falenderon përzemërsisht Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe Drejtorinë Arsimore Rajonale të qytetit të Vlorës, si dhe drejtuesit dhe mësuesit e shkollave për mbështetjen në zhvillimin e këtyre aktiviteteve ndërgjegjësuese. Këto  iniciativa janë historike dhe të një vlere të veçantë për vendin tonë dhe PINK vlerëson vullnetin e Qeverisë së Shqipërisë për të nisur punën në luftimin e diskriminimit dhe bulizmit në shkollat shqiptare.

Për më shume informacion kontaktoni në: [email protected]; Tel: 04 2265741 

Mbështetësit Dhe Partnerët