Ambasada PINK propozon ndryshime në Kodin Penal

15 Shkurt 2013 - Ambasada PINK/LGBT Pro Shqipëri ka dorëzuar së fundmi pranë zyrës së Avokatit të Popullit propozime për disa ndryshime në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë. Këto propozime synojnë të sjellin disa ndryshime specifike në lidhje me vepra penale të kryera ndaj personave të komunitetit LGBT.

Dokumenti, i paraqitur nga Ambasada PINK vë theksin tek disa nga problemet kyçe që prekin komunitetin LGBT sot në Shqipëri, të tilla si krimet e urrejtjes, nxitja e urrejtjes dhe gjuha e urrejtjes në mediat sociale.

Duke i identifikuar si shumë të domosdoshme, Ambasada PINK ka propozuar që në motivet e kryerjes së një vepre penale (neni 50) përkrah gjinisë, racës, ngjyrës dhe etinsë të shtohen edhe identiteti gjinor dhe orientimi seksual. Përkrah këtij ndryshimi është propozuar që të bëhen shtesa edhe në lidhje me me nxitjen e urrejtjes dhe thirrjeve për urrejtje nacionale (nenet 265 dhe 266) në të cilat të parashikohen si të dënueshme edhe ato që bëhen për shkak të orientimi seksual apo identitetit gjinor të një individi apo grupi individësh.

Më tej, një ndryshim shumë i rëndësishëm i cili do mund të adrresojë fyerjen dhe fjalimet e urrejtjes në mediat sociale është ai i Nenit 119/b në të cilin parashikohen ndëshkime për fyerjen e qëllimshme publike, nëpërmjet sistemit kompjuterik që i bëhet një personi për shkak të përkatësisë etnike, kombësisë, racës apo fesë ku të përfshijë edhe orientimin seksual dhe identitetin gjinor.

Ambasada PINK/LGBT Pro Shqipëri i konsideron ndryshimet e propozuara më sipër të një vlere dhe rëndësie të veçantë për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të komunitetit LGBT në vend. Fjalimet e urrejtjes në mediat sociale, nxitja e urrejtjes kombëtare kundër këtij komuniteti si dhe krimet e urrejtjes të motivuara nga orientimi seksual dhe identitei gjinor janë një realitet në Shqipëri, dhe kjo kërkon që ligji shqiptar të marrë masat e duhura për mbrojtjen e të gjithë qytetarëve që i përkasin këtij komuniteti.

 

Mbështetësit Dhe Partnerët