Ambasada PINK takim pune në Bashkinë e Korçës

18 Prill 2013 - Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri zhvilloi një takim pune pranë Bashkisë së qytetit të Korçës, me Kryetarin e saj, Z. Niko Peleshi dhe përfaqësues të zyrave të ndryshme brenda këtij institucioni. E konsideruar si kryeqëndra e Shqipërisë juglindore, dhe një nga qytetet më të mëdha në vend, ky takim ishte i pari në llojin e vet që prekte tematikën LGBT dhe rolin që pushteti vendor dhe institucionet e këtij rajoni mund të luajnë në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të këtij komuniteti.

Ambasadori i Parë i PINK, Z. Altin Hazizaj fillimisht e falenderoi Z. Peleshi dhe stafin e tij për pritjen dhe duke i dhënë mundësinë organizatës të adresojë nevojat dhe çështjet e komunitetit LGBT në këtë rajon. Ai dhe grupi i PINK prezantuan pranë kryebashkiakut disa nga iniciativat më të rëndësishme të lëvizjes LGBT si Manifestin drejtuar pushteteve vendore në të gjithë vendin, publikimet e ndryshme kërkimore dhe informuese dhe raportin e shkeljeve të të drejtave të komunitetit LGBT. Ai gjithashtu specifikoi disa nga detyrimet që i lindin pushtetit lokal prej Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe fushatat e ndryshme që mund të ndërmeren nga pushteti lokal në këtë kuadër.

Duke u njohur më nga afër me projektet sociale dhe iniciativat e ndryshme pilot të Bashkisë së Korçës me qëllim përmirësimin e jetesës së komuniteteve të ndryshme, Ambasada PINK i ofroi Bashkisë së Korçës kapacitetet dhe iniciativat e saj për të patur mundësi ti afrohet komunitetit LGBT në këtë rajon përmes aktiviteteve të ndryshme informuese, ndërgjegjësuese dhe formuese. Ambasada PINK prezantoi gjithashtu iniciativën e saj më të fundit e cila synon shndërimin e qyteteve kryesore në vend në mjedise miqësore dhe pranuese për komunitetin LGBT.

Kryetari i Bashkisë së Korçës Z. Niko Peleshi si fillim sqaroi se Bashkia që ai drejton nuk i trajton çështjet e komuniteteve në mënyrë hierarkike por merret me çdo cështje që shqetëson qytetarët. Ai sqaroi se ndërkohë që në të shkuarën bashkitë kishin mundësi të pakta dhe një listë emergjente problemesh, tani ka ardhur koha për të zgjidhur çdo problem përmes projekteve sociale.

Z. Peleshi dhe stafi i tij ishin të ndërgjegjshëm se për arsye të qarta komuniteti LGBT nuk ka as zërin dhe vizibilitetin e duhur në këtë territor për të zhvilluar aktivitete sa më gjithëpërfshirëse prandaj edhe sugjeroi se duke patur parasysh se Bashkia e Korçës, ka një zyrë për të drejtat e komuniteteve, atëherë ajo do jetë e hapur të punojë në fushat e promovimit të të drejtave të këtij komuniteti dhe në fushën e mbrojtjes së tyre nga diskriminimi dhe problemet e tjera që mund të hasin në jetën e përditshme.

Me konkretisht u ra dakord që Ambasada PINK të ofrojë një trajnim për stafin e zyrës së të drejtave të njeriut pranë Bashkisë së Korçës si dhe u pa mundësia e realizimit të aktiviteteve kulturore që mund të rrisin sensibilizimin e shoqërisë për këtë temë.

Ambasada PINK e falenderojnë përzemërsisht Bashkinë e Korçës për mikëpritjen dhe për zhvillimin e një takimi shumë të frutshëm, duke treguar edhe njëherë vlerat e këtij qyteti dhe mbështetjen profesionale dhe vizionare që ai i jep grupeve sociale vulnerabël dhe në nevojë.

Mbështetësit Dhe Partnerët