Ambasada PINK takohet me Bankën Botërore në Washington

30 Prill 2014 – Drejtori Ekzekutiv i Shtëpisë së të Drejtave të Njeriut në Shqipëri dhe Presidenti i Bordit të Ambasadës PINK / LGBT Pro Shqipëri Z. Altin Hazizaj mori pjesë, në datat 6-12 Prill, në takimin konsultues të Bankës Botërore mbi çështje të orientimit seksual dhe identitetit gjinor (SOGI) në washington, SHBA. Aktivitetet u zhvilluan në kuadër të përpjekjeve të Bankës Botërore për t’iu bashkuar nismave globale në luftën kundër diskriminimit për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor.

Takimet e punës u zhvilluan me Presidentin e Bankës Botërore Z. Jim Kim si dhe Drejtorin Ekzekutiv për Shqipërinë, Italinë dhe Greqinë Z. Piero Cipollone. Pjesë e aktiviteteve ishin edhe një seancë dëgjimore në Kongresin Amerikan, një tryezë pune me kongresmenë të ndryshëm dhe takimi me përfaqësues të Administratës së Presidentit të SHBA-ve, Barak Obama.

Aktivistët LGBTI vinin nga pjesë të ndryshme të botës si Shqipëria, Polonia, India, Libani, Brazili, Nigeria, Uganda, Filipinet, Kina, Rusia, Meksika, Kosta Rika dhe Guiana. Ata mundën të ndajnë historitë e diskriminimit dhe persekutimit që personat LGBTI vuajnë mbi baza të orientimit seksual dhe identitetit gjinor. Takimet shërbyen për të ndarë perspektivat e punës që aktivistët bëjnë në vendet e tyre dhe sfidat që hasen për shkak të shtypjes dhe diskriminimit sistematik.

Në shumë vende të botës, Banka Botërore financon projekte në fushën e shëndetësisë, uljes së varfërisë dhe asistencës ndaj refugjatëve. Por për shkak të ligjeve që kriminalizojnë homoseksualitetin ose mungesës së praktikave të mira shumë nga këto fonde nuk shkojnë për pjesë vulnerabël të shoqërisë siç mund të jenë edhe personat LGBT. Aktivistët patën mundësinë të evidentojnë se shpesh fytyrat e varfërisë në vende të ndryshme të botës, përfshi edhe Shqipërinë, janë minoritetet seksuale si klasa të përjashtuara dhe diskriminuara në mjedisin e punës, arsim, shërbimet shëndetësore dhe mbështetjen financiare çka rezulton në veçimin e mëtejshëm të personave LGBT.

17 anëtarë të Bordit të Drejtorëve Ekzekutivë u takuan me aktivistët për tu njohur me kërkesat e tyre, prej të cilave kryesorja ishte angazhimi i mëtejshëm i BB-re jo vetëm në adresimin e diskriminimit kundër grave dhe personave LGBT por gjithashtu edhe në lehtësimin e hulumtimeve mbi pasojat e diskriminimit.

Së shpejti BB do të përgatisë një model të ri investimi në nivel global, ku ndër të tjera do kërkojë më shumë angazhim dhe përpjekje të shteteve për zhvillimin dhe përparimin e njerëzve pavarësisht orientimit të tyre seksual apo identitetit gjinor.

Mbështetësit Dhe Partnerët