Ambasada PINK takon kryebashkiakun e Elbasanit

4 Mars 2013 – Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri kapërcen kufijtë e Tiranës, në një takim të parë pune pranë Bashkisë së Elbasanit, me kryetarin e saj Z. Qazim Sejdini. Të pritur prej tij në mjediset e bashkisë së qytetit përfaqëuesit e PINK mundën të prezantonin kauzën e komunitetit LGBT në vend, të ndanin disa informacione të rëndësishme mbi këtë temë dhe të përcillnin kërkesat e komunitetit LGBT për pushtetin vendor, përmes një manifesti zyrtar të realizuar disa kohë më parë nga pjesëtarë aktivë të këtij komuniteti në vend përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2011.

Z. Altin Hazizaj, Ambasador i organizatës, falenderoi Z. Sejdini për mikpritjen, duke thyer kështu kufijtë e kryeqytetit dhe duke i dhënë mundësi komunitetit LGBT të kësaj zone të Shqipërisë të ndihen të vlerësuar dhe të mirëpritur nga Bashkia e tyre. Edhe pse këto janë vetëm fillimet e një pune të gjatë informuese dhe sensibilizuese, Z. Hazizaj u shpreh shumë i kënaqur, që pas vitesh pune dhe përpjekje, tani drejtuesit e qendrave të tjera të rëndësishme urbane të vendit, mund të informohen mbi çështjet LGBT dhe të përpiqen që edhe pse gradualisht ti paraqesin ato në punën e tyre.

Z. Sejdini nga ana e tij, përkrah falenderimeve dhe urimeve për punën kurajoze dhe të vështirë të komunitetit LGBT duke marrë parasysh rolin e Tiranës si një vend nga burojnë reforma dhe ndryshime shumë të rëndësishme për vendin, vuri në dukje edhe sfidat me mentalitetin dhe diskriminimin sidomos në mjedise ku çështja LGBT nuk ka mundur të njihet e diskutohet më parë. Ai gjithashtu se në gjithë këto vite punë, si politikan dhe drejtues lokal, nuk ka hasur në persona LGBT të cilët mund të flasin hapur për orientimin e tyre seksual dhe të kërkojnë të drejtat e tyre, çka e bën të vështirë që kjo çështje të njihet dhe kuptohet nga qytetarët.

Asnjë parti politike, shtoi Z. Sejdini, nuk e ka përfshirë ende në programin e saj politik kauzën LGBT, prandaj edhe puna e organizatave LGBT është për tu vlerësuar.

Në fund të komenteve të tij kryebashkiaku i Elbasanit u tregua i gatshëm që pavarësisht mentalitetit të vështirë dhe paragjykimeve të trashëguara, Bashkia e këtij qyteti do të jetë e hapur të ofrojë ndihmë për pjesëtarët e këtij komuniteti ashtu si për çdo qytetar tjetër me të drejta dhe detyrime.

Z. Hazizaj e falenderoi sërish Z. Sejdini për komentet dhe për mbështetjen e Bashkisë së Elbasanit duke shpresuar në zhvillimin e aktiviteteve sensibilizuese dhe në ofrimin e mundësive dhe shanseve të barabarta për personat LGBT.

Së bashku me përfaqësuesit e Ambasadës PINK, në takim ishte e pranishme Znj, Amarda Çoku, eksperte ligjore pranë Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi e cila nga ana e saj vlerësoi mbështetjen e Bashkisë së Elbasanit në luftën kundër diskriminimit, duke nënshkruar një memorandum bashkëpunimi dhe duke punuar për të luftuar paragjykimet ndaj të gjitha grupeve të diskriminuara dhe margjinalizuara në vend.

Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri dëshiron të falenderojë përzemërsisht Z. Qazim Sejdini dhe stafin e tij për mbështetjen e dhënë dhe për çeljen e një hapi të ri në lëvizjen LGBT në Shqipëri, duke shpresuar dhe uruar që gradualisht personat LGBT, pavarësisht nëse jetojnë në qendër të Tiranës apo jashtë saj, në fshat apo qytet, në jug apo veri, të kenë ndihmën dhe mbështetjen e institucioneve ashtu si çdo qytetar tjetër i këtij vendi.

Mbështetësit Dhe Partnerët