Ambasada PINK takon organizatat LGBT të Kosovës në Tiranë

Stafi i Ambasadës PINK / LGBT Pro Shqipëri u takuan ditën e shtunë, 23 Shkurt 2013, me një grup organizatash që punojnë për të drejtat e komunitetit LGBT në Kosovë. Përfaqësues nga organizatat Libertas Kosova, të cilët ishin edhe organizatorë të udhëtimit studimor të grupit në Shqipëri, Elisum dhe QESH, vizituan zyrat e organizatës me qëllim njohjen nga afër të punës së organizatës dhe shkëmbimin e ideve.

Takimi ishte rezultat i përpjekjeve të shumta të aktivistëve LGBT nga dy vendet për të koordinuar aktivitetet e tyre dhe për të bashkëpunuar më shumë në projekte dhe aktivitete rajonale. Edhe pse shumë aktivistë nga dy grupet kishin patur mundësi të takohen në aktivitete të mëparshme kjo e fundit ishte një eksperiencë e vyer për të ndarë nga afër eksperiencën e punës së aktivistëve në Shqipëri dhe Kosovë. Diskutimet shpesh përballeshin me probleme të ngjashme dhe të ndryshme, në një frymë e cila nënkuptonte një nevojë për më shumë afrim dhe më shumë bashkëpunim.

Konkretisht, duke marrë parasysh trashëgiminë e përbashkët kulturore gjatë diskutimit u vunë re shumë ngjashmëri në lidhje me llojin e homofobisë që shfaq shoqëria si dhe sfidat që personat LGBT hasin në shoqëri. Në këtë sens ishte si të gjeje miq të vjetër dhe të bisedoje me ta për problemet e tua, por aq ata mund ti kuptonin poaq mirë sa ti.

Ambasada PINK dhe organizatat nga Kosova - Libertas, Qesh dhe Elisium - vendosën të mbajnë kontakte dhe të jenë të pranishëm në eventet dhe iniciativat respektive në mënyrë më aktive. Lëvizja LGBT në rajon është e lidhur ngushtë me dinamikat e vëndeve përkatëse, si vetë politika ballkanike. Prandaj dhe koordinimi i lëvizjeve LGBT në rajon si dhe shkëmbimi i eksperiencave dhe praktikave më të mira është mund të jetë një hap përpara për të gjithë rajonin.

Mbështetësit Dhe Partnerët