Ambasada PINK tani me një aplikacion për telefon

15 Korrik 2015 – Ambasada PINK / LGBT Pro ka prezantuar prej pak ditësh aplikacionin për telefonat inteligjentë (smart phones) të platformës android, për të gjithë përdoruesit LGBTI dhe mbështetësit e tyre në Shqipëri dhe kudo në botë. Aplikacioni është i disponuëshëm falas dhe mund të kërkohet me fjalët: Ambasada PINK ose PINK Embassy Google play store.

Ky aplikacion, i realizuar falë mbështetjes së Qeverisë së Kanadasë, synon të kthehet në një burim praktik dhe të vazhdueshëm informacioni dhe mbështetje për personat LGBTI kudo në Shqipëri, si dhe çdo person që mbështet këtë kauzë.

Aplikacioni jep informacion për më të rejat e fundit mbi çështjen LGBTI, eventet dhe aktivitetet që zhvillohen në vend, konceptet LGBTI, publikime mbi tema të ndryshme, shërbime, kontakte nga institucione publike etj. Aplikacioni është vetëm në fillimet e tij dhe nga dita në ditë do të pasurohet me më shumë të dhëna. Ndërkohë po brenda këtij viti aplikacioni do të bëhet i mundur edhe për përdoruesit e telefonave IOS.

Komuniteti LGBTI në Shqipëri e përdor median sociale më shpesh së çdo lloj mediumi tjetër për tu informuar, njohur me persona të tjerë të komunitetit etj. Tani çdo person që ka nevojë të dijë më shumë mbi lëvizjen LGBT në vend dhe të ketë informacion më direkt për çështje të ndryshme mund ti marë ato në çdo kohë falas përmes këtij aplikacioni.

Ambasada PINK fton të gjithë personat e komunitetit LGBTI dhe zyrtarët e institucioneve që punojnë për këtë temë të përdorin aplikacionin si një mjet praktik informacioni dhe komunikimi. Gjithashtu ne ftojmë të gjithë personat që kanë rekomandime apo sugjerime për këtë aplikacion të na shkruajnë në adresën [email protected]

Mbështetësit Dhe Partnerët