Bashkia, administrata publike dhe institucionet arsimore të Korçës angazhohen për çështjen LGBTI

Korçë, 5-6 Nëntor – Ambasada PINK zhvilloi në datat 5 dhe 6 Nëntor raundin e dytë të trainimeve me punonjësit dhe specialistët e Bashkisë Korçë, Drejtoritë Rajonale të Shëndetit Publik, Shërbimit Social, Policisë etj si dhe me punonjësit psiko-socialë dhe mësuesit e shkollave të mesme të qytetit. 

Rreth 60 ekspertë morrën informacion të detajuar mbi konceptet LGBTI, si dhe u njohën me gjetjet e studimit më të fundit që mat perceptimet e popullatës së përgjithshme dhe asaj LGBTI mbi çështjet e komunitetit LGBTI.

Sipas gjetjeve të studimit, vetëm 1 në 10 persona e di se çdo të thotë LGBTI në Shqipëri. 42% e prindërve shqiptarë mendojnë se homoseksualiteti është sëmundje që mund të kurohet dhe gati 40% e personave LGBTI ndihen të diskriminuar në mjedisin e punës. Këto statistika si dhe paragjykimet negative ndaj personave LGBTI kanë bërë që Ambasada PINK të punojë prej dy vitesh me 6 Bashki dhe Drejtoritë Arsimore Rajonale të qyteteveTiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër, Vlorë dhe Korçë.

Një nga pikat kryesore të trainimit me punonjësit e Bashkisë ishte përgatitja e një plani masash që kanë të bëjnë me uljen e gjuhës së diskriminimit dhe urrejtjes, rritjen së pranimit në shoqëri, mbrojtjes nga bulizmi dhe diskriminimi në shkolla, mbrojtjes në mjedisin e punës dhe atë familjar etj. Shumë persona LGBT bien pre e keqtrajtimit brenda familjes së tyre dhe shpesh problemet në familje ndikojnë në mirëqenien e tyre fizike dhe emocionale.

Ky draft plani masash do të jetë modeli i pare që Bashkia e Korçës mund të përdorë në të ardhmen e afërt për një mbrojtje më efektive të të drejtave të personave LGBTI.

Në muajt e ardhshëm, në një konference pune kombëtare Ambasada PINK / LGBT Pro do të kërkojë që këto plane masash të kthehen në aktivitete konkrete nga Bashkitë për mbrojtjen e komunitetit LGBTI. Gjithashtu duhet që Plani i Masave të Qeverisë së Shqipërisë për vitet 2015-2020 të reflektohet tek këto plane lokale.

Mbështetësit Dhe Partnerët