Bashkitë angazhohen për avancimin e të drejtave LGBT

Ambasada PINK, Bashkitë, Ministritë dhe institucionet e të drejtave të njeriut angazhohen për përmirësimin e jetës së personave LGBT në nivel komunitar

13 Nëntor 2014 – Ambasada PINK / LGBT Pro, nënshkroi Marrëveshjet dhe Memorandumet e Bashkëpunimit me Bashkitë e qyteteve Tiranë, Durrës, Elbasan, Vlorë, Korçë dhe Shkodër. Kjo ishte një ditë historike për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të komunitetit LGBT në vend, sepse shënon brenda pak vjetësh integrimin e kauzës LGBT në nivelin vendor, çka e afron atë edhe më shumë me komunitetin.  

Kjo iniciativë, i cila po zbatohet nga Ambasada PINK në bashkëpunim me Avokatin e Popullit dhe Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe mbështetjen e Bashkimit Europian, synon të përmirësojë cilësinë e jetës së personave LGBT në nivel komunitar. Takimi u ndoq dhe u përshëndet nga përfaqësues të institucioneve qëndrore si Znj. Nora Malaj zv. Ministre e Arsimit dhe Sportit, Znj. Merita Xhafaj, Drejtore e Përgjithshme e Politikave Sociale, Z. Igli Totozani, Avokat i Popullit, Znj. Ardiana Hala, Këshilltare pranë Komisioneres për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe përfaqësuesit e Bashkive Z. Arben Beqiraj, nën kryetar i Bashkisë Vlorë, Znj. Antoneta Prifti, nën Kryetare e Bashkisë Elbasan, Znj. Afërdita Zëri, Këshilltare e Kryetarit të Bashksië Tiranë, Znj. Meme Xhaferaj, Drejtore e Shërbimit Social, Bashkia Durrës, Znj. Jeta Xhabija, Specialiste pranë Bashkisë e Marrëdhënieve me Komunitetin Bashkia Shkodër, Znj. Mamica Muko, Specialiste në Zyrën e Mbrojtjes së Komunitetit, Bashkia Korçë, etj.

Nënshkrimi i marrëveshjeve ishte rezultati i disa takimeve të punës dhe trajnimeve pasuese të realizuara më zyrtarë dhe drejtues të Bashkive në fjalë. Që në takimet e para të punës, Kryetarët e Bashkive dhe drejtuesit e tjerë, kanë pranuar se në nivel komunitar ekzistojnë ende sfida të mëdha përsa i takon tematikës LGBT. Ndër më të rëndësishmet veçohen këtu vështirësitë me mentalitetin si dhe padukshmëria e komunitetit. Për këtë arsye ata të gjithë e kanë mirëpritur këtë iniciativë, duke qenë të vetëdijshëm se reformat dhe ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur me tematikën LGBT, do të reflektohen tashmë në qendrat më të mëdha urbane në vend. Në fjalën e tij Z. Beqiraj theksoi angazhimin e Bashkisë së Vlorës për të siguruar zgjerimin dhe njohjen e të drejtave të komunitetit LBT në qytet. Kjo u theksua edhe në komentet e përfaqësuesve të Bashkive të tjera në tryezë. Në këtë ceremoni u ra dakord të nënshkruhen marrëveshje bashkëpunimi edhe me Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Ministrinë e Arsimit dhe Sportit si dy institucione të cilat do të lehtësojnë disa nga aktivitetet e iniciativës. 

Iniciativa do synojë, që brenda 2 viteve të ardhshme të forcojë kapacitetet e punonjësve të administratës së Bashkive në lidhje me çështjen LGBT, të transferojë dijen dhe informacionin përmes materialeve që mund të publikohen, të zbatojë plane veprimi për avancimin e kauzës LGBT në komunitet, njohjen dhe ndërgjegjësimin mbi personat LGBT, të trajnojë mësuesit dhe psikologët e shkollave të këtyre qyteteve, të zhvillojë aktivitete ndërgjegjësuese me qëllim informimin e opinionit publik etj.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm i iniciativës është edhe adresimi i çështjes së diskriminimit dhe bulizmit në shkollat e mesme si dhe trajnimi i mësuesve dhe psikologëve në shkolla mbi tematikën. Në fjalën e saj Zv. Ministrja e Arsimit Znj. Nora Malaj theksoi se për të adresuar çështjen siç duhet do të punohet jo vetëm në këtë sektor por gjithashtu edhe në rishikimin e kurrikulave dhe përfshirjen e tematikës LGBT në përgatitjen e mësuesve të ardhshëm, kreditimin e mësuesve aktualë dhe kryerjen një proçes i plotë reformues.

Rezultatet më të rëndësishme të kësaj iniciative do të jenë; shërbime të përmirësuara ndaj komunitetit LGBT nga institucionet qeverisëse vendore, mbrojtje efektive të të rinjve LGBT nga diskriminimi dhe bulizmi në shkolla dhe komunitet dhe integrimi i tematikës në debatet mediatike, të shoqërisë civile dhe ato të opinionit publik të qyteteve në fjalë. Iniciativa do të prodhojë gjithashtu edhe materiale informuese të cilat do të mund të përdoren nga Bashkitë e tjera të vendit.

Ndërkohë në bashkëpunim me Ministrinë e Mireqenies Sociale dhe Rinisë dhe Ministrinë e Arsimit dhe Sportit do të mundësohet zhvillimi i trajnimeve me zyrat e Sherbimit Social dhe Punësimit dhe do të mundësohet zhvillimi i aktiviteteve ndërgjegjësuese dhe informuese me mësuesit dhe psikologët e shkollave të mesme të qyteteve. Drejtoresha e Përgjithshme e Politikave Sociale Znj. Merita Xhafaj theksoi disa nga punët e bëra në kuadër të luftës kundër diskriminimit dhe dha mbështetje të plotë për integrimin e mëtejshëm të çështjes LGBT në programet e përfshirjes sociale. Gjithashtu Znj. Ilda Bozo, Drejtore e Pwrfshirjes Sociale pranw MMSR theksoi rolin që iniciativa si kjo e fundit kanë patur në integrimin e tematikës LGBT në nivel institucional dhe në hartimin e politikave dhe strategjive të institucioneve pjesëmarrëse.

Në fund të aktivitetit u nënshkruan edhe marrëveshjet e Bashkëpunimit midis PINK dhe Bashkive.

Ambasada PINK dëshiron të falenderojë të gjitha Bashkitë dhe institucionet e përfshira në këtë iniciative dhe uron që ky të jetë një fillim i mbarë për integrimin e plotë të tematikës LGBT në të gjitha Bashkitë e vendit.

Mbështetësit Dhe Partnerët