DEKLARATE PER SHTYP- 17 Maj 2012 Dita Nderkombetare Kunder Homofobise- Tirane

Sot në 17 Maj, lëvizja LGBT në Shqipëri, shoqëria civile, institucionet publike dhe komuniteti ndërkombëtar do të manifestojnë publikisht për lirinë, barazinë dhe vëllazërinë. Ne sot po manifesojmë për një botë të hapur, të lirë dhe të denjë për çdo qytetar që jeton në këtë vend dhe që kërkon përfundimisht të shkeputet nga bota e vjetër patriarkale, otomane dhe komuniste.

SOT në datë 17 MAJ 2012, pak minuta më vonë, ne do të hapim të parin Festival të Diversitetit, si një nga platformat më të mëdha të lëvizjes sonë për arritjen e barazisë dhe drejtësisë shoqërore për çdo qytetar të këtij vendi. Lufta dhe përpjekja jonë nuk bëhet vetëm për komunitetin LGBT në Shqipëri, por është lufta jonë që çdo qytetar i këtij vendi, të jetoj me nder, dinjitet dhe i barabartë në të drejta dhe përgjegjësi.

Që nga bërja publike e ftesës sonë për të organizuar këtë Festival Diversiteti kemi dëgjuar shumë mite, paragjykime, thirrje për dhunë, për diskriminim e deri në thirrje për kufizimin e të drejtave të njeriut për komunitetin LGBT në Shqipëri. Të gjithë këta individë, qofshin politikanë apo njerëz publikë, përfaqësojnë sot atë Shqipëri që ne nuk duam të jemi! Ata përfaqësojnë Shqipërinë jo Europiane! Shqipërinë për të cilën asnjë nga ne nuk do të donte të jetonte. Shqipëria e tyre është e mbytur të pellgjet e perandorisë otomane dhe gjakun e të vrarëve në kohën e komunizmit!

Shqipëria e vitit 2012 është Shqipëria e lirisë, barazizë dhe vëllazërimit shoqëror! Shqipëria Europiane është ajo që pranon dhe respekton komunitetin LGBT në të drejtat e tij për të jetuar i barabartë në të drejta dhe dinjitet, si çdo individ i lirë në këtë vend.

Komuniteti LGBT ka jetuar dhe do të jetojë në këtë vend, përpos diskriminimit, përjashtimit apo edhe dhunës që ushtohet ndaj tij. E ka bërë këtë, sepse beson që Shqipëria e re që po lind, është e denjë për çdokënd, pavarësisht orientimit seksual apo identitetit gjinor. E bën sepse çdokush nga ne beson tek vlerat demokratike dhe të tolerancës së shoqërisë sonë, beson tek familja dhe morali i të drejtave të njeriut.

Në këtë 17 Maj, është koha që Shqipëria të intensifikojë përpjekjet e saj për të adresuar të gjitha mangësitë ligjore që pengojnë komunitetin LGBT të gëzojë të drejtat e tij, përfshirë edhe mbrojtjen nga gjuha dhe sulmet e urrejtjes. Kuvendi i Shqipërisë duhet të shoh mundësinë që sa më shpejt që të jetë e mundur të miratojë ndryshimet që adresojnë përdorimin e gjuhës së urrejtjes dhe nxitjen e krimeve kundër komunitetit LGBT dhe çdo komuniteti tjetër në Shqipëri.

Ne ftojmë politikanët, partitë politike, administratën dhe institucionet shqiptare të marrin masa serioze për të ndërtuar kapacitetet e duhura për garantimin e të drejtave të njeriut të komunitetit LGBT, që njerëzit e ngarkuar me pergjëgjësi për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të komunitetit LGBT, të zbatojnë detyrat e tyre në krijimin e të gjitha kushteve për t’i gëzuar këto të drejta plotësisht.

Këtë 17 Maj motoja jonë është: “Bëj Lëvizjen e Duhur. Ngri Flamurin!”

Në këtë ditë ne ftojmë çdo zyrtar publik, që bashkë me ne, të ngrejë flamurin LGBT në zyrë dhe në vendin e tij/saj të punës, për të treguar që çdo institucion shtetëror mirëpret çdo përfaqësues të komunitetit LGBT! Ne ftojmë çdo deputet, politikan, zyrtar publik, përfaqësues të shoqërisë civile, që të bashkohet me në Festivalin e Diversitetit, dhe së bashku ti themi JO homofobisë!

Në këtë 17 Maj, ne ftojmë të gjithë qytetarëve anembanë Shqipërisë: Ngrini flamurin! Ngrini flamurin për t’i thënë PO respektit për të drejtat e njeriut të komunitetit LGBT!

Ju faleminderit!

Ambasada PINK/LGBT Pro Shqipëri 

Mbështetësit Dhe Partnerët