Deputetja Mesila Doda akuzohet për diskriminim të hapur ndaj komunitetit LGBT

Tiranë, 12 Gusht 2016 – Ambasada PINK, një ndër organizatat kryesore qe mbron të drejtat e komunitetit dhe personave LGBT (lezbike, gay, biseksualë dhe transgjinorë) në Shqipëri, njoftoi sot se Komisioneria për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka pranuar dhe po shqyrton ankesën e Ambasadës PINK ndaj deputetes Mesila Doda, për diskriminim të hapur ndaj komunitetit LGBT.

Reagimi i Ambasadës erdhi pas fjalës së mbajtur nga deputetja Doda në datë 7 Korrik 2016 në kohën kur Kuvendi i Shqipërisë po diskutonte në lidhje me ndryshimet kushtetuese, të cilat ndër të tjera përfshinin një mbrojtje më të gjerë nga diskriminimi për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor. Deputetja Doda pretendoi se këto ndryshime do t’i jepnim mundësi komunitetit LGBT që të kërkonte barazi në martesë, që në fakt nuk është e vertetë.

Në datë 2 Gusht, zyra e Komisioneres për Mbrojtjen nga Diskrimimini, vuri në dijeni Ambasadën PINK se ka hapur procedimin për diskriminim ndaj deputetes Doda, duke i kërkuar asaj njëkohësisht shpjegime në lidhje me gjuhën diskriminuese të përdorur nga ajo duke e vendosur komunitetin LGBT në kushte jo të favorshme për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor.

“Çdo politikan në Shqipëri duhet ta harrojë që më të abuzoje, qofte edhe verbalisht, me komunitetin LGBT në Shqipëri. Ka ardhur koha që çdo politikan të vendoset përpara përgjegjësisë ligjore dhe qytetare për fjalët dhe veprimet, të cilat shkelin të drejtat dhe barazinë e qytetarëve apo nxisin urrejtjen.” – tha Altin Hazizaj, President Bordi i Ambasadës PINK.

Nuk ështe hera e parë që foltorja e Kuvendit të Shqipërisë përdoret nga politikanët shqiptarë për të hedhur baltë apo kërcënuar publikisht komunitetin LGBT. Në vitin 2011, Ambasada PINK ia doli me sukses që të fitonte çështjen e ngritur ndaj deputetit Tritan Shehu për përdorim gjuhe diskriminuese ndaj komunitetit LGBT. 

Mbështetësit Dhe Partnerët