Ekspozita “Shija e Lirisë” udhëton në Shkodër

12 Dhjetor 2014 – Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër dhe Qendrën e Informimit të Bashkimit Europian në Shkodër hapën në mjediset e kësaj të fundit ekspozitën “Shija e Lirisë”, e para me tematikë LGBTI në zonën më të madhe urbane të veriut.

Duke marrë frymëzimin nga tema ndërkombëtare e këtij IDAHOT (Ditës Ndërkombëtare kundër Homofobisë dhe Transfobisë) grupi i aktivistëve PINK menduan të realizojnë një ekspozitë ku përmes fotografive amatoriale dhe profesionale të tregohet eksperienca e popullit shqiptar gjatë ushtrimit të të drejtës së shprehjes dhe mbledhjes. Fotot janë bërë në momente demonstratash, manifestimesh dhe protestash nëpër Shqipëri ndërkohë që disa nga fotot janë mare në vende të ndryshme të rajonit. I kuruar nga artisti i ri Artan Karoli, koleksioni i fotografive përmbledh 20 më të mirat nga demonstrata për mbrojtjen e të drejtave të grave, fëmijëve, personave LGBTI, mjedisin, kafshët, të drejtat politike etj.

Këto momente shprehje të mendimit janë të rëndësishme për personat lezbike, gej, biseksualë, transgjinorë dhe interseks (LGBTI) sepse e drejta e shprehjes dhe liria qe vjen prej saj janë thelbësore për njohjen e këtij komuniteti, problemet dhe nevojat e tyre. Detyra e një shoqërie demokratike është mbrojtja dhe garantimi i kësaj të drejte kurse përgjegjësia e çdo qytetari është promovimi dhe ushtrimi i saj.

Në ceremoninë e hapjes morën pjesë të rinj nga qyteti, përfaqësues të Bashkisë Shkodër si dhe ishin të pranishme të gjitha mediat lokale. Ekspozita, e cila do të qëndrojë e hapur 2 javët në vazhdim do të mund të shihet nga shumë qytetarë shkodranë. Në mesazhin e tij për publikun shkodran, Z. Amarildo Fecanji, Drejtor Programesh pranë PINK i ftoi qytetarët ta vizitojnë ekspozitën për të kuptuar se të drejtat e komunitetit LGBTI funksionojnë dhe ushtrohen në kontekstin e të drejtave të njeriut dhe ato universale të aplikueshmë për këdo.

Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri falenderojnë EU Info Centre Shkodër dhe Bashkinë Shkodër për mbështetjen e tyre në hapjen e kësaj ekspozite. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në datën 5 Janar 2015.

Kjo ekspozitë realizohet falë mbështetjes së Bashkimit Europian.  Për më shumë informacion mbi komunitetin LGBTI dhe aktivitetet e Ambasadës PINK / LGBT Pro vizitoni faqen www.pinkembassy.al

Mbështetësit Dhe Partnerët