Ekspozita “Shija e Lirisë” udhëton në Vlorë

15 Mars 2016 – Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri në bashkëpunim me Bashkinë Vlorë dhe Qendrën e Informimit të Bashkimit Europian në Vlorë hapën në mjediset e kësaj të fundit ekspozitën “Shija e Lirisë”, e para me tematikë LGBTI në qytetin bregdetar.

Një grup i aktivistëve PINK menduan të realizojnë një ekspozitë ku përmes fotografive amatoriale dhe profesionale të tregohet eksperienca e popullit shqiptar gjatë ushtrimit të të drejtës së shprehjes dhe mbledhjes. Fotot janë bërë në momente demonstratash, manifestimesh dhe protestash nëpër Shqipëri ndërkohë që disa nga fotot janë mare në vende të ndryshme të rajonit. I kuruar nga artisti i ri Artan Karoli, koleksioni i fotografive përmbledh 20 më të mirat nga demonstrata për mbrojtjen e të drejtave të grave, fëmijëve, personave LGBTI, mjedisin, kafshët, të drejtat politike etj.

Këto momente shprehje të mendimit janë të rëndësishme për personat lezbike, gej, biseksualë, transgjinorë dhe interseks (LGBTI) sepse e drejta e shprehjes dhe liria qe vjen prej saj janë thelbësore për njohjen e këtij komuniteti, problemet dhe nevojat e tyre. Detyra e një shoqërie demokratike është mbrojtja dhe garantimi i kësaj të drejte kurse përgjegjësia e çdo qytetari është promovimi dhe ushtrimi i saj.

Ekspozita, e cila do të qëndrojë e hapur gjatë kësaj jave do të mund të shihet nga shumë qytetarë vlonjatë. Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri falenderojnë EU Info Centre Vlorë dhe Bashkinë Vlorë për mbështetjen e tyre në hapjen e kësaj ekspozite. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në datën 18 Mars 2016.

Kjo ekspozitë realizohet falë mbështetjes së Bashkimit Europian.  Për më shumë informacion mbi komunitetin LGBTI dhe aktivitetet e Ambasadës PINK / LGBT Pro vizitoni faqen www.pinkembassy.al

Mbështetësit Dhe Partnerët