Ekstremizmi dhe intoleranca fetare nuk kanë vend në Kuvendin e Shqipërisë!

Tiranë, 20 Korrik 2016 - Ambasada PINK, një ndër organizatat kryesore qe mbron të drejtat e komunitetit dhe personave LGBT (lezbike, gay, biseksualë dhe transgjinorë) në Shqipëri, me anë të kësaj deklarate publike kërkon të shpreh me forcë indinjatën e saj për qendrimin e mbajtur së fundmi nga dy partitë kryesore parlamentare në Shqipëri, Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, në lidhje me tërheqjen e tyre nga mbështetja që i patën dhënë përfshirjes në nenin 18 të Kushtetutës mbrojtjen nga diskriminimi, ndër të tjera, edhe për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor. Këto ndryshime do ta sillnin Kushtetuten e Shqipërisë një hap më afër respektimit të të drejtave të njeriut dhe garantimit të barazizë përpara ligjit për të gjithë shtetasit.

Sot në mengjes, mediat kryesore në vend, raportuan se përfaqësuesit kryesore të të dy partive parlamentare në Komisionin e Posaçëm të Reformës në Drejtësi, PS dhe LSI, kishin rënë dakord që të terhiqeshin nga mbështetja e tyre për përfshirjen e orientimit seksual dhe identitetit gjinor ndër shkaqet për mbrojtjen nga diskriminimi. Ndryshimi i këtij pozicioni politik erdhi për shkak të presionit politik nga ana e komuniteteve fetare ne Shqipëri, veçanërisht atij musliman dhe falë gjuhës diskriminuese dhe të urrejtjes së përdorur nga deputetja Mesila Doda, një mbrojtëse e hapur e fesë katolike në Shqipëri.

Pavarësisht se ndryshimet e propozuara kushtetuese nuk ishin kërkuar apo propozuar nga komuniteti LGBT në vend, ato morren gjerësisht mbështetjen e komunitetit progresiv kombëtar dhe ndërkombëtar dhe u mbrojtjen me zell nga një serë përfaqësuesish në Kuvend të të dyja forcave politike. Por, ndërkohë që nesër pritjej që këto ndryshime të miratoheshin së bashku me të gjithë paketën e ndryshimeve të propozuara në Kushtetutë, tërheqja nga ato tregon se ndikimi që ka ekstremizmi dhe intolerance fetare në Shqipëri ka kaluar tashmë çdo parashikim. Përthyerja ndaj fesë dhe kërkesave të tyre nga të dyja partitë qeverisëse në Shqiperi, tregon edhe një herë se Shqipëria është seriozisht e kërcënuar nga intolerance fetare dhe ndikimi ekstrem që fetë tradicionale, ushtrojnë ndaj jetës laike dhe publike në Shqipëri.

Vendosja përballë një situate të tillë pabarazie përpara ligjit të komuniteteve të ndryshme shoqërore në Shqipëri është treguesi më i mirë se vendi ynë vazhdon të diskriminojë haptazi komunitetin LGBT në vend krahasuar me çdo komunitet tjetër. Kjo për Ambasadën PINK është e papranueshme.

Dorëzimi politik që sot dy partitë parlamentare kanë bërë ndaj fesë dhe komuniteteve fetare në Shqipëri, ka hedhur hije të rënda dyshimi për pavarësinë dhe laicitetin e shtetit shqiptar! Sot deputetët e këtyre dy forcave politike janë rreshtuar përkrah të gjithë atyre që përkrahin intolerancën dhe ekstremizmin fetar.

Nisur nga kjo situatë, Ambasada PINK i bën thirrje çdo deputeti që ka qenë dhe është në mbështetje të të drejtave të njeriut në Shqipëri që të mos votojë ndryshimet kushtetuese që nuk përfshijnë ndër të tjera edhe mbrojtjen nga diskriminimi të personave LGBT. Nga ana tjetër ne do të ndjekim çdo rrugë ligjore që bën të mundur arritjen e barazisë së vërtetë për cdo individ LGBT në vend.

URRJEJTJA NUK ËSHTË ZGJIDHJA! THUAJ PO DASHURISË!

Mbështetësit Dhe Partnerët