Europa shpërfill të drejtën e personave intereks për vetvendosje dhe integritet fizik

Strasburg, 12 Maj 2015, - “Europianët janë përgjithësisht të pa-vetëdijshëm për historitë personale të personave interseks dhe shkeljet me të cilat ato përballen. Stereotipet dhe normat e klasifikimit mashkull-femër kanë rezultuar në ndërhyrje të panevojshme kirurgjike tek fëmijët interseks, ndërkohë që shoqëria vazhdon të mos ketë asnjë informacion. Është koha për ta adresuar këtë situatë të papranueshme”, tha Nils Muiznieks, Komisioner për të Drejtat e Njeriut i Këshillit të Europës teksa prezantonte gjetjet e studimit mbi të drejtat e personave interseks.

Studimi i ndarë në 6 kapituj adreson pengesat mjekësore, ligjore dhe administrative me të cilat përballen personat interseks, disa prej të cilëve adresoheshin si “hermafroditë” në të shkuarën. Komisioneri tha se “duke publikuar këtë studim, unë synoj të jap udhëzime më të detajuara për të adresuar këtë problem të neglizhuar të të drejtave të njeriut”.

Studimi u jep informacion qeverive dhe juristëve mbi zhvillimet aktuale etike dhe të drejtave të njeriut, duke përfshirë praktikat më të mira në nivel global, të ndërmara për të mbrojtur dhe fuqizuar personat interseks. Një ndryshim i madh ka të bëjë me reforma ligjore që garantojnë trajtim të barabartë. Studimi jep gjithashtu rekomandime për mënyrat e avancimit përpara sidomos në lidhje me fushën ligjore dhe mjekësore.

Komisioneri sqaroi se “vendet europiane kanë qenë të ngadalta në njohjen dhe përkrahjen e të drejtave të personave interseks dhe diversitetin gjinor që ata përfaqësojnë. Trajtimet mjekësore dhe ndërhyrjet kirurgjikale të panevojshme dhe që bëhen pa pranimin e personave interseks, duhet të ndalojnë në mënyrë urgjente. Duhet të respektohet e drejta e tyre për të bërë trajtime të ricaktimit të seksit; të rishihen klasifikimet mjekësore që trajtojnë variacionet e karakteristikave seksuale si patologji dhe duhet të garantohet e drejta e personave interseks për vetvendosje dhe njohje ligjore në dokumenta zyrtarë”.

Komisioneri rekomandoi marrjen e masave të mëtejshme që kanë të bëjnë me dhënien akses të plotë për personat interseks në arkivat e tyre mjeksëore, në rritjen e ndërgjegjësimit të opinionit publik, organizimin e trainimeve profesionale për problemet që hasin personat interseks dhe përmirësimin e këshillimit psiko-social për personat interseks dhe prindërit e tyre. 

Mbështetësit Dhe Partnerët