Festivali i Diversitetit: një javë ndërgjegjësimi për të drejtat e personave LGBT

Në datat 12-17 Maj, për vitin e katërt rradhazi do të zhvillohet në Shqipëri “Festivali i Diversitetit”, nje javë e mbushur me aktivitete ndërgjegjësuese të cilat do kulminojnë mesditën e 17 Majit me Marshin e Krenarisë në qendër të Tiranës. Ambasada PINK / LGBT Pro në bashkëpunim me Shtëpinë e të Drejtave të Njeriut në Shqipëri, Open Mind Spectrum Albania, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Avokatin e Popullit dhe dhjetra organizata dhe institucione të tjera prezantojnë serinë e aktiviteteve kulturore dhe sociale përgjatë javës së diversitetit.

Gjithçka do të nisë me Konferencën Hapëse në datën 12 Maj ku do të prezantohet video-fushata “Thuaj PO dashurisë” e cila do të transmetohet në kanalet kryesore të vendit përgjatë gjithë javës. Tematika e kësaj videoje ashtu si edhe e materialeve të tjera do të jetë “Liria e Shprehjes” dhe beteja kundër fjalimeve të urrejtjes, një problem madhor në shoqërinë shqiptare dhe globale. Liria e shprehjes është gjithashtu tema e këtij viti nga Komiteti IDAHOT. Aktivitetet pasuese do të jenë dy ekspozita ndërgjegjësuese, e para pranë EU Info Centre në Tiranë dhe tjetra në Pallatin e Kulturës në Durrës. Tema e ekspozitës së Tiranës do të jetë gjithashtu liria e shprehjes me foto dhe video nga demonstrata dhe aktivitete te shoqërisë civile dhe aktivistëve shqiptarë.

Ekspozita e Durrësit do të jetë me temën “Qyteti i Ngjyrave” me fotografi të realizuara nga vetë komuniteti LGBT. Dita e Filmit, do të realizohet në bashkëpunim me Akademinë e Filmit Marubi pranë të cilët do të shfaqen disa nga filmat më të mirë me tematike LGBT nga vende si Britania e Madhe, Italia, Brazili, Holanda etj. Pjesë e Festivalit do të jetë edhe një tryezë e madhe pune ku do të marrin pjesë institucionet më të rëndësishme në vend të angazhuara me mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të personave LGBT. Tryeza do të realizohet në formën e workshop-eve dhe disa nga temat do të jenë: fjalimet e urrejtjes, heteronormativiteti, homonacionalizmi, personat LGBT në mjedisin e punës etj.

Në datën 17, ashtu si çdo vit tjetër, PINK në bashkëpunim me gjithë partnerët e saj do të realizojnë "Panairin e Diversitetit” pranë sheshit “Vëllezërit Frashëri” ku organizatat e të drejtave të njeriut dhe institucionet e ndryshme mund të ekspozojnë punën dhe aktivitetet e tyre. Ndërkohë, këtë vit, për herë të parë, në datën 17 Maj, ora 12:00 aktivistë LGBT dhe mbështetës të kauzës do të marshojnë në qendër të qytetit me pankarta për të kërkuar mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të personave LGBT, në të parin marshim të këtij lloji në Shqipëri.

“Festivali i Diversitetit” zhvillohet çdo 17 Maj për të përkujtuar vendimin historik të Shoqatës Amerikane të Psikologjisë, në vitin 1995, për të hequr homoseksualitetin nga klasifikimi i problemeve mendore. Prej vitit 2004 kjo njihet si Dita Ndërkombëtare kundë Homofobisë dhe Transfobisë (IDAHOT).

Aktivitetet e Festivalit të Diversitetit mbështeten nga Bashkimi Europian.

Për më shumë informacione mbi aktivitetet e javës së diversitetit na shkruani në adresën pinkembassy@crca.al.

Mbështetësit Dhe Partnerët