Filmi me tematikën LGBT shfaqet pranë Universitetit të Durrësit

22 Maj 2015 – Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri në bashkëpunim me Ambasadën e Izraelit në Shqipëri shfaqën në mjediset e Universitetit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit filmin “Melting Away”. Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të Festivalit të Diversitetit i cili përkujton Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë (IDAHOT), 17 Maj.

Filmi u ndoq nga studentë të shkencave të edukimit  dhe u pasua nga një seksion pyetje-përgjigje mes organizuesve të aktivitetit dhe pjesëmarësve. Ndërkohë që leksionet dhe trajnimet me fokus temën LGBTI janë disi më “të lehta” për tu perceptuar nga pjesëmarrësit, organizimi i një aktiviteti kulturor duket se ngjall tek pjesëmarrësit reagime më pak pozitive dhe miqësore. Edhe pse filmi ishte artistik nuk kishte përmbajtje erotike, reagimet e studentëve ishin tejet negative në ato pak çaste kur në film shfaqeshin dy meshkuj duke u puthur apo prekur njëri-tjetrin. Për një pjesë të tyre, skena të ndryshme ngjallnin reagime dhe të qeshura.

Në diskutim, për disa nga pjesëmarrësit filmi perceptohej si një propagandë, përmes të cilës komuniteti LGBTI kërkon të pranohet në shoqëri. Një tjetër studente nuk arrinte të perceptonte se si “për një ego personale” personat LGBTI nuk pranojnë të jetojnë në shoqëri si gjithë të tjerët. Diskutimi dhe seksioni pyetje-përgjigje shërbeu për të folur mbi shumë paragjykime dhe çështje. Ajo që mbetet problematike gjithsesi është padukshmëria e personave LGBTI në shoqërinë shqiptare, aq më pak në jetën dhe mjediset studentore. Asnjë nga të rinjtë pjesëmarrës nuk e gjykonte këtë çështje si të të drejtave të njeriut dhe shumë pak nga studentët që morën fjalën kishin komente pozitive.

Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri do të vijojë me zhvillimin e leksioneve, trajnimeve dhe aktiviteteve ndërgjegjësuese nëpër shkollat dhe universitetet shqiptare duke qenë e vetëdijshme se paragjykimet dhe diskriminimi kundër personave LGBTI mbeten ende të forta.

PINK falenderon Ambasadën e Izraelit për titrimin e filmit në shqip si dhe Universitetin e Durrësit për bashkëpunimin në shfaqjen e këtij filmi pranë mjediseve të tij.

Mbështetësit Dhe Partnerët