Financial Times nominon Drejtorin e CRCA Shqipëri ndër 30 drejtuesit globalë të sektorit publik për të drejtat LGBTI

Drejtori i Përgjithshëm i Qendrës për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri (CRCA) dhe Presidenti i Ambasadës Pink në Shqipëri, Altin Hazizaj, u përzgjodh nga gazeta e mirënjohor Financial Times dhe organizata Outstanding me qendër në Londër, një ndër 30 personat e vitit 2018 në kategorinë “Drejtues të Sektorit Publik për të Drejtat LGBTI“.

E përditshmja Financial Times, në rankimin e saj të përvitshëm që prej vitit 2013, liston personat e shquar drejtues ekzekutivë LGBT dhe aleatët e tyre, të cilët jo vetëm kanë qënë të suksesshëm në karrierën e tyre, por edhe kanë krijuar mbështetje për të gjithë personat LGBT.

Lista ndahet në katër kategori kryesore: 100 drejtues ekzekutive në biznes, 50 aleatë në drejtim, 50 LGBTI drejtues të së ardhmes dhe 30 figura të shquara të sektorit publik për të drejtat LGBTI. Secili nga të nominuarit, ka marrë pikët, sipas influencës dhe rolit që ai ka patur e impaktit që ka arritur në përfshirjen brënda dhe jashtë vendeve të punës të personave dhe të kauzës LGBTI.

Altin Hazizaj, në vitin 1992 themeloi organizatën e parë të studentëve të drejtësisë në Shqipëri, ndërsa në vitin 1997 themeloi organizatën e parë për të drejtat e fëmijëve. Në vitin 2006, si Drejtor i CRCA Shqipëri, ai mbështeti krijimin e një grupi vullnëtarësh LGBTI dhe së bashku me ta në vitin 2010 ata shpallën krijimin e Ambasadës PINK, tashmë organizata kryesore që promovon barazinë, respektin dhe jetën me dinjitet për çdo person LGBTI.

Si një ekspert ligjor i specializuar në çështjet e mbrojtjes nga diskriminimi, ai është bashkë-autor dhe avokoi publikisht për miratimin e Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi në Shqipëri dhe Ligjit për Masat ndaj Dhunës në Familje. Gjatë vitit 2017 dhë në vijim si drejtues i CRCA dhe Ambasadës PINK ai mbështeti hapjen e të parës linjë telefonie falas për adoleshentët LGBTI, në bashkëpunim me ALO 116 Shqipëri. Ndërkohë që gjatë vitit 2018 ai ndërmorri publikisht nismën e re ligjore për njohjen e identitetit gjinor të personave trangjinorë.

Komuniteti LGBT, pavarësisht zhvillimeve pozitive në Shqipëri, ende vuan përbuzjen dhe mospranimin nga familja, shoqëria, në vendin e punës, apo talljet, fyerjet dhe dhunën për shkak të orientimit seksual dhe gjinor. Të dhënat tregojnë se: 56% e personave LGBT që punojnë, provojnë bullizmin e përsëritur në vendet e tyre të punës; mbi 46% e personave LGBT, nuk e tregojne orientimin e tyre seksual; ndërsa rreth 41% e personave LGBT të moshave 18-25 vjeç, kanë deklaruar se “mbyllen në identitetin e tyre”, kur kanë kaluar nga bankat e shkollave apo fakulteteve në vendin e punës.

Për më shumë informacion, mund të lexoni: https://www.out-standing.org/nominations/

Mbështetësit Dhe Partnerët