Formalizohet bashkëpunimi midis Ambasadës PINK dhe Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi

Tiranë, 26 Shkurt 2013 - Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri dhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi nënshkruan sot një marrëveshje bashkëpunimi e cila formalizon dhe fuqizon edhe më tej marrëdhënien midis dy institucioneve. Ambasada PINK si organizatë e cila punon dhe advokon për të drejtat e komunitetit LGBT në Shqipëri dhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi si institucioni që siguron mbrojtjen efektive nga diskriminimi dhe nga çdo formë sjelljeje që nxit diskriminimin do të bashkëpunojnë tashmë në një kuadër më të gjerë duke mbuluar disa fusha, të tilla si:

  • Ofrimi i një shërbimi ligjor të plotë për të gjithë personat që paraqesin ankesa pranë tyre i cili do të përfshijë ndihmën për zgjidhjen e problemeve në organet e administratës shtetërore dhe shërbimin e plotë ligjor për zgjidhjen e problemeve jashtëgjyqësisht;
  • Asistimin e përbashkët të personave nga komuniteti LGBT gjatë proceseve gjyqësore apo për fillimin e proçesit gjyqësor, në rastet kur konstatohet diskriminim;
  • Organizimin e fushatave të përbashkëta sensibilizuese dhe trajnimeve, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për mbrojtjen nga diskriminimi;
  • Pritje dhe shkëmbim ekspertize për përmirësimin e legjislacionit ekzistues për përfshirjen e masave të reja që garantojnë trajtim të barabartë;
  • Shkëmbim informacioni për të garantuar bashkëpunim mbi çdo temë të mundshme etj

Ambasada PINK dëshiron të falenderojë Komisioneren për mbrojtjen nga diskriminimi, Znj. Irma Baraku për mbështetjen e vazhdueshme ndaj komunitetit LGBT dhe për përpjekjet e këtij institucioni në afrimin me komunitetin LGBT, zgjidhjen e ankesave dhe problemeve të tyre dhe rritjen e ndërgjegjësimit në lidhje me të gjitha format e diskriminimit nga të cilat vuan komuniteti LGBT në vend.

Mbështetësit Dhe Partnerët