Forumi Mysliman Shqiptar kërkon kthimin e Shqipërisë nën diktaturën komuniste!

Tiranë, 9 Prill 2013 - Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri ka mësuar me keqardhje për letrën e hapur të Forumit Mysliman Shqiptar drejtuar Ministrit të Drejtësisë Z. Eduard Halimi, ku kërkohet kriminalizimi i homoseksualitetit dhe dënohet puna e institucioneve të pavarura kushtetuese, ashtu siç është Avokati i Popullit apo edhe institucioneve të tjera në mbrojtje të të drejtave të njeriut në emër të dogmave fetare dhe me pretendimin absurd se ky është vullneti i pjesës më të madhe të popullsisë.

Kjo letër, pavarësisht se nuk përbën herën e parë që ky Forum diskriminon hapur të drejtat LGBT dhe lufton kundër tyre, është gjithsesi shqetësuese sepse ajo tregon qëndrimin e pandryshueshëm të dogmës ndaj çështjeve të orientimit seksual dhe identitetit gjinor, pavarësisht fakteve të shumta shkencore, sociale dhe kulturore që vërtetojnë se orientimet seksuale hetero, homo dhe bi-seksuale ashtu si edhe identitetet gjinore trans kanë bashkë-ekzistuar me njeriun në çdo periudhë e në çdo epokë.

Ky qëndrim, të cilin Forumi Mysliman Shqiptar pretendon se e mban në emër të të gjithë komuniteteve fetare, në fakt është unik vetëm i këtij Forumi, e cila është përgjegjëse edhe për protestat e realizuara në 17 Maj 2012 kundër komunitetit LGBT dhe të disa faqeve dhe grupeve me mesazhe dhune dhe urrejtje ndaj komunitetit LGBT në Facebook dhe faqe të tjera. Edhe pse komunitete të tjera fetare nuk janë shprehur asnjëherë pro çështjeve LGBT apo atyre të minoriteteve seksuale ato nuk kanë qenë asnjëherë nxitëse të urrejtjes dhe diskriminimit e aq më pak të kriminalizimit të qindra-mijëra qytetarëve shqiptarë.

Ky grupim nuk mund të pretendojë të përfaqësojë të gjithë myslimanët e Shqipërisë e aq më pak të gjitha komunitetet fetare dhe opinionin publik në Shqipëri. Ky grup nuk mund të pretendojë as të përfaqësojë ata qindra persona LGBT myslimanë, apo të besimeve të tjera, të cilët shumë shpesh, për shkak të këtyre qëndrimeve absurde dhe të pashoqe e gjejnë veten të mbërthyer në dilema dhe nën presion social që ve në pikëpyetje besimin e tyre dhe i detyron të mohojnë ekzistencën dhe ndjenjat e tyre në këmbim të një jete hipokrite dhe të mbushur me gënjeshtra.

është për të ardhur keq që Forumi Mysliman Shqiptar evokon periudhën më të errët të historisë së Shqipërisë, atë të diktaturës komuniste, një kohë gjatë të cilës si komuniteti LGBT, ashtu edhe komunitetet fetare, si edhe çdo formë tjetër komuniteti ishin të ndaluara rreptësisht të ekzistonin apo ushtronin veprimtarinë e tyre me ligj.

Kodi Penal i vitit 1976, i Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë ndëshkonte si shprehjen e lirisë fetare të qytetarëve po aq edhe komunitetin LGBT. Kjo është periudha gjatë të cilës ndërgjegja e një populli të tërë u manipulua në atë formë që edhe sot nuk po gjen vetveten. Mbi 10,000 qyetarë shqiptarë konsiderohen të vrarë dhe të zhdukur nga dhuna e diktaturës komuniste! A është kjo e ardhmja e Shqipërisë që propozon Forumi Muslimanë

Në shoqëritë demokratike shprehja e identitetit personal të një qytetari, qoftë kjo mbi të drejtat e tij politike, fetare apo seksuale është e rëndësisë primare për funksionimin e shëndetshëm të shoqërisë.

Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri i kërkon myslymanëve të thjeshtë, që të lexojnë dëshmitë dhe historitë e atyre qindra personazheve të historisë njerëzore nga lindja e largët deri në perëndim, studimet shkencore dhe serioze të shkruara mbi komunitetin, për të kuptuar se personat LGBT, kanë ekzistuar dhe do vazhdojnë të ekzistojnë në këtë botë pavarësisht vullnetit të çdo insitutcioni fetar për të imponuar dogma dhe rregulla të ngjashme me ato që të kujtojnë inkuizicionet papale të dikurshme apo shtetet e sotme islamike, ku të qenurit homoseksual dënohet edhe me vdekje.

Shqipëria është një vend europian, demokratik i cili aspiron t’i bashkohet familjes së madhe perëndimore, por kjo nuk mund të vijë duke i dhënë disa të drejta një grupi e duke ia mohuar një tjetri. Forumi Mysliman Shqiptar duhet të kuptojë se në këtë shoqëri respektohen të drejtat e çdo komuniteti dhe çdo grupi social, edhe kur këto nuk dakordohen me njëra-tjetrën.

 

Mbështetësit Dhe Partnerët