Gjykata Europiane dënon diskriminimin për shkak të orientimit seksual

16 Janar 2013- Në një vendim historik të datës 15 Janar, në rastin gjyqësor Eweida dhe Të tjerët kundër Britanisë së Madhe, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut konfirmoi se e drejta e dikujt për të shprehur besimin e tij/saj fetar mund të limitohet për të mbrojtur të tjerë përsona nga diskriminimi për shkak të orientimit të tyre seksual. Institucione të ndryshmë ndërkombëtare, organizata dhe grupe të tjera e mirëpritën këtë vendim, veçanërisht njohjen nga Gjykata të faktit se ndalimi i diskriminimit për shkak të orientimit seksual është një qëllim legjitim dhe i rëndësishëm i cili justifikon kufizimet e lirisë së besimit.

Dy nga katër aplikimet e marra në konsideratë lidheshin me punonjës të cilët rrefuzonin t’u ofronin shërbime çifteve të të njëjtit seks për shkak të besimit të tyre fetar. Dy aplikimet e tjera lidheshin me ndalimin e punonjësve dhe çdo anëtar stafi për të veshur kryqe në mjedisin e punës.

Lilian Ladele ishte e punësuar pranë London Borough të Islingtonit (versioni anglez i mini-bashkive). Ajo kishte rrefuzuar të kryente ceremoni lidhjesh civile mes personave të të njëjtit seks, si pjesë të detyrimeve të saj sepse besonte se bashkësitë civile ishin ekuivalente të martesës dhe se martesat brenda gjinisë ishin kundër vullnetit të Zotit. Pas rrefuzimit, ajo u paralajmërua për pushim nga puna dhe pas rrefuzimeve të tjera u pushua përfundimisht.

Gjykata vendosi se punëdhenësi i Ladele për të mos bërë asnjë përjashtim, për shkak të besimit të saj fetar, ishte legjitim dhe proporcional, në përputhje me rastet e mëparshme të Gjykatës ku ishte njohur e drejta për të qenë të lirë nga diskriminimi për shkak të orientimit seksual dhe nevojën për njohjen e të drejtës së çifteve të të njëjtës gjini për lidhje. Për këtë arsye u gjykua se nuk ka pasur shkelje të të drejtës së saj për të qenë e lirë nga diskriminimi për shkak të besimit fetar.

Gary McFarlane ishte i punësuar nga Relate Federation, një organizatë private e cila ofron terapi mbi çeshtje të seksit dhe marrëdhënieve në çift. Ai refuzoi të trajtonte çifte të të njëjtit seks dhe për këtë arsye u pushua nga puna.

Gjykata gjeti se punëdhënësit e Z. McFarlane kishin gjetur balancën e duhur mbi të drejtën e këtij të fundit për të shprehur besimin e tij fetar dhe atë të “interesave të punëdhënësit për të siguruar të drejtat e të tjerëve”. Në këtë rast nuk ka patur shkelje të të drejtës së tij për të shprehur besimin fetar.

“Neni 9 i Konventës Europiane mbron të drejtën e manifestimit të besimit fetar në publik, por kjo e drejtë nuk është e pa limituar” tha Alli Jernov, Këshilltar Ligjor pranë Komisionit Ndërkombëtar të Juristëve. “Me gjykimin e sotëm, Gjykata mbron vlerën e mbrojtjes së të tjerëve nga diskriminimi.”

Sipas Evelyn Paradis, Drejtore Ekzekutive e ILGA-Europe, “ky vendim është marrë në kohën e duhur dhe është shumë i rëndësishëm duke qenë se rrefuzime të ngjashme për t’u ofruar shërbime çifteve të gjinisë së njëtjë janë një fenomen i zakonshëm në shumë juridiksione europiane. Ky vendim duhet të shërbejë si udhëzim për qeveritë kombëtare për të balancuar lirinë e fesë me të drejtën e mos-diskriminimit mbi baza të orientimit seksual”.

Mbështetësit Dhe Partnerët