Coming Out

“Nuk i bëhet vonë njeriu se me kë bën seks ti por nuk ja vlen të marrësh këtë rrugë për pesë minuta qejf ...” – ishin këto fjalët që ime më më tha në momentin që unë i rrëfeva që kisha vendosur të mos jetoja më në të njejtën shtëpi me ta por me personin e zemrës time i cili është një djalë.

Në fakt, arsyeja pse vendosa të largohesha nga shtëpia nuk kishte lidhje me të qënit gay. Ishin një seri arsyesh të tjera që më shtynë të merrja këtë vendim, pavarsisht se shkëndija erdhi nga një grindje banale me tim vëlla.

Kisha shumë pak kohë që kisha filluar të njihesha me Denisin por pavarsisht kësaj ishte personi i parë që më erdhi në mëndje dhe i telefonova me një dëshirë të madhe për ta takuar. Ai u tregua i gatshëm pavarsisht orarit dhe mu gjend shumë pranë në ato momente. Kjo gjë më bëri të ndihesha shumë mirë edhe pse ishte një situatë e vështirë.

Pasi negociova me tim atë (duke shprehur të gjitha pakënaqësitë që më shtynë mua të merrja vendimin për tu larguar nga shtëpia) arritëm në marveshjen që ai do më siguronte një vend ku unë të mund të jetoja i vetëm dhe kështu ndodhi. Ai, bashkë me time më, mendonin gjatë gjithë kohës që unë isha thjeshtë i acaruar nga grindja me tim vëlla dhe për pak ditë do kthehesha në shtëpi.

Tre muaj më vonë unë dhe Denisi nuk ishim më thjeshtë dy të porsa njohur që shoqëroheshin për të kaluar fragmente të bukura kohe bashkë.

Historia jonë e dashurisë mund të them që pati edhe disa pengesa por që fal pjekurisë, durimit, aftësisë për të arsyetuar, dëshirës dhe mbi të gjitha dashurisë, u bëmë për njëri-tjetrin të pa zëvëndësueshëm.Në periudhën që unë jetoja vetëm Denisi vinte shumë shpesh dhe kjo gjë më mbushtte me lumturi, por dëshira për të kaluar sa më shumë kohë të dy na bënte që të fantazonim për një shtëpi tonën ku të mund të rrinim pa qënë të kufizuar nga orari i vizitave të familjarëve të mi.

Nuk kaloi shumë kohë deri ditën që ne vendosëm që këtë fantazi tonën ta bënim realitet.

Edhe pse pa qënë të kënaqur nga ky fakt (gjë që pritej) familja Denisit dha aprovimin e saj për këtë vendim tonin. Ndërkohë që familja ime ishte totalisht kundër!

Edhe pse pa aprovimin e tyre bëra sic gjykova vetë që ishte më mirë për mua dhe fillova të bashkëjetoja me personin me të cilin doja të ndaja cdo moment të jetës sime.

Pas presioneve të shumta të familjes sime (të cilët në mënyrë indirekte shprehnin dhe shqetësimin se duke qënë që unë po jetoja me një djalë, “bota” do mendonte që unë jam gay) vendosa ti them time mëje atë të vërtetë që aq shumë përpiqej tja mohonte vetes. Në moshën 16 vjecare fillova të kisha probleme me seksualitetin tim. Refuzoja të pranoja veten për atë që jam sepse “bota” kish vendosur që të qënit “ndryshe” të bënte mëkatar.

E kush isha unë për të kundërshtuar botën?!

I ndjerë nën presionin e të tjerëve dhe mbi të gjitha nën atë të familjes sime, vendosa ti jap fund problemeve të mija. Një grusht me ilace ishin ilaci im...

Kur ime më hyri në shtëpi dhe më pa në gjëndjen në të cilën ndodhesha e kuptoi në moment që dicka kish ndodhur dhe nuk ju desh shumë kohë për të kuptuar se cfarë.

Në ka dicka që admiroj tek ime më është gjakftohtësia që arrin të mbajë në momente kritike, edhe pse kohët e fundit po fillon ti reduktohet ky virtyt.

Më detyroi të gëlltisja rreth tre litra ujë të nxehtë dhe si pasojë i nxorra të gjitha ilacet bashkë me cfarë kisha ngrënë gjatë pjesës tjetër të ditës. Në atë moment e kuptova cfarë quhej “lavazh stomaku”.

Pasi e rimora veten dhe gjendja u qetësua ime më mori guximin të më pyeste për motivet që më kishin çuar deri në atë pikë. Në fillim u përpoqa te bëja rezistencë por më pas u dorëzova duke menduar që ishte gjëja e duhur.

Heshtje... Askush nuk guxonte të fliste më për homoseksualitetin dhe aq më pak të shikohej në sy në momentin që mund të dëgjohej rastësisht një bisedë mbi këtë temë.

Vite më vonë ime më hapi këtë temë duke më pyetur nëse “kisha ndryshuar”, dhe e bëri këtë gjë në formë imponuese. “Ishte dicka e moshës” – tha ajo, “kujtdo mund ti ndodhë në adoleshencë ky konfuzim, e rëndësishme është që je shëruar”.I ndjerë i kërcënuar në ato momente u detyrova të gënjeja dhe ktheva pas një hap aq të rëndësishëm.

Pa e kuptuar kisha bërë një marrveshje me time më, duhej të gënjeja edhe atë që dinte të vërtëtën, mundësisht dhe veten.Kur u njoha me Denisin kisha vetëm një mik të cilit i rrëfeja gjithcka, “E”, ai dinte cdo detaj të jetës sime dhe të mardhënieve të mija me meshkujt. Ndihesha krenar që kisha një shok si ai, që më dhuronte dashurinë që më kish munguar nga im vëlla edhe pse e dinte që unë isha gay.

Duke parë që Denisi, ndryshe nga unë, ishte shumë i hapur me rrethin e tij të njohjeve dhe askush nuk e gjykonte për mënyrën si është apo për atë cka bën fillova të ndjeja dëshirën për të patur persona që më duan për atë cka jam dhe jo për atë cka detyrohem të bëj sikur jam që ata dhe gjithë të tjerët “të flenë të qetë”.

Fillova të hapesha me miqtë e mi. Çuditërisht, ndryshe nga meshkujt e tjerë gay që njoh që e kanë kaluar këtë proces, unë jam shumë më i lirshëm me shokët se me shoqet. Personave të parë të cilëve ju rrëfeva ishin meshkuj. Reagimi i parë nuk ishte aspak pozitiv, por ju desh më pak kohë nga çe mendoja për ta pranuar faktin që unë jam gay dhe për të më mbështetur.

Rasti më i vecantë ishte “P”, në momentin që unë i thash hapur që jam gay dhe ndihem krenar për këtë gjë pasi jam i lumtur dhe nuk më shqetëson se cfarë do mendojnë apo si do më komentojnë të tjerët, ai u largua. Bëra atë cka mendova që ishte gjëja e duhur, i dhash kohë.

Për disa ditë nuk pata asnjë lloj kontakti me “P”, deri sa një mbrëmje erdhi bashkë me “E” tek shtëpija ku unë po jetoja vetëm për të më kërkuar të falur dhe për të pirë alkol së bashku siç bënim në periudhën e gjimnazit.

Personi i vetëm që më zgjenjehu ishte “E”, nga miku im më i mirë të cilit mund ti rrëfeja gjithcka dhe isha i bindur që e kisha krah në cdo situatë, u kthye në një person “të njohur”. Më thoshte gjithnjë të mos flas me njëri për këtë gjë dhe të bëj shumë kujdes se mos më shikon dikush pasi kishte shumë frikë. Nuk e kuptova kurrë në e kishte atë frikë për mua apo për veten e tij.

03:27 e mëngjesit! Unë dhe Denisi nuk kishim shumë që kishim rënë për të fjetur në momentin që dëgjohet zilja e celularit tim.

“Hajde shpejt tek urgjenca se kemi shtruar tët ëmë se është shumë rëndë” – tha një zë shumë i padëshirueshëm për mua nga ana tjetër e celularit. Kisha shumë kohë pa ju përgjigjur tim vëllai në celular dhe këtë herë e bëra vetëm sepse telefonoi nga numri i tim eti.

Kur shkova në urgjencë gjeta tim atë, tim vëlla dhe disa persona të tjerë të “familjes” që kishin ardhur për të më rritur nivelin e bezdisjes.

Pasi takova time më, e cila dukej në një gëndje shumë të rënde, im vëlla vazhdimisht më kërkonte ti premtoja time mëje që do kthehesha në shtëpi por unë i pa tendosur refuzoja. Nuk duhej të tregohesha i dobët përballë atij presioni që po më ushtronin. Çuam time më në shtëpi dhe në moment ajo filloi të më kërkonte të njejtën gjë si im vëlla. Përballë saj isha më i dobët por në këtë vendim nuk mund të më mposhtte askush.

Faza tjetër ishte me pjesën tjetër të “familjes” që po përpiqeshin të më bënin të ndihesha fajtor për atë cka i kish ndodhur time mëje dhe të më bindnin që të kthehesha në shtëpi duke “vjellur vrer” mbi mua dhe Denisin që tashmë e dinin se kush ishte dhe raportin që ne kishim.

Pas grindjes së rradhës u largoa nga shtëpija e tyre dhe u nisa drejt times për të mbështetur kokën në gjoksin e Denisit tim. Ngela i impresionuar nga reagimi i tim eti pasi ime më i kish treguar që unë jam gay.

“Unë e di qe ti ke orientim seksual ndryshe” – tha ai, “dhe e pranoj këtë gjë pasi je im bir dhe të dua shumë por e vetmja gjë që të kërkoj është të kthehesh në shtëpi që të tjerët të mos e marrin vesh sepse do shkatërrosh veten dhe familjen me këtë sjellje”.Pas 20 vitesh bota ime u përmbys... Ishte pikërisht ky ai personi të cilin unë e kam gjykuar gjatë gjithë jetës si të prapambetur në mendime për shkak të origjines së tij nga fshati?!

Dhe gjëja që më lëndoi më shumë ishte se nuk po njihja më time më... Ku shkoi ajo zonja nga kryeqyteti që më ka trajtuar gjatë gjithë jetës si shok dhe më ka mbështetur në vendimet e mija?!

Herën e fundit që e takova këtë “zonjë të nderuar kryeqytetare” u përpoq gjatë gjithë bisedës të më bënte të ndihesha njeriu më i ndyrë në botë dhe fliste për homoseksualët me neveri sikur të mos ishte përballë të birit që para pak ditësh i kish rrëfyer për të dytën herë që është homoseksual dhe më në fund ka arritur ta dojë veten për këtë që është dhe është i lumtur me veten dhe personin e zemrës.

Ndoshta një ditë do më marrë malli dhe do e kërkoj, ose të paktën do i përgjigjem telefonatave dhe sms-ve të saj. Por deri sa të vijë ajo ditë unë vazhdoj të jetoj i lumtur përkrah Denisit dhe mes miqsh pa dallim sekualiteti që më duan dhe i dua pa kushte.

Mbështetësit Dhe Partnerët