Festivali i Diversitetit 2014

“Festivali i Diversitetit” është ngjarja më e rëndësishme e vitit për Ambasadën PINK / LGBT Pro dhe zhvillohet çdo vit në datën 17 Maj me rastin e Ditës Ndërkombëtare kundër Homofobisë dhe Transfobisë (IDAHOT).

Kjo ngjarje zhvillohet përgjatë një jave, e quajtur java e diversitetit, dhe kulminon në datën 17 me panairin e diversitetit, marshimin e krenarisë dhe aktivitete të shumta sociale dhe argëtuese si koncert, shfaqje filmash, ekspozita, konferenca dhe tryeza pune etj.

Koncepti i diversitetit është se pavarësisht ndryshimeve në jemi të barabartë në të drejta, shanse dhe përpara ligjit. Promovimi i barazizë në pluralizëm është i rëndësishëm e para sepse shoqëria shqiptare nuk është e panjohur me konceptin e diversitetit dhe e dyta sepse ky është një koncept i të drejtave të njeriut, i cili ka mbi 20 vjet që prezantohet në Shqipëri.

Java e diversitetit është një mundësi për tu solidarizuar me të drejtat LGBT, për të marë më shumë informacion mbi këto çështje dhe për të festuar faktin se një shoqëri është më e lumtur dhe më e emancipuar nëse arrin të pranojë në gjirin e saj njerëzt pavarësisht orientimit të tyre seksual dhe identitetit gjinor.

Për vitin 2014 Festivali i Diversitetit do të zhvillohet në datat 12-17 Maj dhe realizohet nga Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri në bashkëpunim me Shtëpinë e të Drejtave të Njeriut në Shqipëri, Open Minid Spectrum Albania dhe pjesëmarrjen e dhjetra institucioneve, organizatave, partnerëve ndërkombëtarë dhe komunitetit LGBT në vend.

Ky event vjen pas dy viteve të suksesshme me këtë event i cili ka shërbyer për fuqizimin e komunitetit dhe përmirësimin e imazhit të tij në publik.

Më poshtë është kalendari i aktiviteteve:

E hënë 12 Maj 2014

Ditën e parë do të zhvillohet konferenca për shtyp, që do të shënojë çeljen e Festivalit të Diversitetit dhe në mbrëmjë do të çelet ekspozita.

10:00                       Konferenca për shtyp

18:00                       Ekspozita

E martë, 13 Maj 2014

Dita e dytë do i dedikohet filmave me tematikë LGBT. Të gjithë grupet artistike shqiptare dhe të huaja që janë të interesuar për të prezantuar filmat e tyre janë të mirëpritur.

E mërkurë, 14 Maj 2014

Dita e tretë do i dedikohet të gjithë organizatave që duan të zhvillojnë aktivitete me tematikën LGBT. Çdo organizatë që ka dëshirë dhe plan të organizojë aktivitete gjatë kësaj dite janë të mirëpritur.

E enjte, 15 Maj 2014

Dita e katërt do i kushtohet institucioneve që punojnë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut përkatësisht Avokati i Popullit dhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Gjatë kësaj dite do të zhvillohet edhe një konferencë rajonale për të identifikuar hapat që mund të ndërmeren për mbrojtjen e të drejtave LGBT. Përfaqësues të organizatave LGBT nga vendet e tjera janë të ftuar të marrin pjesë. Në mbrëmje do të zhvillohet një pritje kokteil.  

E premte, 16 Maj 2014

Dita e pestë do i dedikohet vizitorëve të huaj të cilët do të kenë mundësi të njihen me pjesën historike të vendit. Do të zhvillohet një vizitë edhe në qytetin antik të Durrësit.

E shtune 17 Maj 2014

Dita e fundit e festivalit do I dedikohet panairit të diversitetit pranë sheshit “Vëllezërit Frashëri” dhe më pas do të organizohet dhe marshimi i krenarisë.

Për më shumë informacion mbi Javën e Diversitetit dhe Tirana Pride na shkruani në [email protected]


Java e Diversitetit 12-17 Maj 2014 - Tirana Pride 17 Maj 2014

Ambasada PINK, Shtëpia e të Drejtave të Njeriut në Shqipëri dhe Open Mind Spectrum Albania hapin sot Festivalin e 3-të të Diversitetit në Shqipëri duke ftuar të gjitha institucionet e Republikës së Shqipërisë, mediat, organizatat e të drejtave të njeriut dhe qytetarët e thjeshtë, të të gjitha orientimeve, besimeve dhe bindjeve t’i bashkohen aktiviteteve që do të zhvillohen këtë javë, si dhe Marshimit të Krenarisë në datën 17 Maj.

Mesazhi kryesor i këtij Festivali është “Thuaj Po Dashurisë”. Dashuria, është në fakt promotori kryesor i jetës njerëzore, i aktivitetit njërëzor, i ekzistëncës sonë dhe në këtë terminologji të thjeshtë ne gjetëm frymëzimin për gjithçka do ndodhë këtë javë dhe materialet që i shoqërojnë ato.

Së pari ne duam të prezantojmë para jush sot, videon tonë ndërgjegjësuese me mesazhin “Thuaj Po Dashurisë”. Realizimi i kësaj video, e gjeti burimin tek mesazhet e urrejtjes, fyerjes dhe denigrimit që individë dhe grupe të caktuara në shoqëri kanë zgjedhur si mënyrë për të kundërshtuar mbrojtjen, avancimin dhe garantimin e të drejtave të personave LGBT.

Fjala e lirë, përbën një nga shtyllat e një shteti demokratik, ajo nuk duhet përdorur kurrsesi në një mënyrë që të fyejë, ofendojë dhe denigrojë dhe aq më keq të nxisë dhe promovojë dhunë apo akte negative. Nëse debati kundër të drejtave të personave LGBT bëhet duke përdorur të tilla qëndrime dhe opinione atëherë kjo tregon se ky është një debat i humbur dhe se argumentat e shëndoshë janë pak dhe jo të besueshëm.

Këtë javë, ne duam ta përdorim për të hedhur vështrimin mbi disa prej temave më interesante që lidhen me komunitetin LGBT dhe të drejtat e tyre. Përgjatë ditës së filmit do të njihemi me rrugëtimet e personave LGBT nga pjesë të ndryshme të botës. Ndërkohë që ndjenjat dhe dashuria që ata shprehin është e njëjtë, ajo çka ndryshon është mënyra se si shoqëria ndërvepron me ta. Sa më konstruktive dhe e shëndetshme të jetë përqasja e shoqërisë, aq më e madhe është edhe mirëqënia dhe dialogu që e shoqëron atë.

Më tej gjatë kësaj jave do të kemi kënaqësinë të hapim ekspozitën “Shija e Lirisë”, e cila eksploron lirinë e të shprehurit, përmes mjeteve dhe mënyrave demokratike, një e drejtë kaq e re dhe e brishtë.

Rruga drejt mbrojtjes dhe garantimit të plotë të të drejtave të komunitetit LGBT është ende e gjatë. Sot në hapje të Javës së Diversitetit, ne ftojmë publikun shqiptar, që nën frymën e tolerancës, mirëkuptimit dhe qytetarisë, ta shfrytëzojnë këtë javë për t’u njohur nga afër me nevojat, problematikat dhe shqetësimet e komunitetit LGBT.

Që të kuptojmë nevojat e një individi apo komuniteti, duhet të përpiqemi të shohim përmes syve dhe ndjenjave të tyre se çfarë shkon e nuk shkon në shoqërinë tonë. Një shoqëri e lirë është ajo shoqëri që lufton dhe përçmon shtypjen duke i mbrojtur dhe respektuar të gjithë qytetarët e saj.

Ambasada PINK, Shtëpia e të Drejtave të njeriut dhe Open Mind Spectrum Albania duan të falenderojnë veçanërisht Delegacionin e Bashkimit Europian në Shqipëri në vend për mbështetjen direkte në realizimin e aktiviteteve sensibilizuese të këtij Festivali të Tretë të Diversitetit.

Ne duam të falenderojmë përzemërsisht të gjitha institucionet, organizatat e të drejtave të njeriut, organizmat kombëtare dhe ndërkombëtare, bizneset dhe kompanitë, grupet dhe individëd, akademinë, gazetarët, komunitetin LGBT në vend dhe të gjithë personat kontributi dhe mbështetja e të cilëve po i jep jetë një jave shumë intensive.

Në përfundim ju ftojmë të ndiqni dhe të mbështesni Marshimin e Parë të Krenarisë në Shqipëri, në datën 17 Maj.

Ju faleminderit!

Mbështetësit Dhe Partnerët