Festivali i Diversitetit 2015

Hapet Festivali i Pestë i Diversitetit nën moton “Sa gjatë mund të presësh për të drejtat e tua”

PINK udhëton nëpër Shqipëri me leksione të hapura dhe aktivitete ndërgjegjësuese.

Në datën 4 Maj, Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri filloi Muajin e Diversitetit, një fushatë ndërgjegjësuese në nivel kombëtar në kuadër të Ditës Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë (IDAHOT). Ky aktivitet përkujton vendimin historik të Organizatës Botërore të Shëndetësisë të datës 17 Maj 1990 për të hequr homoseksualitetin nga klasifimimi i çrregullimeve mendore.

Muaji i Diversitetit do të zhvillohet në datat 5 Maj – 11 Qershor nën moton “Edhe sa gjatë mund të presësh për të drejtat e tua?” Kjo pyetje i drejtohet rinisë shqiptare në tërësi dhe asaj LGBTI në veçanti, me një pyetje domethënëse e cila vë theksin te problemet dhe sfidat e mëdha me të cilat përballen të rinjtë LGBTI këtu në Shqipëri por edhe në shumë vende të botës.

Të rinjtë LGBT janë shpesh pre e dhunimit të të drejtave të tyre. Këtu përfshihen dëbimi nga mjedisi familjar, përjashtimi nga rrethi shoqëror, heqja e shanseve dhe mundësive të ndryshme profesionale dhe sociale të cilat kanë impakt të drejtpërdrejtë në zhvillimin e të rinjve, bulizmi dhe ngacmimet e papërshtatshme në shkolla, përndjekja dhe abuzimi psikologjik në mediat sociale, mesazhet e urrejtjes, sulmet fizike dhe verbale nga të panjohur, abuzimi me drogërat dhe probleme psiko-emocionale etj. Në këto 7 vjet lëvizje të rinjtë LGBTI edhe pse shpesh me hezitim kanë ndarë jo pak informacion me organizatat LGBTI në vend. Në këto raste ata kanë folur hapur për problemet e tyre në familje, shkolla, mjediset e punës etj.

Është e rëndësishme që e gjithë shoqëria shqiptare dhe institucionet të kuptojnë se homofobia dhe transfobia nuk janë thjesht fjalë të hedhura kuturu. Ato kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në jetën dhe të ardhmen e çdo vajze dhe djali orientimi seksual dhe identiteti gjinor i të cilëve nuk përputhet me pritshmëritë e shoqërisë.

Duke pasur parasysh këtë temë si dhe faktin që IDAHOT është një ditë akademike, këtë vit Ambasada PINK po zhvillon një turne leksionesh të hapura nëpër universitetet e ndryshme të vendit dhe është ende duke negociuar data dhe orare të tjera leksionesh përgjatë këtij muaji me Universitete, shkolla dhe institucione të tjera publike. Ne mendojmë se informimi i duhur i të rinjve mbi orientimin seksual dhe identitetin gjinor dhe pasojat e rënda të diskriminimit është shumë i rëndësishëm për të ndryshuar mentalitetin dhe perceptimet shoqërore.

Aktivitetet do të përmbyllen në datën 11 Qershor me Paradën e Dytë të Krenarisë në Tiranë.

Më poshtë gjeni të plotë listën e aktiviteteve:

  • 5 Maj              Shfaqje filmi dhe diskutim i lirë për temën LGBT pranë kafe La Blanche, Elbasan;
  • 5 Maj              Leksion i hapur pranë Universitetit të New York Tiranë
  • 6 Maj              Hapja e ekspozitës fotografike “Shija e Lirisë”, Elbasan
  • 8 Maj              Leksion i hapur pranë Fakultetit të Shkencave të Edukimit, Universiteti i Shkodrës
  • 9 Maj              Leksion i hapur pranë Fakultetit të Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës
  • 15 Maj            Manifestim përpara godinës së Këshillit të Ministrave nën moton “Sa gjatë mund të presësh për të drejtat e tua”
  • 18 Maj            Leksion i hapur pranë Universitetit Marin Barleti, Tiranë
  • 20 Maj            Leksion i hapur pranë Fakultetit të Shkencave Humane, Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë
  • 22 Maj            Leksion i hapur pranë Fakultetit të Shkencave Sociale, Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës
  • 3 Qershor       Vizitë pune e eurodeputetit Daniele Viotti në Tiranë dhe zhvillimi i takimeve të punës me drejtues të lartë të shtetit
  • 11 Qershor     Marshimi i Dytë i Krenarisë “Tirana Pride 2015”

Ambasada PINK falenderon Bashkite e Qyteteve Tiranë, Durrës, Elbasan, Vlorë, Korçë dhe Shkodër, Avokatin e Popullit, Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Ministrinë e MIrëqenies Sociale dhe Rinisë, Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Universitetin e Tiranës, Universitetin e Neë York, Universitetin Marin Barleti, Ambasadën e Vendeve të Ulëta, Universitetin e Durrësit, Teatrin Skampa Elbasan, Café La Blanche, Universitetin e Shkodres, Universitetin e Vlorës dhe Bashkimin Europian për bashkëpunimin në zhvillimin me sukses të këtyre aktiviteteve si dhe gjithe institucionet e tjera që do të përfshihen në këtë proçes përgjatë muajve Maj dhe Qershor 2015. 

Mbështetësit Dhe Partnerët