Kodi i Familjes të njohë të drejtën e personave LGBT për të bashkëjetuar

Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri, Shtëpia e të Drejtave të Njeriut në Shqipëri (HRH) dhe Open Mind Spectrum Albania (OMSA) i kanë kërkuar Ministrit të Drejtësië Z. Ylli Manjani dhe Parlamentit të Shqipërisë që të njohin të drejtën e çifteve të të njëjtit seks për të gëzuar të drejtat dhe detyrimet që burojnë nga bashkëjetesa duke ndryshuar nenet 163 dhe 164 të Kodit të Familjes në mënyrë që ato të mos jenë diskriminuese kundër personave LGBTI.

Duke marrë parasysh se Kuvendi i Republikës së Shqipërisë është duke hartuar Reformën në Drejtësi, më e madhja e këtyre viteve të fundit dhe se Kodi i Familjes po shihet me shumë kujdes nga Komisionet e posaçme, është e rëndësishme që të drejtat themelore të personave LGBTI të mos lihen jashtë saj por të shihen si pjesë integrale e këtij proçesi.

Kërkesa e organizatave LGBTI dhe atyre të të drejtave të njeriut në Shqipëri nuk mbështetet thjesht në vullnetin e lirë të komunitetit por edhe në disa nga dokumentet më të rëndësishëm kombëtarë dhe ndërkombëtarë të tilla si:

  • Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, neni 53 i të cilës sqaron se kushdo ka të drejtë të martohet dhe të ketë familje;
  • Ligji 10221, dt 4.2.2010 për Mbrojtjen nga Diskriminimi në Republikën e Shqipërisë;
  • Rekomandimi i Këshillit të Europës CM/Rek(2010)5 për shtetet anëtare për masat për luftën kunder diskriminimit për shkak të orientimit seksual ose identitetit gjinor;
  • Rekomanimi i Gjykates Europiane të të Drejtave të Njeriut mbi nenin 44/2 të Konventës së të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore[1];
  • Rekomandimi i Avokatit të Popullit me nr dokumenti 201501, 690/2 (“Rekomandohet ndyshime në ligjin 1962, dt. 5.8.2003, “Kodi i Familjes i Republikës së Shqipërisë i ndryshuar”, me numër protokolli K1/107-2);
  • Dhe vetë Rezoluta e datës 7 Maj 2015 e Parlamentit të Shqipërisë “Për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të personave që i përkasin komunitetit LGBTI” ku ndër të tjera kërkohet mbrojtja dhe avancimi ligjor i të drejtave të personave LGBTI;

Kërkohet që të ndryshohen nenet 163 dhe 164 të Kodit të Familjes si më poshtë:

Neni 163 ndryshohet si më poshtë:

Bashkëjetesa është një bashkim fakti midis dy personave  që jetojnë në çift, e karakterizuar nga një jetë e përbashkët, që paraqet një karakter stabiliteti dhe vazhdueshmërie.

Neni 164 ndryshohet si më poshtë:

Kushtet dhe procedurat e regjistrimit, pasojat e regjistrimit, mënyrat e përfundimit të bashkëjetesës dhe marrëdhëniet personale e pasurore ndërmjet bashkëjetuesve rregullohen me ligj të veçantë.

Ndërkohë që shoqëria shqiptare vazhdon të debatojë mbi të drejtat e komunitetit LGBTI është e nevojshme të kuptohet se ndryshimi i këtyre neneve dhe njohja e çifteve të të njëjtit seks nuk bën gjë tjetër veçse garanton të drejtën e qytetarëve shqiptarë përpara ligjit.

Të drejtat që burojnë nga kjo njohje janë:

  1. E drejta ligjore për të vizituar partnerët në spital ose në burg;
  2. E drejta ligjore për perfitim të sigurimeve shëndetesore dhe shoqërore;
  3. E drejta ligjore që partneri të njihet si personi më i afert në rast paaftësie ose nderrim jete;
  4. E drejta e trashëgimisë;
  5. E drejta per veprim ligjor në lidhje me ndarjen e pasurisë ose aseteve me marrëvjeshjen partnerëve;
  6. E drejta e gëzimit të trashigimisë së personit në rast të nderrimit të jetës së partnerit;

Studimi më i fundit në Shqipëri tregon se personat LGBTI vuajnë më shumë dhunën dhe diskriminimin në mjedisin familjar dhe shoqëror, përkrah atij profesional. Prandaj është e rëndësishme që ndryshimet ligjore të përçojnë në shoqërinë shqiptare mesazhin e qartë se personat LGBTI duhet të gëzojnë të drejtat e tyre të lirë nga dhuna dhe diskriminimi përfshi edhe mjedisin familjar qoftë ky ai ku lindin apo ai që përzgjedhin të krijojnë në maturi.

Mbështetësit Dhe Partnerët