Komuniteti LGBT mer pjesë në diskutimin kombëtar “E ARDHMJA Që DUAM”

Ambasada PINK/LGBT Pro Shqipëri në bashkëpunim me zyrën e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri organizuan një tryezë diskutimi të hapur me pjesëtarë të komunitetit LGBT në vend, në kuadër të diskutimit global “E ardhmja që duam – Drejt mundësive të barabarta”. Ky event i rëndësishëm i cili po zhvillohet paralelisht në mbi 60 shtete të ndryshme të botës është duke u zhvilluar edhe në Shqipëri falë punës së zyrës së Kombeve të Bashkuara në koordinim me organizata të shoqërisë civile dhe me pjesëmarrjen e studentëve, të rinjve, grave, prindërve, pensionistëve, grupeve të margjinalizuara dhe qytetarëve të shtresave të ndryshme ekonomike, politike dhe sociale në të gjithë vendin.

Këto diskutime të drejtpërdrejta me qytetarët do të frymëzojnë axhendën ndërkombëtare post 2015 në kuadër të Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit. Përmes këtyre objektivave, qeveritë, përfshi edhe Qeverinë e Republikës së Shqipërisë, janë zotuar të arrijnë objektiva të veçanta në reduktimin e varfërise, nxitjen e barazisë gjinore, zvogëlimin e vdekshmërise foshnjore, përmirësimin e shëndetit të nënës, luftën kunder virusit HIV/AIDS, garantimim e qëndrueshmërisë së mjedisit dhe zhvillimin e një partneriteti global per zhvillimin. Këto janë grupuar në tre objektiva kryesorë; 1) mbrojtja e mjedisit, 2) mundësitë e barabarta dhe 3) punësimi i të rinjëve.

Diskutimi me pjesëtarët e komunitetit LGBT u përqëndrua në objektivin e dytë; “drejt mundësive të barabarta” duke patur mundësi të japin mendimet e tyre mbi çështje si fuqizimi i gruas, pabarazia në cilësinë në arsim, diskriminimi, pabarazia në shërbimet sociale dhe shëndetësore dhe dhuna në familje.

Në komentet dhe opinionet e tyre krahas të tjerave të rinjtë LGBT ndanë opinion në lidhje me diskriminimin i cili nuk prek vetëm personat që i përkasin këtij komuniteti por duke u shtrirë edhe në çështje të tilla si diskriminimi brenda mjediseve shkollore për arsye ekonomike, sociale dhe kulturore, problemet me mentalitetin dhe kulturën dhe pa-mundësia për të ndryshuar realitetin shoqëror i cili shpesh vjen për shkak të vet-izolimit, vet-diskriminimit dhe frikës për të ndryshuar.

Në diskutimet mbi dhunën disa prej tyre argumentuan se ajo shpesh ndodh për shkak të mungesës së dialogut dhe informacionit, varësisë ekonomike, mungesës së raportimit në polici, pamundësia për të ndikuar në marrëdhëniet familjare etj.

Të rinjtë LGBT vërejtën forma të shumta diskriminimi nga ato që lidhen me paraqitjen, moshën, statusin ekonomik dhe familjar etj. Disa prej tyre evidentuan edhe diskriminimin që ndodh dhe stimulohet brenda mjedisit të familjes ashtu si edhe diskriminimin brenda grupit, pra gratë diskriminojnë gratë ose personat LGBT diskriminojnë persona të tjerë LGBT etj.

Ashtu si shumë të rinj të tjerë, edhe të rinjtë e komunitetit LGBT në Shqipëri vërejten probleme të mëdha me kulturën duke evidentuar faktin se shumë ndryshime do ndodhin në vendin tonë vetëm më ndryshimin e gjeneratave por edhe me stimulimin e forcës reaguese dhe organizuese të qytetarëve të cilët duhet të punojnë më shumë për avancimin e të drejtave të tyre dhe forcimin e pozicionit të tyre në Shoqëri.

Mendimet dhe opinionet e mbledhura nga grupet e ndryshme sociale nëpër të gjithë Shqipërinë do të bëhen pjesë e raportit të Shqipërisë tek Paneli i Nivelit të Lartë në OKB.

Ambasada PINK/LGBT Pro Shqipëri dëshiron të falenderojë zyrën e OKB-së në Shqipëri, CRCA dhe BKTF për mbështetjen e tyre në realizimin e këtij diskutimi si edhe pjesëtarët e komunitetit LGBT për kontributin e tyre.

Mbështetësit Dhe Partnerët