Komuniteti LGBTI në Shqipëri promovon Manifestin për partite politike në zgjedhjet parlamentare 2017

Manifesti për të Drejtat LGBTI ju prezantohet partive politike dhe kandidatëve për deputetë në zgjedhjet parlamentare 2017. Partitë premtojnë më shumë Ligje dhe Politika mbështetëse për komunitetin.

Tiranë, 21 Qershor 2017 – Vetëm 4 ditë para zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, Ambasada PINK bën të ditur se ka mundur të marrë mbështetjen dhe përkrahjen e thuajse të të gjitha partive politike për më shumë Ligje dhe Politika të reja mbështetëse për komunitetin LGBTI në Shqipëri.

Ambasada PINK, një ndër organizatat kryesore që punon për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të komunitetit LGBTI në Shqipëri, në kuadër të zgjedhjeve parlamentare 2017 dhe në konsultim me të rinj dhe të reja të komunitetit LGBTI, hartoi dhe draftoi Manifestin për të Drejtat LGBTI. Manifesti është një document politik dhe strategjik, që përmban kërkesat dhe prioritetet kryesore për komunitetin LGBTI në Shqipëri.

Në datë 25 Qershor 2017 Shqipëria mban zgjedhjet e saj parlamentare të rradhës. Pavarërsisht se partite politike janë shmangur përgjithësisht nga mesazhet apo qendrimet negative përkundrejt komunitetit LGBT, nga ana tjetër asnjë prej tyre nuk është shprehur publikisht në mbështetje të të drejtave të personave LGBTI. Nisur nga ky qendrim i zakonshëm i partive politike në zgjedhje, Ambasada PINK, nxiti vendosjen e një dialogu midis komunitetit LGBTI dhe partive politike në zgjedhje, në mënyrë që Kuvendi i ardhshëm të jetë i informuar, por dhe mbështetës përkundrejt komunitetit LGBTI në vend.

Në këtë kuadër, përgjatë periudhës Maj-Qershor 2017, përfaqësues të Ambasadës PINK dhe të Grupit “Miqtë e Diversitetit” kanë realizuar më shumë se 20 takime me deputete dhe përfaqësues të partive politike që marrin pjesë në zgjedhje. Përgjatë këtyre takimeve konstruktive, si të spektrit të majtë dhe të djathtë, është prezantuar dhe dorëzuar Manifesti për të Drejtat LGBTI, kemi marrë përkrahjen për kauzën LGBTI dhe mbështetjen e partive politike për përfshirjen e këtyre pikave në programet e tyre qeverisëse. Në takime është theksuar nga partite politike që ky dialog me Ambasadën Pink do tëvijojë dhe pas zgjedhjeve të 25 Qershorit.

Qëllimi kryesor i takimeve me partite politike në vend është që të bëjë të mundur që komuniteti LGBTI, përmes këtij Manifesti, të ketë zërin e tij në parlamentin e ardhshëm, ku së bashku më partite politike, krahas përfshirjes së pikave që përmban Manifesti,  do të punohet për realizimin e dy prej prioriteteve kryesore të adresuara nga komuniteti:

  1. Miratimi i ligjit për njohjen e identitetit gjinor;
  2. Njohja ligjore e bashkëjetesës civile;

Ndërkohë prioritetet, mbi të cilat do të ndërtohet bashkëpunimi ynë me Kuvendin dhe partite politike parlamentare, përgjatë katër viteve të ardhshme, janë: 

SIGURIA DHE MBROJTJA NGA DHUNA

Dhuna dhe mungesa e sigurisë është e pranishme në jetën e çdo personi LGBTI, studimet dhe vëzhgimet tregojnë që komuniteti ndihet i pambrojtur dhe privohet nga të drejtat që si qytetarë të këtij vendi ju takojnë me ligj.

 

ARSIM GJITHËPËRFSHIRËS

Të rinjtë e komunitetit LGBTI përgjatë arsimimit të tyre përballen me një serë vështirësish, si siguria në mjediset shkollore, marrëdhënia mes bashkëmoshatarëve dhe mësuesëve, vlerësimi akademik, si dhe me një shërbim jo cilësor psiko-social në shkolla.

 

PARANDALIMI DHE ELEMINIMI I DISKRIMINIMIT

Diskriminimi dhe paragjykimi mbetet një nga problemet kryesore me të cilat përballet komuniteti në familje, shkollë, shoqëri, vendin e punës etj.

 

SHËRBIMET DHE PËRKUJDESJA SOCIALE

Personat LGBTI hasin një mungesë të theksuar apo influence të shërbimeve sociale. Shërbimet sociale për komunitetin ndikojnë në cilësinë e jetës dhe mirëqënies së tyre.

 

STREHIMI

Një nga problemet më të mëdha për komunitetin LGBTI është strehimi, që prek personat që dëbohen nga familja  pas proçesit te coming out dhe veçanërisht komunitetin transgjinor.

 

PUNËSIM

38% e të rinjve në vendin tone janë të papunë dhe ky nivel papunësie prek dhe komunitetin LGBTI, veçanërisht komunitetin transgjinor i cili është totalisht i përjashtuar nga mundësitë e punësimit. Papunësia është një problem esencial që ndikon në garantimin e mirëqënies sociale të komunitetit LGBTI. Punësimi i komunitetit forcon mirëqënien e tyre dhe të familjeve të tyre.

Për më shumë informacion, kontakto: [email protected]

Mbështetësit Dhe Partnerët