Konkuzionet dhe rekomandimet e tryezës së rrumbullakët

Organizuar nga: Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri - “Respektimi i të drejtave të komunitetit LGBT: Arritje dhe Sfida”

Në bashkëpunim me: Avokatin e Popullit, Komisioneren për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.

Me mbështetjen e: Programit MATRA të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Vendeve të Ulta.

  • Legjislacioni për të drejtat e njeriut në përgjithësi dhe për të drejtat LGBT në veçanti, ka ardhur vazhdimisht duke u përmirësuar, por sfidë mbetet zbatimi i ligjeve. Më shumë hapa duhen ndërmarre në drejtim të forcimit të kapaciteteve të institucioneve që kanë për detyrë të zbatojnë ligjet për të drejtat e njeriut;
  • Tryeza evidentoi faktin se një sërë ligjesh kanë nevojë për t’u përmirësuar dhe për të adresuar më mirë çështjen e mbrojtjes së të drejtave të njeriut të komunitetit LGBT. Ligjet specifike që kërkojnë ndërhyrje janë:
            Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë (krimet dhe gjuha e urrejtjes)
            Kodi i Punës (ndalimi i diskriminimit për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor në marrëdhëniet e punës);
            Ligji për Mbrojtjen nga Diskriminimi (aspektet proçedurale, ankimimi etj)
  • Përgatitja e Planit të Veprimit të Qeverisë shqiptare është një arritje e rëndësishme, jo vetëm institucionale, por edhe sepse ai u përgatit falë bashkëpunimit dhe dialogut me komunitetin LGBT në Shqipëri. Megjithatë sfidë mbetet mbështetja me buxhet e zbatimit të Planit, e cila për momentin nuk është ende e qartë se nga cilat burime do të financohet. 
  • Sfidë mbetet zbatimi i Ligjit për Mbrojtjen nga Diskrimimini në sistemin arsimor para-universitar në Shqipëri. Niveli i njohjes së Ligjit mbetet ende shumë i ulët nga institucionet arsimore dhe përfaqësuesit e tyre dhe në shumë raste vihet re zbatim ose interpretim jo i drejtë i ligjit nga ana e tyre. Ministria e Arsimit duhet të tregojë më shumë vemendje në drejtim të bërjes së njohur të ligjit nga stafet e saj në të gjitha nivelet, përfshirë edhe ngritjen e mekanizmave që bëjnë të mundur mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna dhe diskriminimi për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor, dhe përfshirjen e njohurive mbi të drejtat e individëve LGBT në programet mësimore të të drejtave të njeriut. 
  • Me prioritet duhet parë vendosja e bashkëpunimit me Ministrinë e Arsimit për të organizuar kurse trainimi mbi Ligjin për Mbrojtjen nga Diskriminimi me drejtues të Drejtorive Arsimore dhe mësues në të gjithë Shqipërinë si dhe trajtimit të drejtë të aspekteve të të drejtave seksuale, orientimit seksual dhe identitetit gjinor. 
  • Avokati i Popullit dhe Komisionerja për Mbrojtjen nga Diskriminimi në bashkëpunim me organizatat LGBT duhet të shohin mundësinë e organizimit të orëve të hapura në Shkollat e Mesme, për informimin e adoleshentëve dhe të rinjve mbi çështjet LGBT, diskriminimin dhe respektimin e të drejtave të njeriut. 
  • Media ka bërë një punë shumë të mirë në drejtim të ndërgjegjësimit të publikut të gjerë mbi gjendjen dhe të drejtat e komunitetit LGBT në Shqipëri. Megjithatë sugjerohet që organizatat LGBT dhe mediat të punojnë më nga afër duke sjellë në vemendjen e publikut modele pozitive të individëve LGBT brenda dhe jashtë Shqipërisë. 
  • Tryeza vlerësoi bashkëpunimin e ngritur midis vetë organizatave LGBT dhe propozon që ky bashkëpunim të forcohet duke përfshirë organizimin e nismave dhe aksioneve të përbashkëta në drejtim të mbrotjes, forcimit dhe avancimit të komunitetit LGBT në Shqipëri.

Mbështetësit Dhe Partnerët