Kuvendi miraton propozimet e Ambasadës PINK dhe Avokatit të Popullit për ndryshime në Kodin Penal

Seanca Plenare e Kuvendit të Shqipërisë i datës 2 Maj, ka qenë historik për lëvizjen LGBT në Shqipëri. Gjatë saj, ndër të tjera, janë miratuar dy ndryshime të rëndësishme që fuqizojnë ndjeshëm mbrojtjen ligjore të personave LGBT nga krimi dhe diskriminimi.

Gjatë diskutimeve për projektligjin “Për disa shtesa në ligjin nr.7895, datë 27.01..1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar” ndër të tjera u miratuan edhe dy ndryshime të rëndësishme: I pari ka të bëjë me përfshirjen si rrethanë rënduese të një krimi edhe motivim për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor, i cili parashikon të ofrojë edhe më shumë mbrojtje për personat e komunitetit transgjinor. Konkretisht, në nenin 50 të Kodit Penal, shkronja “j” ndryshohet si më poshtë:

j) kur vepra është kryer e shtyrë nga motive që kanë të bëjnë me gjininë, racën, ngjyrën, etninë, gjuhën, identitetin gjinor, orientimin seksual, bindjet politike, fetare ose filozofike, gjendjen shëndetësore, predispozicione gjenetike, ose aftësinë e kufizuar”.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm ka të bëjë me përfshirjen në Kodin Penal të konceptit të fjalimeve të urrejtjes ndaj personave LGBT përmes teknologjisë se informacionit. Në nenin 119/a në listën e veprave penale shtohet edhe “shpërndarja e materialeve raciste, homofobike ose ksenofobike…” Në këtë vepër penale parashikohet që: “Ofrimi në publik ose shpërndarja e qëllimshme publikut, nëpërmjet sistemeve të teknologjisë së informacionit e komunikimit, e materialeve me përmbajtje raciste, homofobike ose ksenofobike, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet. “

Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri ka punuar me dedikim duke u përpjekur të asistojë Zyrën e Avokatit të Popullit në përgatitjen e propozimeve për ndryshime në Kodin Penal. Edhe pse në të nuk janë përfshirë të gjitha ndryshimet e propozuara është e rëndësishme që këto dy nene përmirësojnë dukshëm situatën ligjore të komunitetit LGBT.

PINK / LGBT Pro gjithashtu dëshiron të falenderojë Kuvendin e Shqipërisë dhe Ministrinë e Drejtësisë për aprovimin e këtyre dy ndryshimeve të rëndësishme. Ky proçes së bashku me Planin e Masave të Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe angazhimit serioz të lëvizjes LGBT për avancimin e të drejtave LGBT e bëjnë Shqipërinë një nga vendet më aktive në avancimin dhe mbrojtjen e të drejtave të këtij komuniteti në rajon dhe në Europë.

[email protected][email protected]
+355 4 22 65 741

 

Mbështetësit Dhe Partnerët