Më urren në rrjet?

nga Amarildo Fecanji

Në Rusi shtetasit e huaj rihen barbarisht në mjedise publike nga grupe nacionaliste ekstremiste, në Hungari shtëpive rome u vihet zjarri e banorët e saj qëllohen për vdekje teksa dalin të alarmuar nga shtëpitë e tyre nga neo-nazistë që kërkojnë një Hungari të bardhë, në Greqi pak ditë më parë një djalë me ngjyrë u rrah egërsisht nga një grup ekstremistësh e pasi humbi ndjenjat u damkos në trup me shenjën e kryqit, në një qytet anglez një grup radikal islamik shpërndante letra urrejtje kundër personave LGBT nëpër shtëpitë e banorëve. Kudo në Europë ka racizëm, ksenofobi, homofobi, islamofobi e të tjera forma urrejtje e diskriminimi. Por sot, më shumë se kurrë, përmes internetit, fryma e nxitjes së urrejtjes dhe dhunës është bërë edhe më e fuqishme edhe më e rrezikshme.

Ndërkohë që i gjithë njerëzimi, i gëzohet pothuajse në unison të mirave të rrjetit global, madje së fundmi mund të diskutojmë edhe rolin që interneti po luan në rrëzimin e rregjimeve autoritare në vende të ndryshme arabe, forca të shumta ekstremiste, por edhe njerëz të thjeshtë të pa pozicionuar publikisht në një kauzë apo çështje të caktuar, e përdorin internetin, e sidomos mediat sociale (facebook, twitter, youtube, etj) apo edhe mediat e ndryshme online (portale informative, faqe specifike, blogje etj) për të shpërndarë dhe nxitur urrejtje ndaj çfarëdolloj grupi që ato urrejnë. Duket në fakt, sikur ky “anonimitet” i rrjetit, i shtyn shumë njerëz të jenë shumë më të sinqertë me veten e tyre dhe të tjerët në lidhje me shumë çështje e tema për të cilat në jetën reale do të ishin të ndaluara. Në fakt ky është vetëm një perceptim i gabuar. Kërkimet dhe studimet më të fundit mbi këtë çështje tregojnë se mënyra se si një njeri sillet dhe komunikon në rrjet është shumë e ngjashme me mënyrën se si ai sillet në jetën reale. Pra e thënë me shembull, nëse një person kërkon të ngjallë apo nxisë urrejtje dhe dhunë ndaj një grupi të caktuar social, gjasat janë që ai/ajo ta bëjë këtë gjë edhe në jetën e përditshme. Miti se ka një botë “reale” e një botë “virtuale” është ashtu si e thotë fjala thjesht një mit, dhe gjithçka në bëjmë në internet ka pasoja reale në jetët tona.

Fakti i mësipërm dhe shumë informacione të tjera, shpesh shokuese, informuese, edukuese u ndanë me një grup jashtëzakonisht divers të mbledhur në Qendrën Rinore Europiane, në Strasburg nga organizata United for Intercultural Action me qendër në Amsterdam. Aktivistë nga 47 vende të Këshillit të Europës dhe disa vende aziatike, punuan së bashku për gjashtë ditë për të identifikuar dhe diskutuar mbi racizmin, bulizmin në shkolla, diskriminimin në rrjet, qeverisjen e hapësirës së rrjetit, impaktin e fjalimeve të urrejtjes mbi viktimat, konfliktin midis lirisë së shprehjes dhe të drejtave të njeriut për të vijuar më pas me identifikimin e një sërë mekanizmave dhe sistemeve për të luftuar fjalimet e urrejtjes.

Aktivistët vetë vinin nga një mori eksperiencash dhe identitetesh. Përveç kombësive dhe etnive të ndryshme ata përfaqësonin e mbulonin çështje si ato të religjionit, komunikimit ndërkulturor, çështjet LGBT, të migracionit etj duke qenë kështu aktorë direkt të luftës kundër diskriminimit dhe intolerancës në vendet e tyre të origjinës.

Kjo pasuri e madhe identitetesh u reflektua edhe në diskutimet dhe aktivitetet e panumërta ku pjesëmarrësit dhe trajnuesit mundën të mësojnë më shumë për mënyrën se si fjalimet e urrejtjes në rrjet ndikojnë në jetën e çdo individi, e veçanërisht të atyre që u përkasin grupeve vulnerabël etnike, kulturore, fetare etj. Identifikimi i “përplasjes” mes jetës në rrjet dhe asaj reale bëhej edhe me shembuj, si ai i një aktiviste myslimane nga Gjermania, e cila shumë vonë mësoi për një shoqe klase, me të cilën kishte qëndruar edhe në të njëjtën bankë, të shpërndante komente dhe materiale shokuese kundër të huajve dhe myslimanëve në Gjermani.

Ky shembull por edhe shumë të tjerë, tregoi edhe një anë tjetër interesante të rrjetit; nëse në jetët tona të përdishme në mundet të njohim e takojmë njerëz të shumë origjinave, background-eve dhe kulturave, në rrjet, ne kemi tendencën të komunikojmë e të qëndrojmë më afër me persona që ndajnë besimet, bindjet dhe opinionet tona. Kështu, ndryshe nga jeta e përditshme ku opinionet tona mund të përplasen dhe ekuilibrohen, në rrjet të gjithë ne rrezikojmë të bëhemi pjesë të rretheve shumë të ngushta, duke humbur shansin për të ndryshuar apo përmirësuar opinionet tona e duke rrezikuar të bëhemi edhe më ekstremë dhe të njëanshëm. Kjo në fakt lidhet shumë bukur me konceptin se reklamat shokuese anti-duhan i shohin vetëm ata që nuk e pijnë duhanin. Rreziku është se nëse je ekstrem, atëherë rrjeti mund të të bëjë edhe më shumë të tillë.

Por çfarë efekti ka kjo tek personat të cilët janë viktima apo pritës të sulmeve dhe fjalimeve të urrjetjes onlineë Ashtu si bulizmi dhe dhuna në jetën e përditshme dhe në internet, ai ngjall efekte dhe pasoja shumë të ngjashme. Nëse një person gei, rom, grek, mysliman, i huaj etj sheh një video urrejtje apo mesazh urrejtje të drejtuar kundër tij në rrjet ankthi dhe mërzia do jenë shumë të ngjashme. Njohja me rrezikun që këto lloj mesazhesh dhe komentesh të reflektohen edhe në jetën e përditshme e bën jetën e këtyre grupeve sociale edhe më të vështirë.

Duket pra, sikur rrjeti ka ndërtuar ashtu siç e thotë vetë fjala, një rrjet, të koklavitur e të pa qeverisshëm i cili rrezikon ti bëjë njerëzit më ekstremë e varfëron komunikimin publik. E vërteta qëndron diku midis të dyjave. Mënyra se si rregullat e komunikimit funsionojnë në rrjet varet shumë nga vete ne dhe nga angazhimi ynë për ti thënë jo nxitjes së urrejtjes dhe sjelljes së shfrenuar online. Përveç raportimit e denoncimit të faqeve, profileve apo materialeve të urrejtjes që gjejmë online, sjellja jonë duhet të jetë edhe më e ekuilibruar dhe e kujdesshme. Në rrjet, njerëzit kanë tendencën të jenë më emocionalë dhe agresivë sesa duhet. Kjo do të thotë se në përballjen tuaj me grupe apo individë ekstremë online, duhet të ruani e të mbani gjithmonë një komunikim sa më racional e miqësor. Kjo duhet shoqëruar edhe me ngritjen e diskutimit në atë nivel apo profil që ju intereson juve. Mbajeni fokusin tek gjërat që kanë rëndësi dhe mos iu përgjegjni provokimeve.

Poaq e rëndësishme sa puna e mësipërme duhet që grupet dhe organizatat që punojnë kundër diskriminimit dhe intolerancës të ndërtojnë fushata sa më efektive komunikimi ku në rradhë të parë të ndërgjegjësojnë opinionin publik për dëmet dhe rreziqet e fjalimeve dhe nxitjes së urrejtjes online dhe për të kërkuar një sjellje më të përgjegjshme në këtë mjedis. Ndërkohë që interneti vazhdon të bëhet edhe më i përdorshëm dhe i aksesueshëm, shumë njerëz e harrojnë që rregullat dhe vlerat universale njerëzore që ne aplikojmë në shoqëri kanë po aq vend dhe peshë në rrjet. Derisa kjo gjë të bëhet realitet, mbetet ende shumë punë për tu bërë.

Mbështetësit Dhe Partnerët