Mbahet marshimi i parë i krenarisë në Tiranë

17 Maj 2014 - Kjo Ditë Ndërkombëtare kundër Homofobisë dhe Transfobisë ishte historike për Shqipërinë dhe qytetarët LGBT. Vendi ishte sot dëshmitar i marshimit të parë të krenarisë, me aktivistë dhe mbështetës që ecën me flamurin gjigand të paqes në qendër të kryeqytetit.

Pavarësisht shiut të rrëmbyeshëm, tingujt e daulleve, bilbilat dhe valëvitja e flamurit madhështor ishin një emocion i veçantë për të gjithë pjesëmarrësit.

Java e Diversitetit, organizuar nga Ambasada PINK, Shtëpia e të Drejtave të Njeriut dhe Open Mind Spectrum Albania ka qenë e mbushur me aktivitete të shumta kulturore dhe sociale që kishin si objektiv ndërgjegjësimin e qytetarëve mbi këtë tematikë. Por gjithçka kulminoi sot me pjesëmarrjen e shumë njerëzve në marshimin e parë në rrugët e kryeqytetit.

 “Thuaj Po Dashurisë” ka qenë slogani i këtij Pride. Të përfshirë në debatin e zhurmshëm, emocional dhe shumë të gjatë të të drejtave të njeriut, mjaft njerëz harrojnë, se beteja për barazi, është thjesht për të garantuar të drejtën e dy njerëzve, jo vetëm për të afirmuar orientimin apo identitetin e tyre, por për ta shprehur atë përmes ndjenjës më të shenjtë njerëzore, asaj që na bashkon të gjithëve; dashurisë.

Në Panairin e Diversitetit, si dhe në aktivitetet e tjera kundë homofobisë që u zhvilluan në qytet morën pjesë shumë qytetarë të cilët injoruan shiun e rëmbyeshëm, orët e pushimit të fundjavës dhe u bashkuan në mbështetje të të drejtës për të dashuruar dhe për tu pranuar.

Ambasada PINK, HRHA dhe OMSA falenderojnë të gjithë personat që morën pjesë në Pride-in e parë në vend, gjithë institucionet, organizatat dhe qytetarët e thjeshtë, ashtu si edhe punonjësit e Policisë, gazetarët dhe operatorët që ndoqën aktivitetet nga afër.

Ne sot i thamë Po dashurisë, asaj dashurie që ende shumë njerëz nuk ia thonë dot emrin. Por, ajo ka qenë, është dhe do vazhdojë të jetë aty, për të rrezatuar edhe në ditë me shi.

PINK, HRHA & OMSA

Mbështetësit Dhe Partnerët