Në 17 Maj 2013 hapet Festivali i 2-të i Diversitetit kundër Homofobisë!

Tiranë, 25 Shkurt 2013 – Ky është viti i pestë që Ambasada PINK/LGBT Pro Shqipëri nis përgatitjet për Festivalin e Diversitetit, që organizohet në 17 Maj 2013, Dita Ndërkombëtare kundër Homofobisë. E shënuar në kalendar si një ndër ditët më të rëndësishme për komunitetin LGBT në të gjithë botën, ajo sjell në kujtesë vendimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e cila në këtë datë hoqi homoseksualitetin nga lista e sëmundjeve dhe patologjive.

Festivali i Diversitetit 2013 është një ditë feste, informimi dhe ndërgjegjësimi publik mbi të drejtat e njeriut të komunitetit LGBT, duke dashur të sjellë në vemendje se homofobia është një sëmundje që prek dhe dëmton të gjithë shoqërinë tonë. Vjet Festivali i Diversitetit shkaktoi protesta nga zv.Ministri i Mbrojtjes, Ekrem Spahia dhe disa grupe fetare ekstremiste.

Dita Ndëkombëtare kundër Homofobisë këtë vit ka si temë të saj qendrore homofobinë në internet, nën moton: “Lufto virusin e homofobisë në internet dhe në mediat sociale!”

Edhe në Shqipëri, ashtu si në mjaft vende të tjera të botës, homofobia dhe intoleranca ndaj komunitetit LGBT janë të larta dhe mediat sociale e interneti, përpos vlerave të tyre positive, janë shndërruar në një mjedis bulizmi, dhune dhe diskriminimi ndaj personave LGBT, sidomos ndaj adoleshentëve dhe të rinjve. Të rinjtë raportojnë tek Ambasada PINK një serë rastesh kur janë sulmuar me tekste homofobike nga të njohur të ndryshëm apo ekspozuar në rrjete sociale, si Facebook. Në këtë të fundit raportohen shpesh edhe grupe urrejtje dhe diskriminimi, të cilat targetojnë direkt komunitetin LGBT.

Ambasada PINK është duke punuar për të lobuar në forcimin e legjislacionit mbi fjalimet e urrejtjes dhe nxitjen e urrejtjes, përfshi edhe atë në mjetet e komunikimit kompjuterik dhe punon afër me komunitetin për ti informuar ata mbi rreziqet që mund tu kanosen nga aktiviteti i tyre në rrjet.

Mbështetësit Dhe Partnerët