Në kujtim të Holokaustit

Nga Peter Tatchell

 “Ne duhet ti shfarrosim këta njerëz (homoseksualët) me rrënjë dhe degë… Ne nuk mund të lejojmë një rrezik të tillë për atdheun, homoseksuali duhet të eleminohet plotësisht”.

Këto ishin fjalët drithëruese të shefit të SS-ve, Heinrich Himmler, i cili dizenjoi masteplanin për pastrimin seksual të racës ariane.

Heinz F ishte një djalë gay gjerman i shpenguar dhe energjik në Berlinin e fillimviteve 1930. Ai, si shumë gjermanë të tjerë nuk kishte as më të voglën ide për ato që do të ndodhin brenda pak vitesh. “Nuk e kisha kuptuar plotësisht situatën, “ pranon të thotë ai me një farë pendese. Papritur, një mengjes policia trokiti në derën e tij. “Dyshohet se ju jeni homoseksual. Për këtë arsye jeni i arrestuar”.

“E çfarë mund të bëja unë? Më çuan në kampin e Dakaut, pa asnjë process gjyqësor” thotë ai në intervistën për filmin dokumentar Neni 175 (Paragraph 175).

Pas një viti e gjysmë internimi në Dakau, Heinz u lirua, por u arrestua sërish dhe këtë herë u çua në kampin Buksenvald. Atje ai zbuloi fatin e tmerrshëm të meshkujve gei dhe biseksualë. “Pothuajse të gjithë homoseksualët… gati të gjithë… ishin vrarë”.

Për mrekulli Heinz mbijetoi pas tetë vitesh e gjysëm të kaluara nëpër kampe përqëndrimi. Pas luftës, ai nuk foli kurrë për eksperiencën e tij. Frika e tij ishte se ish të burgosurit gei perceptoheshin si kriminelë të zakonshëm dhe jo si viktima të nazizmit. Me lotë në sy ai thotë se: “Askush nuk donte të dëgjonte”.

Deri në vitin 1933 jeta e tij ishte krejt ndryshe. Berlini ishte kryeqyteti gei i botës, me një komunitet të madh, me bare dhe klube nate. Kishte revista gej, organizata artistike dhe sportive për personat gej si dhe organizata që punonin për më shumë të drejta dhe mirëkuptim të tyre. Jeta në Berlin ishte e bukur – dhe duke u përmirësuar – për personat lesbike, gej, biseksuale, transgjinore dhe interseks (LGBTI).

Edhe pse sipas nenit 175 të Kodit Penal gjerman homoseksualiteti ishte i jashtëligjshëm, ai zbatohej shumë rrallë. Në Reichstag (parlamentin gjerman) parlamentarët ishin afër anulimit të tij. Dukej sikur po afrohej një erë e re lirie. Por në fakt ndodhën horroret e nazizmit.

Vetëm pak javë pas ardhjes në pushtet më 1933, Hitleri i ndaloi ligjerisht organizatat dhe publikimet homoseksuale. Baret dhe lokalet gej u mbyllën. Forcat policore shkatërruan zyrat e lëvizjes për të drejtat gej, Institutin e Shkencave Seksuale dhe dogjën publikisht librarinë më të madhe të kohës mbi çështjet seksuale Para fundit të vitit, homoseksualët e parë u arrestuan dhe deportuan në kampet e reja të përqëndrimit.

Në vitin 1934, Nazistët intensifikuan fushatën e tyre anti-gej me krijimin e Zyrës së Rajhut për të Luftuar Abortin dhe Homoseksualitetin. Sipas Himlerit: “ata që praktikojnë homoseksualitetin, i heqin Gjermanisë fëmijët të cilët i detyrohen… vendi ynë do të thërrmohet për shkak të asaj sëmundje.” Policia u urdhërua të krijonte lista “pink” me persona që dyshohej se ishin homoseksualë. Më pas ndodhën arrestime në masë.  

Më tej në 1935 Nazistët vijuan me luftën kundër të ashtuquajturës “ekzistencë anormale” duke e zgjeruar përkufizimin e homoseksualitetit dhe argumentat për arrestim. Vetë thashethemet apo dyshimet për dikë mjaftonin për ta arrestuar. Një mashkull mund të arrestohej si homoseksual thjesht për një prekje, gjest apo shikim.

Më pas, Himleri autorizoi një program “shkencor” për eleminimin e këtij vesi. Të burgosurit gej iu nënshktruan eksperimenteve mjekësore në një përpjekje për të “kuruar” homoseksualitetin e tyre – përfshi trajtim hormonal apo kastrimin.

Mendohet se në periudhën 1933-1945, 50.000 deri më 100.000 meshkuj u arrestuan për krimin e homoseksualitetit sipas nenit 175. Një pjesë u nxorrën para gjykatave ndërsa të tjerët dërgoheshin menjëherë në kampet e përqëndrimit pa asnjë proçes apo gjykim formal. Vdekjet e të burgosurve homoseksualë shkonin deri në 50%, më i larti mes të burgosurve jo-hebrenj.

Të intervistuar për filmin Neni 175 ishin edhe Heinz Dormer dhe Gad Beck. Dormer shpenzoi pothuajse dhjetë vjet nëpër burgje dhe kampe përqëndrimi. Ai kujton qarjet e ankthshme nga “pylli që këndonte”, një rrjesht i madh shtyllash ku burrat e dënuar varrëshin. “Të gjithë ata që dënoheshin me vdekje varreshin aty. Qarjet dhe bërtitjet ishin jo-njerëzore… përtej botëkuptimit njerëzor.”

“Homokausti” Nazist u përpoq të eleminonte tërrësisht burrat gej dhe biseksualë. Ai ishte pjesë integrale e holokaustit. Përkundër pretendimeve se persekutimi i hebrenjve ishte i veçantë dhe krejt i ndarë nga viktimizimi i minoriteteve të tjera, vrasja në masë të hebrenjve ishin pjesë e planit të Hitlerit për pastrimin racial dhe gjenetik të volkut gjerman. Nazistët planifikuan të eleminonin të gjithë ata që konsideroheshin prej tyre si “inferiorë” - pra jo vetëm hebrenjtë, por edhe personat gej, me aftësi të kufizuara, sllavë, romë, sinti etj.

Gad Beck mbante një peshë të dyfishtë. Ai ishte gej dhe hebre. Ai kujton eksperiencën e tij të parë si adoleshent. “U ktheva në shtëpi tek nëna ime dhe i thashë: “Mama sot pata eksperiencën time të parë me një mashkull”. Për fat të mirë prindërit e pranuan homoseksualitetin e tij. Por ata druheshin për sigurinë e tij dhe i patën thënë: “Zot i madh, gej dhe hebre. Sidoqë të jetë ai do të persekutohet. Kjo nuk ka për të përfunduar mirë.”

Fatmirësisht Beck i mbijetoi luftës, ndërkohë që pothuajse të gjithë personat përreth tij u zhdukën. Dy prej të dashurve të tij u kapën nga Nazistët.

 “Një herë takova një djalë hebre shumë të bukur. Më ftoi të shtëpia e tij dhe kaluam natën bashkë. Në mëngjes erdhën Gestapot… Unë u tregova kartën time të identitetit – nuk isha në listë. Atë e morrën në Aushvic. Një natë dashurie kishte tjetër vlerë atëherë.”  

Më vonë, Beck u përpoq të lironte një tjetër të dashur, Manfred Lewin, nga një kamp i Gestapos. U paraqit atje si një antëar i Rinisë Hitleriane dhe kërkoi lirimin e Manfredit për një projekt ndërtimi. Edhe pse ky maskim shumë guximtar dhe i rrezikshëm pati sukses, teksa po ecnin të lirë në rrugë, Manfred i tha Gadit se nuk mund ti braktiste të afërmit në kamp. Beck pa se si i dashuri i tij u kthye në kamp për të qëndruar me ta. Nuk e pa më Manfredin. Ai dhe gjithë familja e tij u vranë në Aushvic.

Tragjedi të tilla ishin të përditshme gjatë Rajhut të Tretë dhe përsëriteshin çdo ditë kundër viktimave gej dhe jo-gej të Nazizmit. Por për personat gej trauma ishte shpesh më komplekse për shkak se shumë prej tyre vuanin në vetmi, të refuzuar nga familjet, të persekutuar nga Nazistët dhe të poshtëruar nga të burgosurit e tjerë nëpër kampet e përqëndrimit.

Nuk është çudi që nga ata pak të mbijetuar homoseksualë të holokaustit, kishte edhe shumë më pak që vendosën të flasin pas luftës. Neni 175 mbeti ligj edhe pas vitit 1945. Homoseksualiteti vazhdoi të ishte krim në Gjermaninë Lindore deri më 1968 dhe në Gjermaninë Perëndimore deri më 1969.

--- --- ---

Për më shumë informacion mbi fushatat e Peter Tatchell, për të marë buletinet e tij informuese apo për të bërë një donacion vizitoni faqen: www.PeterTatchellFoundation.org

© Të gjitha të drejtat janë të autorit. Ky material është përkthyer dhe botuar në shqip me autorizim të autorit. Përktheu në shqip, Amarildo Fecanji. Tiranë 2015  

Mbështetësit Dhe Partnerët