Ndryshimi XXXIII i Kushtetutës së Maqedonisë shkel të drejtën e privatësisë dhe cënon familjen më shumë se sa e mbron atë!

Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri, LGBT United Tetove dhe Rrjeti BABELNOR kanë mësuar me keqardhje për iniciativën më të fundit të Qeverisë së Maqedonisë për të kufizuar jo vetëm të drejtën e martesës duke e cilësuar atë një union ekskluziv midis një burri dhe një gruaje, por edhe të drejtën e bashkimeve civile dhe bashkë-jetesës si një lidhje ekskluzive midis një burri dhe një gruaje. Shtesa që kërkohet të bëhet në Kushtetutën e Maqedonisë rrezikon të margjinalizojë dhe vështirësojë edhe më tej jetën, dinjitetin dhe të drejtat e personave LGBTI në Maqedoni.

Ndërkohë që në shumicën e vende të Europës dhe Ballkan, po bëhet një progres i madh në njohjen e të drejtave dhe lirive të personave LGBTI, ne druhemi se Maqedonia po bën një hap të madh prapa dhe një gabim historik, i cili, nëse miratohet, do të dojë shumë mund e përpjekje që të zhbëhet. Ne besojmë se kjo do ta vendosë komunitetin LGBTI dhe popullin e Maqedonisë shumë hapa prapa krahasuar me vendet e Ballkanit Perëndimor në drejtim të rritjes së standarteve të jetës dhe arritjes së barazisë midis të gjithë shtetasve.

Në shoqëritë e sotme ballkanike, pa-barazia është kthyer në një problem madhor. Homofobia dhe transfobia, janë dy fenomene, sa të trashëguara nga sistemet e shkuara komuniste, aq edhe të nxitura nga nacionalizmat dhe konfliktet ndër-etnike dhe politike. Këto tendenca, nuk mund të zhvillohen duke kufizuar të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve, përfshi këtu edhe të drejtën e tyre për t’u martuar dhe krijuar familje. Përveç kufizimit të martesës dhe të drejtave që burojnë prej saj, siç do të lexoni edhe më poshtë, kufizimi me Kushtetutë i të drejtës së bashkimeve civile dhe bashkë-jetesës përbën jo vetëm një precedent të rrezikshëm, por edhe një shkelje flagrante të privatësisë dhe të drejtës themelore të çdo qytetari për të organizuar jetën e tij/saj ashtu si ai/ajo e shikon më të arsyeshme dhe pa cënuar apo dëmtuar liritë dhe të drejtat e të tjerëve.

Ne besojmë se këto propozime nuk shprehin mendimin unanim të të gjithë popullit të Maqedonisë. Ne besojmë se ky diversitet i vendit tonë fqinj duhet të shërbejë si motiv dhe argumentim, se muret e mëdha të mospajtimit dhe dallimit duhet të rrëzohen një herë e përgjithmonë. Njerëzit, pavarësisht ngjyrës, besimit fetar, bindjeve politike, etnisë, gjuhës, orientimit seksual apo identitetit gjinor, janë së pari qenie njerëzore. Kushtetuta e vendit, të cilit ata i përkasin, duhet të jetë në funksion të mbrojtjes dhe gëzimit të të drejtave të barabarta të tyre e jo të kthehet në një instrument autoritar e shtypës që të kujton rregjimet nacionaliste-ekstremiste të shekullit të kaluar.

Në ftojmë institucionin tuaj të punojë në këtë drejtim dhe të ndikojë pozitivisht duke i thënë JO këtij ndryshimi kushtetues, i cili do të përkeqësonte ndjeshëm situatën e të drejtave të njeriut në Maqedoni dhe rrjedhimisht edhe situatën e të drejtave të njeriut në Ballkanin perëndimor. THUAJ PO DASHURISË!

Me respekt

Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri
LGBT United Tetovë, Maqedoni
Rrjeti BABELNOR

Kjo letër e hapur i është dërguar në emër të Ambasadës PINK, LGBT United Tetovë, Maqedoni dhe Rrjetit BABELNOR, Z. Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë, Z. Ditmir Bushati, Ministër i Jashtëm i Shqipërisë, Ambasadorit të Maqedonisë në Tiranë, Ambasadorit të Shqipërisë në Shkup, faktorit politik shqiptar në Maqedoni, mediave, organizatave për të drejtat e njeriut dhe komunitetit ndërkombëtar.

--- --- ---- ---

Qeveria e Republikës së Maqedonisë ka propozuar ndryshime në Kushtetutë përfshi Ndryshimin 33 i cili përkufizon martesën dhe bashkësitë civile, por edhe çdo formë tjetër parnteriteti të rregjistruar, ekskluzivisht si një union midis një burri dhe një gruaje. Më poshtë është teksti mbi Ndryshimin 33 i cili rregullon martesat, bashkësitë civile dhe çdo formë tjetër partneriteti.

MDRYSHIMI XXXIII

  1. Martesa duhet të jetë një union vetëm midis një burri dhe një gruaje.
  2. Një union civil, apo çdo formë tjetër partneriteti duhet të jetë midis një burri dhe një gruaje.

Në 7 Korrik 2014, shtatë ndryshime kushtetuese u propozuan, përfshi edhe ndryshimin 33 i cili synonte të paraqiste një “përkufizim” më të qartë të martesës si një union midis një burri dhe një gruaje, u fut në debatin e Parlamentit së bashku me ndryshimet e tjera të propozuara. Këto ndryshime, gjithsesi, kishin vetëm përkufizimin e martesës si një union midis një burri dhe një gruaje. Përkufizimi i unioneve civile si një bashkim midis një burri dhe një gruaje nuk ishte përfshirë në propozim por u përfshi gjithsesi në draft, çka përbën një shkelje flagrante të proçedurës për ndryshime kushtetuese dhe një abuzim me vendimin e Parlamentit për të vijuar me ndryshimet kushtetuese të propozuara në fillim. Në 27 Gusht 2014, shtatë amendimet iu kaluan Parlamentit dhe aty Amendimi 33 i propozuar përmbante përkufizime të bashkësive civile apo çdo forme tjetër partneriteti, si unione ekskluzivisht midis një gruaje dhe një burri.

Për këtë arsye ne po ju shkruajmë për të shprehur shqetësimin tonë mbi ndryshimet e propozuara në Maqedoni që përfshijnë edhe përkufizimin e martesës dhe unioneve civile ekskluzivisht si unione midis një burri dhe një gruaje. Ne jemi thellësisht të shqetësuar për të drejtat LGBTI në Maqedoni ku në shumë raste janë vërejtur shkelje të të drejtave të njeriut si dhe mangësi në mbrojtjen e këtyre të drejtave nga autoritetet shtetërore. Për rrjedhoje ne besojmë se ky ndryshim vetëm sa do të rrisë diskriminimin, dhunën dhe fjalimet e urrejtjes ndaj komunitetit LGBTI. Përkufizimi ekskluziv i martesës, unioneve civile apo çdo forme tjetër partneriteti midis një burri dhe një gruaje është diskriminues ndaj personave LGBTI dhe kufizon të drejtën e tyre për familje dhe të drejtat e tjera civile dhe sociale që burojnë prej tyre.

Jurisprudenca bashkëkohore prej kohësh ka marë një vendim mbi këtë çështje:

Në rastin e Schalk dhe Kopf kundër. Austrisë (N. 30141/04. ECHR 2010), Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, deklaroi se marrëdhënia e një çifti të të njëjtit seks që është duke bashkëjetuar në një lidhje de-fakto të qëndrueshme hyn në kategorinë e “jetës familjare” siç është edhe rasti i çifteve të gjinive të ndryshme në një situatë ngjashmërisht të krahasueshme. Në rastin Vallianatos dhe të tjerët kundër. Greqisë (29381 /09 dhe 32684/09) Gjykata vendosi se përjashtimi ligjor i partneriteteve të gjinisë së njëjtë përbën një shkelje të Nenit 14 (Ndalimi i Diskriminimit)  se bashku me Nenin 8 (e drejta për të respektuar jetën familjare dhe private). Në opinionin e saj mbi Amendamentin e Katërt të Kushtetutës së Hungarisë, nga 14-15 Qershor 2013, Komisioni i Venecias deklaroi qartazi se një formulim me kufizime të ngjashme për jetën familjare nuk përputhem me Nenin 8 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut duke rikujtuar arsyetimin e bërë në rastin Schalk dhe Kopf kundër. Austrisë. Me fjalë të tjera, shtetet janë me të vërtetë krejtësisht të lira të përkufizojnë martesën si një formë bashkimi dhe krijimi të një familje (Neni. 12, Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut), për aq kohë sa ajo fillon tu garantojë të tjera të drejta dhe privilegje që burojnë prej martesës për çifte de-fakto, të cilat nuk mund të konsiderohen si “të martuara” nga ligjet kombëtare (bashkëjetesat), atëherë edhe orientimi seksual apo identiteti gjinor i këtyre individëve nuk duhet marrë si pengesë për ti gëzuar ato të drejta.

Nëse kjo iniciativë e Qeverisë së Maqedonisë votohet në Parlament dhe përfshihet në Kushtetute, do të krijojë një precedent në ligjin Europian që kufizon të drejtën e jetës familjare përmes përdorimit të mekanizmave kushtetues. Ky përbën një rrezik për zhvillimin e të drejtave të njeriut në Europë, sepse është një model që mund të aplikohet lehtësisht edhe në kontekste të tjera. Për të qenë më specifikë, kufizimi kushtetues i standarteve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut nuk është process i ngjashëm ndër shtetet europianë. Ato vende që kërkojnë supremaci të ligjit kushtetues vendas mbi atë ndërkombëtar mund të imponojnë kufizime kushtetuese që nuk përputhen me ligjet dhe standartet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe në të njëjtën kohë janë superiorë ndaj sistemit ligjor kombëtar. Për pasojë, kjo mund ta bëjë reagimin e komunitetit ndërkombëtar shumë më të vështirë dhe më pak produktiv.

Përmes kësaj letre, rrjeti BABELNOR, ju ftojnë të ndaloni që përkufizimi kushtetues i martesës dhe unioneve civile si unione ekskluzive midis një burri dhe një gruaje.

Ne ftojmë miqtë tanë ndërkombëtarë, mbrojtësit e të drejtave të njeriut ti kërkojnë Parlamentit të Maqedonisë, Presidentit dhe Qeverisë të mos mbështesin  Ndryshimin 33 për ndryshime kushtetuese. Gjithashtu, ne ftojmë dhe inkurajojmë të gjithë partnerët tanë që të informojnë qeveritë e tyre respektive mbi pengesat që ky Ndryshim mund të imponojë në të drejtën e jetës familjare dhe pasojat që ajo mund të ketë në kontekstin kombëtar.

Mbështetësit Dhe Partnerët