NË 5 TETOR 2018 KOMUNITETI LGBTI MBAN MARSHIMIN E 4-ët TË KRENARISË (Tirana Pride)

Tiranë, 30 Janar 2018 – Rrjeti Kombëtar për të Drejtat LGBTI në Shqipëri, Ambasada PINK, Open Mind Spectrum Albania (OMSA), Shtëpia e të Drejtave të Njeriut– HRH, Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve (CRCA), Linja Kombëtare e Këshillimit për Adoleshentët dhe të Rinjtë LGBTI, Koalicioni për Arsimin në Shqipëri - ACE, Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri – ANYN, grupi organizues i Marshimit të Krenarisë, ditën e sotme përcaktuan datën 5 Tetor 2018 si datën e mbajtjes së marshimit të 4-t të krenarisë të komunitetit LGBTI në Shqipëri.

Marshimi i Krenarisë 2018, do të jetë një ditë solidarizimi me komunitetin e personave lesbike, gej, biseksualë, transgjinorë dhe interseks, të cilët për shkak të diskriminimit historic hasin vështirësi të shumta në jetët e tyre. Edhe pse gjatë viteve të fundit vendi ynë ka bërë progres të madh ligjor dhe social drejt pranimit të diversitetit seksual dhe gjinor, kulturalisht dhe normativisht vizibiliteti i komunitetit LGBTI mbetet ende në nivele të ulëta duke u kthyer kështu në një pengesë për njohjen dhe pranimin e tyre në shoqërinë shqiptare.  

Rritja e vizibilitetit të çështjes LGBTI sjell fuqizim të demokracisë, respektin për dinjitetin dhe të drejtat e njeriut dhe një emancipim të mirëfilltë të shoqërisë. Në këtë kuadër, marshimi ka të bëjë me të drejtën për të jetuar të lirë, duke mposhtur ndjenjën e turpit, fajit dhe perceptimin e gabuar të shumë personave LGBTI, se duke qenë të tillë ata nuk janë të denjë për familjen, shoqërinë dhe vetë jetën.

Grupi organizues i Marshimit të Krenarisë 2018 fton të gjitha institucionet, organizatat dhe qytetarët shqiptarë të bashkohen në këtë aktivitet për ti thënë jo diskriminimit, përjashtimit dhe urrejtjes, për ti thënë po dashurisë, respektit dhe dinjitetit.

Ky është viti i dashurisë dhe i të drejtave të komunitetit LGBTI, prandaj më 5 Tetor 2018 bashkohuni me ne në Marshimin e katërt të Krenarisë.

 

Mbështetësit Dhe Partnerët