Nis bashkëpunimi i ngushtë me Zyrën e Avokatit të Popullit në mbrojtje të kauzës LGBT

NJOFTIM PËR SHTYP

Ditën e sotme, 21 Mars 2012, Avokati i Popullit Z. Igli Totozani priti në zyrën e tij stafin Ambasadës PINK/LGBT Pro Shqipëri. Ky takim historik shënoi edhe nisjen e një bashkëpunimi të ngushtë midis dy institucioneve në kuadër të avancimit të të drejtave të komunitetit LGBT në Shqipëri.

Në fjalën e tij përshendetëse Z. Altin Hazizaj, Ambasador i Parë e uroi Z. Totozani për nisjen e detyrës së re, evidentoi problematikat dhe çështjet më të rëndësishme për komunitetin LGBT si dhe paraqiti Raportin Vjetor të të Drejtave të Komunitetit LGBT. Fushat, të cilat Ambasada PINK i shikon si prioritare për komunitetin të tilla si profili ligjor, shërbimet sociale, ruajtja e privatësisë, mbrojtja e të drejtave dhe mosdiskriminimi iu përcollën Avokatit të Popullit në formën e kërkesave për bashkëpunim.

Z. Igli Totozani nga ana e tij ofroi mbështetje dhe suport maksimal nga ana e Zyrës së Avokatit të Popullit për mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të komunitetit LGBT si dhe nisjen e menjëhershme të punës për forcimin e këtij bashkëpunimi duke caktuar objektivat e punës, fushat e bashkëpunimit dhe rezultatet që priten.

Në këtë kuadër, brenda pak ditëve, dy institucionet do të nënshkruajnë një marrëveshje bashkëpunimi e cila do të parashtrojë fushat ku do të mbahen aktivitete të përbashkëta dhe ngritjen e grupit të punës për përgatitjen e Raportit të Posaçëm të Zyrës së Avokatit të Popullit për Komunitetin LGBT is cili më pas do ti dorëzohet Parlamentit të Shqipërisë në formën e rekomandimeve.

Pas këtij takimi dy përfaqësuesit e institucioneve dolën në konferencë për shtyp ku dhe iu përgjigjën pyetjeve të shumta të gazetarëve. Në fjalën e tij Z. Totozani theksoi rëndësinë e promovimit dhe përmirësimit të të drejtave dhe nevojave të komunitetit LGBT në Shqipëri edhe nëpërmjet bashkëpunimit me organizatat e shoqërisë civile. Ai vuri theksin tek lufta kundër keqtrajtimeve dhe diskriminimit, fjalorit të papërshtatshëm etj.

Ndërsa në fjalën e tij, Z. Hazizaj falenderoi publikisht Zyrën e Avokatit të Popullit për këtë bashkëpunim dhe anonçoi zyrtarisht nisjen e punës për aktivitetet që do të organizohen në datën 17 Maj me rastin e Ditës Ndërkombëtare kundër Homofobisë.

Ambasada PINK dëshiron të shprehë mirënjohje për angazhimin e Zyrës së Avokatit të Popullit në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të komunitetit LGBT dhe ka besim të plotë se ky institucion i rëndësishëm do të japë kontributin e duhur në avancimin dhe forcimin e të drejtave të komunitetit LGBT në Shqipëri. 

Ambasada PINK/ LGBT Pro Shqipëri

Mbështetësit Dhe Partnerët